Konferenca për shtyp e Luan Rames

Më lejoni që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të shpreh vlerësimin maksimal për procesin zgjedhor të realizuar në Shqipëri në zgjedhjet e 21 qershorit në kuadër të zgjedhjes së autoriteteve lokale të qeverisjes që shënon në fakt hapin e parë të rëndësishëm të vënien në jetë të reformës territoriale dhe administrative, çka i hap në fakt të gjitha njësive vendore një etapë të re, një perspektivë të re në përmbushje të detyrimit që kanë organet e qeverisjes vendore për t’i shërbyer komunitetit, për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Këto ishin zgjedhjet që edhe sipas vlerësimit të partnerëve ndërkombëtarë shënuan një tjetër standard të lartë në përputhje me standardet e parashikuara nga OSBE/ODIHR-i. Por ç’është më e rëndësishme, edhe në përputhje me aspiratën e qytetarëve shqiptarë të cilët me shumë qytetari, me korrektesë, me shumë përgjegjshmëri, kanë qenë edhe protagonistët kryesorë të realizimit të këtij procesi. Prandaj, dhe unë në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dëshiroj që të falënderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë votuesit shqiptarë për nivelin e lartë të qytetarisë dhe të përgjegjshmërisë që demonstruan.

Natyrisht, nuk mundet të mos kem në qendër të vëmendjes dhe gjej rastin përmes kësaj konference për shtyp, të vlerësoj maksimalisht të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit, votuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë Shqipërinë të cilët kanë ditur të jenë jo vetëm qytetarë të mirë, por edhe qytetarë shembullorë dhe korrekt në përmbushjen e  të gjitha detyrimeve për të realizuar me shumë sukses të procesin zgjedhor. Ata me korrektesë, me luajalitet, me përgjegjësi qytetare, kanë votuar 100 për qind për kandidatët e koalicionit për “Aleanca për Shqipërinë Europiane” duke mos u bërë pjesë e pazareve dhe e lojërave të cilat mund të dëmtonin sadopak kandidatët e përbashkët të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Këto zgjedhje dhe roli, qëndrimi, shembulli, modeli i votuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim konfirmojnë edhe njëherë luajalitetin dhe korrektesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila u qëndron me besnikëri dhe u shërben po me besnikëri marrëveshjeve dhe kontratave të bëra me partnerët.

Ndërkaq, këto zgjedhje me atë rezultat që kanë dhënë në aq sa është numëruar për kandidatët për kryetarë bashkish, por edhe duke lexuar të dhënat e para që vijnë nga numërimi i votave për subjektet politike, dëshmojnë rritjen e konsoliduar , rritjen e veçantë të votave në mbështetje të Lëvizjes Socialiste për Integrim, çka dëshmon në fakt edhe njëherë tjetër raportin e veçantë, unik që ka Lëvizja Socialiste për Integrim me qytetarët shqiptarë, me votuesit shqiptarë.

Unë gjej rastin të ftoj, të apeloj të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit, të gjithë përfaqësuesit tanë pranë qendrave të votimit, të vazhdojnë me shumë korrektesë, me shumë seriozitet, me qetësi dhe maturi dhe natyrisht me vendosmëri numërimin e çdo vote për të  mos lejuar askënd që të cenojë , të prekë apo të tentojë të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka fituar si asnjëherë tjetër më parë në 9 bashki, të cilat natyrisht do të jenë dhe për të ju siguroj, modeli i shërbimit ndaj qytetarëve. Do të jenë modeli i realizimit të premtimeve të bëra, pavarësisht faktit se kush ka votuar pro tyre, apo kush nuk ka votuar për ta, ato do të jenë njësi në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Në tërësinë e këtij rezultati përsa i përket garës për kryetar bashkish, më lejoni qe t’ju dërgoj një falënderim, një vlerësim të veçantë të gjithë kandidatëve në garë, padyshim 9 kryetarëve fitues, midis të cilave edhe dy zonjave të nderuara. Por dua të falënderoj edhe ata  kandidatë që për arsye nga më të ndryshmet, nuk rezultojnë fitues sa i takon numrit të votave, por janë fitues sepse kanë fituar admirimin, mbështetjen, zemrat e votuesve shqiptarë.

Në këtë kontekst, është për t’u theksuar dhe nuk mundet të mos dërgoj një falënderim të veçantë, një falënderim special nga selia qendrore e Lëvizjes Socialiste për Integrim  për të gjithë votuesit e Bashkisë së Çorovodës, për të gjithë votuesit e rrethit të Skraparit, të cilët me rezultatin e tyre spektakolar kanë bërë të mundur që kandidati ynë të fitojë me shifrën rekord, 86.33 për qind, si kandidat, por të fitojë LSI-ja si forcë e parë politike me shifrën prej 57.2 për qind, çka dëshmon praktikisht vlerën, konsolidetin dhe qëndrueshmërinë e votuesve tanë atje.

Por ndërkaq, është gjithashtu një rezultat spektakolar, rezultati i dytë në renditje ai që është arritur në Bashkinë  e Delvinës, ku kandidati ynë atje Rigels Balili ka fituar me 72.80 për qind të votave, ndërkohë që edhe si subjekt politik, Lëvizja Socialiste për Integrim atje është forcë e parë.

Ky trend, pra fakti që Lëvizja Socialiste për Integrim në shumë këshilla bashkiakë deri më tani, duke iu referuar atyre rezultateve që jep Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rezulton të jetë forcë e parë politike dhe në shumë të tjera forcë e dytë politike, është në favor të asaj që thashë pak më parë, të rritjes  së konsolidueshme të rritjes së pandalshme, të mbështetjes qytetare për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ndërkaq, më lejoni të qëndroj pak edhe te fakti apo rezultati i atyre bashkive ku nuk rezultojnë fitues kandidatët e koalicionit. Jemi të duruar të presim me qetësi, natyrisht me shumë vëmendje, rezultatin që do të shpallet, por ndërkaq më pas ne do të bëjmë analizat e detajuara për të nxjerrë përgjegjësitë tona, përgjegjësitë e të gjithë aktorëve në garë, por dua të theksoj që pavarësisht kësaj nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë në Bashkinë Pogradecit, i cili ia kalon edhe atij që njihet në mentalitetin apo në psikologjinë popullore, pazarit të Roskovecit.
 
Pyetje nga gazetarët

 
A keni një koment për bashkitë e humbura ku garonin kandidatët e LSI-së të mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”?
E thashë dhe më lejoni ta përsëris, që nuk janë bashki të humbura nga LSI-ja, ne aty kemi qenë në garë me kandidatët e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Do ta vlerësojmë maksimalisht rezultatin, do të lexojmë më shumë përgjegjësi çdo votë pro dhe çdo votë kundër për të evidentuar defektet, mangësitë, përgjegjësitë, por te ky standard vlerësimi, te ky qëndrim i yni nuk bën pjesë Bashkia e Pogradecit, e cila siç thashë, pazari i bërë në Pogradec ia kalon edhe pazarit të njohur të Roskovecit.

Z. Rama, ka pasur një reagim nga një pjesë e madhe e komunitetit të Vorës, që kanë kontestuar fitoren e kandidatit të opozitës. Cili është reagim juaj?
Kam një komunikim të vazhdueshëm nga mbrëmë dhe sot gjithë ditën me shumë qytetarë të Vorës, të cilët ndihen të shokuar dhe nuk e besojnë atë që në fakt nuk është ende një rezultat i shpallur nga KQZ-ja, është vetëm një rezultat aritmetik i numërimit të votave në kutitë e votimit, për të cilat ne natyrisht do të mbajmë me shumë seriozitet në vëmendje për të ndjekur çdo hap që do të bëjë të mundur vlerësimin real të çdo vote në Bashkinë e Vorës.

Unë edhe në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, por edhe si kryetar i shtabit elektoral në atë njësi, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Vorës, pavarësisht bindjeve apo qëndrimit politik për qytetarëve për korrektesën dhe për shembullin e shkëlqyer që demonstruan gjatë gjithë procesit zgjedhor, nga hapja e qendrave të votimit deri te numërim i votave të kandidatit për kryetar bashkie, pasi ndryshe nga ç’pretendohej apo u përpoq opozita ata dëshmuan që nuk kanë të bëjnë fare me akuzat apo shpifjet. Sepse në tërësinë e vet i gjithë procesi zgjedhor dëshmoi pikërisht këtë epërsi të qytetarëve, të votuesve shqiptarë dhe nuk lejoi të zënë vend apo të konkretizohen apo të materializohen qëndrime të opozitës, e cila tentoi ta kontaminonte, ta provokonte dhe ta kompromentonte procesin zgjedhor. Unë i përshëndes në mënyrë të veçantë të gjithë djemtë dhe vajzat e Vorës që kanë krijuar atje një atmosferë të shkëlqyer, një atmosferë qytetare të paparë, çka na bën ne të ndjehemi jo vetëm të respektuar, por ç’është më e rëndësishmja të detyruar ndaj atij komuniteti, pasi rezultati i shënuar është vërtet shembullor, gjë që nuk ka ndodhur më parë me Bashkinë e Vorës.

Ne e kemi denoncuar më parë, e kemi dokumentuar procesin parazgjedhor të përgatitur me tendencën për ta korruptuar rezultatin, i jemi drejtuar KQZ-së, organit të Prokurorisë dhe do të ndjekim me shumë seriozitet, me konsistencë deri në fund të gjitha hapat ligjorë, të gjithë rrugën ligjore për të lexuar dhe për të certifikuar ashtu siç i takon me vërtetësi rezultatin edhe në Bashkinë e Vorës. I ftoj qytetarët të mirëkuptojnë domosdoshmërinë e qetësisë dhe maturisë që duhet të shfaqin edhe në këtë fazë pasi hapat ligjorë janë hapat dhe rruga e duhur ku ne duhet të ecim për të kontestuar dhe për të certifikuar atë çfarë është. Unë e kam bërë dje dhe e bëj edhe sot nga selia e LSI-së, i kamë falënderuar dhe i falënderoj sërish edhe votuesit edhe mbështetësit e PD-së atje, edhe komisionerët e tyre, të cilët kanë qenë bashkëpunues dhe me të cilët kemi arritur të realizojmë një proces të standardeve demokratike, proces të standardeve evropiane, pa lejuar bashkë me komisionerët dhe të gjitha stafet elektorale të PD-së, që filozofia e lidershipit të kësaj partie për t’i kompromentuar zgjedhjet të mos bëhej realitet as në Bashkinë e Vorës. 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Mos dëgjoni Sudet dhe Rrapushët', Rama në Bulqizë: Rruga është drejt BE-së në 2030! Do i lëmë një horizont atyre që do marrin stafetën