TIRANË, 15 Nëntor/ATSH/.- Konfindustria shprehu sot shqetësimin për uljen me 48% në vlerë neto të investimeve të huaja në Shqipëri në 3 mujorin e dytë të vitit 2014, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Konfindustria gjykon se, ndër shkaqet kryesore të përgjysmimit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare janë pasojat e zbatimit të paketës fiskale, që ka hyrë në fuqi në fillimin e vitit 2014.
"Masa me ndikimin më të prekshëm negativ në paketën fiskale 2014 për investimet e huaja është rritja e tatim fitimit për biznesin në masën 50%, duke arritur në nivelin e 15%. Shënojmë, se në të gjitha vendet e tjera të rajonit konkurente të Shqipërisë për tërheqjen e investimeve të huaja, tatim fitimi si pjesë e politikës së taksimit të sheshtë është në intervalin 9%-10%", thuhet në një deklaratë të Konfindustrisë.
Paqëndrueshmëria e theksuar e politikave fiskale dhe ekonomike vlerësohet gjithashtu si shkak i rëndësishëm i mosafrimit të investitorëve të huaj dhe të vendit në ekonominë shqiptare.
Për rritjen e fuqisë konkuruese të ekonomisë shqiptare me vendet e rajonit në tërheqjen e investimeve të huaj, në kuadër të debatit për projekt ligjin 2015 dhe paketën fiskale shoqëruese, Konfindustria i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë rivendosjen e taksës së sheshtë prej maksimumi 10% për të gjitha bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura dhe me konkurencë të lirë./m.m/





