Kuvendi votoi fillimisht shkarkimin e Saimir Tahirit dhe emërimin e Fatmir Xhafajt ministër të Brendshëm. Dekreti për Xhafajn mori 76 vota. Ndërsa më e votuara ka qenë ministrja e re e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu me 79 vota.
Dekretet e Presidentit të Republikës u miratuan me votat e mazhoranës, ndërsa gjatë seancës nuk ka marrë pjesë kryetari i Kuvendit dhe LSI, Ilir Meta. Në votim nuk morën pjesë gjithashtu as deputetët Monika Kryemadhi, Ylli Shehu, Silva Caka nga LSI si dhe Mesila Doda e PDIU.
Pikërisht kjo forcë politike paralajmëroi më herët se nuk do të votonte ndryshimet në qeveri, por përpara nisjes së votimit, në Kuvend kanë mbërritur Shpëtim Idrizi, Omer Mamo, Tahir Muhedini dhe Aqif Rakipi.
Votimi i katër ministrave të rinj ka konfirmouar konsolidimin e koalicionit qeveritar në kohën kur janë votuar me më shumë se 76 vota në seancë ministrat e rinj të kabinetit "Rama".
Por ndërsa për ministrat Olta Xhaçka, Eduard Shalësi, e Ogerta Manastrirliu votuan të katër deputetët e PIDU, për ministrin Fatmir Xhafaj nuk ishin të pranishëm në sallë Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini e Aqif Rakipi të cilët erdhën në sallë pas votimit të ministrit të ri të brendshëm, që me sa duket kjo forcë politike ka vendosur t'i bashkohet votimit të ministrave në momentin e fundit.
[gallery]21568[/gallery]
Votimi i dekreteve të Presidentit
-shkarkohet me 78 vota pro Ilir Beqja nga ministër i Shëndetësisë
-shkarkohet me 75 vota pro Saimir Tahiri nga ministër i Brendshëm
-shkarkohet me 76 vota pro Blendi Klosi nga ministër i Punës
-shkarkohet me 78 vota pro Bledi Çuçi nga ministër i Pushtetit Vendor
-emërohet me 79 vota pro Ogerta Manastirliu ministre e Shëndetësisë
-emërohet me 76 vota pro Fatmir Xhafaj ministër i Brendshëm
-emërohet me 76 vota pro Olta Xhaçka ministre e Punës
-emërohet me 76 vota pro Eduart Shalësi ministër i Pushtetit Vendor
Përsëritet votimi për Blendi Klosin
Votimi i shkarkimit dhe emërimit të ministrave në Kuvend është shoqëruar edhe me një incident. Votimi i parë për shkarkimin e Klosit nuk arriti 71 vota. Rezultati i votimit ka qenë 70 vota pro shkarkimit dhe 2 kundër.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruci ka kërkuar përsëritjen e votimit për shkarkimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Klosi dhe përsëritjen e votimit për emërimin e ministres së re, Olta Xhaçka. Në votimin e dytë, shkarkimi i Klosit mori 76 vota dhe po aq edhe emërimi i Olta Xhaçkës si pasardhëse e tij te Ministria e Punës.
Kryeministri Edi Rama firmosi 10 ditë më parë shkarkimin e Saimir Tahirit nga ministër i Brendshëm dhe zëvendësimin e tij me Fatmir Xhafajn, Ilir Beqajn e Ministrisë së Shëndetësisë me Ogerta Manastirliu, Bledi Çuçin me Eduard Shalësin si dhe Blendi Klosin me Olta Xhaçkën te Ministria e Mirëqenies.
Sipas kreut të qeverisë, ndryshimet në qeveri erdhën në kuadër të organizimit elektoral të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
VIDEO/Votohen ministrat e rinj të kabintetit qeveritar
Por fillimi i seances hasi në një përplasje të fortë deklaratash mes Ben Blushit e Edi Ramës që u pasua më pas me replika, nga Lindita Nikolla, Erjon Brace që gjithashtu replikuan me Blushin.
Omer Mamo dhe Tahir Muhedini sot në parlament
Ora 14:00 Barcaleta me mi e kade e Ballës përzë Blushin nga salla
Por as socialisti Taulant Balla nuk është kursyer ndaj Ben Blushit duke e sulmuar me një barcaletë.
“Një mi po vinte vërdallë dhe ra në një kade, dhe i thotë maces, më shpëto, mirë i thotë macja por me një kusht, që kur të të nxjerr do të ha, e mirë i thotë miu, si të duash ti. E nxjerr e macja dhe menjëherë miu hyn në vrimë. Po ti more, i thotë macja, s'e mbaje fjalën? Isha tapë, iu përgjigj miu”.
Pas kësaj Ben Blushi u largua nga salla e Kuvendit.
Ora 13:20 Rama-Blushit: Mbeturinë e KPD-së, kërkoi falje Nikollës
Akuzat e Ben Blushit në adresë të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, nxitën edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama.
Rama i bëri thirrje Blushit t'i kërkojë ndjesë Nikollës për fyerjet, ndërsa duke iu drejtuar atij e cilësoi mbeturinë të KPD-së.
"Mbajte këtu fjalor vulgar, si një karrocier i dehur. Këtu ka vetëm një të zezë cmira juaj, që të verbon shikmiin dhe nxin gjuhën. Je një mbeturinë e KPD, asgjë më shumë se kaq, kur vjen dhe flet pa fakte, por gënjeshtra. I trajton të vërtetat sikur janë romane.
Turp të të vijë për ato që fole nga fundi i sallës për Linditën".
Ora 13:15 Blushi-Nikollës: Bodyguardi juaj mori 3 mijë euro për një vend pune
Ben Blushi iu përgjigj me fjalë të ashpra ministres së Arsimit, Lindita Nikolla pas fjalës së kësaj të fundit në Parlament.
Nga foltorja e Kuvendit, Blushi akuzoi Nikollën se ka dërguar bodyguardin e saj për të marrë 3 mijë euro për një vend pune.
"Çove bodyguard për të marrë 3 mijë euro për një vend pune. është arrestuar se e çoje të merrte tre mijë euro për një vend pune. Ti ke shkatërruar arsimin në këtë vend. Ti je injorante dhe fatkeqësisht për studentët e Shqipërisë sesi të të kenë ty ministre e arsimit. Injoranca juaj është e patolerueshme", u shpreh Blushi.
Ora 13:10 Nikolla-Blushit: Injorant ekzemplar
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla i është drejtuar me fjalën injorant kreut të LIBRA-s, Ben Blushit, gjë që solli edhe reagimin e tij të ashpër.
Nikolla fshikulloi edhe deputeten e LIBRA-s Mimoza Hafizi.
“Ti je një injorant ekzemplar, që shkruan libra e do të marrësh më qafë me injorancën tënde. Nuk panikon askënd se nuk ke bërë asgjë përvec se ke anatemuar dhe ke thurur lavde vetes tënde, asgjë s’ke bërë të njoh shumë mirë edhe përcmimin tënd për këdo që flet dhe këdo që ke pasur pranë. Të kam pasur afër në mbledhje e si përçmon e neverit ti, mendja jote e ndritur. Zonja (Mimoza Hafizi) që foli, e kam parë si është shkërmoqur figura e saj në kohën që u bë shoqja jote e ngushtë”- tha Nikolla.
Ora 13:00 Blushi zgjidh gjëegjëzën me "macen": Ka kafshuar gjithë PS-në
Kreu i LIBRA-s ka zgjidhur këtë të enjte në Kuvend edhe gjëegjëzën me macen, tre javë pasi ia kërkoi një gjë të tillë Erion Braçes.
Nga foltorja e Kuvendit, Blushi tha se "macja" është kryeministri Edi Rama, të cilin, siç deklaroi ai, e solli në PS në vitin 1998 dhe sot ka kafshuar gjithë PS-në.
"Disa javë më parë i dhash një gjëegjëzë Erion Braçes për ta zgjidhur: Unë kam një mace, ia jap Erion Braçes, ajo kafshon Taulant Ballën, kush e ka fajin?
Ka nga ata që më pyesin edhe sot. Ka nga ata që më pyesin se ku e ka kafshuar macja Ballën.
Macja që unë iu dha është ky (drejtohet me gisht nga Edi Rama), që ua dhash në '97-ën apo '98-ën, ajo iu ka kafshuar të gjithëve. Prandaj, ika se s'mund të lejoja kafshimin e maces", deklaroi Blushi.
Braçe: Fajin e ka Baftjari, por Baftjari që ka shumë lekë
Reagon deputeti socialist, Erjon Brace nga vendi. "Epo të sfiliten njerëzit për përgjigjen e barcaletës, kjo është… ua them unë kush e ka fajin. Fajin e ka Baftjari, por Baftjari që ka shumë lekë, po të doni ua tregoj edhe Baftjarin që ka shumë lekë".
Ora 12:50 Rama i përgjigjet me fabulën e akrepit me bretkocën
"Kjo nuk është replikë me të, ajo çka thashë ishte detyrim ndaj njerëzve, detyrim ndaj shokëve tanë ministra e gjithë të tjerëve këtu që sa herë futen në gojën e tij, duhet të ndihen sikur janë nën nofullën e Saliut.
Por kjo historia jote më kujton atë të akrepit me bretkocën. A do më ndihmosh të kaloj lumin? Ok, i tha bretkoca dhe dhe në mes të lumit akrepi i fut thumbin. Çna bëre i tha bretkosa, na mbyte të dyve. Nuk kam cfarë të bëj, është në natyrën time, i tha akrepi".
Ora 12:45 Blushi-Ramës: U bëre ministër duke qarë te shtëpia e Gramozit
I ashpër në replikën e tij ishte edhe Ben Blushi. Nga foltorja e Kuvendit ai sqaroi për herë të parë pse u largua nga Partia Socialiste. Duke moskursyer kritikat në adresë të kreut të qeverisë, Blushi tha se se vendosi të largohej nga PS pasi Edi Rama, sipas tij, braktisi garën për kryetar të PS një vit më parë.
Blushi kujtoi gjithashtu edhe se si u bë Rama ministër, sipas tij, duke qarë te Gramoz Ruçi.
"Shëndetësia, kanabisi, droga, korrupsioni, kanë ndodhur se ika unë nga PS? Ndodhën se ishte ministër Ilir Beqaj, se ishte ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri. A ka njeri që më thotë kam ndenjur me Elvis Rroshin, që kam qenë shok i Kokëdhimës? Që 17 vjet Edi Rama kryetar bashkie, ministër, kryeministër, si është bërë? Pyesni Gramozin. është bërë duke qarë te shtëpia, po po, duke na qarë ne te shtëpia. A kam detyrim ti them këto? Jo, unë nuk jam njeri banal.
Unë nuk tregoj me kë pi verë sepse nuk e derdh gotën e verës. Unë nuk vij në Kuvend për të folur për gjëra personale.
Kush është përgjegjës për kontrabandë në Shqipëri? Kush është përgjegjës që 400 mijë shqiptarë të varfër janë tradhtuar?
Ka ardhur koha të tregojmë se çfarë bëre me Fatosin për të marrë një vend pune. Ende s'ka ardhur koha për ta treguar.
Mandatin e askujt s'kam tradhtuar unë. Nëse do ta mbaja atë mandat duhet të kisha votuar ligjin e arsimit të lartë, armët kimike, mbetjet në Shqipëri. Në emër të kujt ishte ky mandat? Në emër të shqiptarëve. S'kam ndërmend t'ia jap asnjë bande.
Do t'ju them sa vjet kanë Iliri, Saliu dhe ky në pushtet. 45 vjet qëndroi Enveri, E dini sa janë Edvini, Saliu? Ky ka 17 vjet. Për çfarë do tia jap edhe katër vjet të tjera? Aq kanë qëndruar dhe këta të tre së bashku.
A ka një popull që mban 17 vjet një pushtet një njeri, është ky. Kërkon edhe një mandat tjetër, përveç çfarë do t'ia jepni 21 vjet, edhe katër vjet të tjera, për t'ju çuar të punoni arat me kanabis. Sikur 5 mandate të kisha, asnjë nuk ua lija në dorë ju. Unë nuk e kam përdorur asnjë ditë mandatin për të bërë dëm.
Je i degraduar si mik, jo vetëm si kryeministër. Ti më ke një borxh akoma dhe do e them. Kam kërkuar para një viti që më dilje përballë të votohesha, kaq i kërkova. Të dilte përballë dhe të votoheshim. Ti ke ikur nga gara si frikacak. Do të ta jap këtë mundësi shumë shpejt. Ike si frikacak, më dhimbsesh. Ti më ke ikur nga gara dhe unë prandaj ika nga PS. Shkove në Elbasan dhe nxore 200 pijanecë aty dhe më sulmuan mua, ti u bëre me ata, më sulmoi Rroshi dhe ti u bëre me ata. Ti je bërë me të gjithë horrat e Shqipërisë dhe nuk meriton të jesh miku im.
Ti je gjë tjetër, të vret pas shpine", iu drejtua Blushi.
(Rama duke folur per Blushin)
Ora 12: 30 Rama: Ju tregoj shokun tone Beni qe vdes te behet minister
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të reagojë duke përshkruar sipas tij se kush është Ben Blushi në të vërtetë.
"Nuk më vjen keq për Blushin sesa për disa të rinj që ngatërrojnë biblitekën me partinë. Një personazh i sajuar tamam si në letërsi, por këtë herë njeri i gjallë në librin e jetës sonë reale, që sapo ka zbritur këtu mes nesh, mes të shkretëve shqiptarë nga një planet tjetër për t'u dhënë planetin të varfërve.
Ky është sot miku im Beni të dashur shokë të tij, e kam dëgjuar vetë shpesh prej jush se si është rropatur duke recituar hartime të mbushur me mllefin e vet të pangushëllueshëm, të krijojë personazhin në sytë e atyre që se njohin se janë shumë të rinj dhe e përdorin mandatin e tyre të pafajshëm për të bërë fajin banal të baltosjes, zi e më zi, Sali e më Sali, shto katran e shto bojë në këtë foltore.
Ky është shpjegim nga ana jonë e imja, për ata që s’të njohin, apo deshifrojnë dot nga larg, që ua ndjej për borxh tu them se personazhi yt më i ri kryetari i 2019 partive është një xhaketë jo vetëm e vjetër në garderobën e politikës sonë por e kthyer mbrapsh më 20 vjet me radhë. Po e jap përgjigjen edhe si borxh ndaj shokëve tanë e të tij, të cilëve u kishe rezervuar nga kjo foltore një nga bataretë e tij prej gojështhururi, një shpërthim shembullor. Është rropatur për të mbushur hartime me mllefe të jashtëzakonshme. Rropatet të mbushë personazhin e tij ose se janë shumë të rinj ose shumë të lodhur.
Nuk dua ti dedikoj fjalë, përvese një seance të parcartur kur më thirri në një interpelance me shokun e tij Nardi e Vangjel.
Kush eshte Beni? Sepse erdhi në një parlament për të përfaqësuar socialistët e Elbasanit, dhe u bë kundërshtari ynë.
O Blush edhe sot kështu mendoj se ti nuk meriton minuta e fjalë nga koha e puna jonë, por kjo përgjigje sot përpara se të lëshosh dhe pak javë karrigen e deputetit socialist të Elbasanit të cilën e ke zënë padrejtësisht dhe e abuzuar maksimalisht, por është përgjgije jo për ty por një shpjegim për ata që nuk të njohin apo nuk të dëshifrojnë dot nga larg,
E vërteta e vjetër që ne e dimë prej shumë kohësh është që Beni vdes për pak ministër, aq shumë vdes për pak ministër sa është gati të rilindë në lëkurën e një personazhi për tu dukur si politikan i ri në librin e vjetër të politikës. Jo ti vdes të bëhesh pak ministër, por ke vdekje me tepri që të tjerë bëhen ministra koleget e tij e ti, jo, Tahiri u bë ti jo, Klosi u bë ti jo, Beqaj u bë ti jo, Çuçi u bë e ti jo.
Por si mund të ishe ti ministër kur dole më dobët nga të gjithë në qarkun e Elbasanit, more rezultatin më të dobët në 12 qarqe, kurse Klosi që udhëhoqi Durrësin e mori rezultatin më të mirë në 12 qarqe.
Po mirë ore strateg i paprovuar i vendit që si ish ministër dy herë në kohën e Fatosit bëre dy vrima të mëdha në ujë, që nga qeveria e Ilirt u shkarkove flutrimthi si zëvendëministër i jashtëm se hape një gropë të madhe, që Beqaj ty të jep ujë në bisht të lugës kur flitet për programin e reformës, e di e di fare mirë.
Si mund të ishe ti ministër që kur drejtove një ministri goxha të madhe të pushtetit vendor dhe do bëje kartat e identitetit dhe reformën territoriale, nuk qullose as njërën dhe as tjetrën.
S’ke shumë faj se ti je një mendje madh i pashërueseshëm që nuk e kupton dot nëse duhet të jetë Sajmiri ministër apo ti është njësoj si të diskutosh nëse Champions duhet ta fitojë Juve apo Shakohoxha.
Parlamenti ka vend edhe për gënjeshtar si puna jote, PS siç tregoi koha ka aq shumë ministra më të zotë se ti për Shqipërinë se sa ti dhe personazhi yt i ri me partizën tënde të re. E di që edhe sot nuk ke si e voton ti Oltën që ka një përkushtim për punën që ti nuk e ke. As Ogertën, as Shalsin dhe as Fatmirin.
Tani vazhdo bjeri legenit të çadrës por të lutem na e kurse betimin që nuk ke lidhje me ulluqet e ujërave të zeza mediatike të çadrës.
Kush të njeh o miku im i padreqshëm, e di që me ty mund të kalohet bukur darka, por me ty nuk shkohet asgjëkund në mëngjes. Ke një dreq zakoni që çdo dhjetë hapa i fut stërkëndëshin shokut.
E di kush je ti? Ti hahesh me Nard Ndokën për t’u matur se kush është me i thellë në mendime se tjetri", tha Rama.
(Blushi ne momentin duke folur Rama)
Ora 12: 10 Blushi: Ju rrëfej pse u ndërrua ministri i Brendshëm
Deputeti i LIBRA Ben Blushi u shpreh sot në Kuvend se ka një këndvështrim tjetër se mbi arsyet se përse është larguar Saimir Tahiri nga ministër i Brendshëm.
“Nuk u ndërrua ministri i Brendshëm që të shkojë në Kombinat të kërkojë vota, por sepse ministria e Brendshme ka rol të madh tek zgjedhjet”, u shpreh Bushi ne seancen e sotme parlamentare ku pritet te votohen dekretet e 4 ministrave te rinj.
Sipas Blushit, sot votohet ministri i Brendshëm ndërsa theksoi se roli i shefave të Policisë është i paqartë.
“Parlamenti duhet të jetë serioz qoftë dhe me 1 deputet. Sot votohet ministri i Brendshëm dhe priten zgjedhjet dhe lufta ndaj kanabisit. Ku e dimë ne që shefat e policisë nuk janë për të blerë vota e për të trafikuar votat, problem që ka shqetësuar gjithmonë këtë vend”.
I ndalur tek zgjedhjet, Blushi tha se numërimi i zgjedhjeve bëhet vetëm nga 4 persona.
Sipas Blushit sot në seancë duhet që Xhafaj të paraqiste strategjinë për luftën kundër kanabisit dhe sesi do shpëtojë zgjedhjet nga vjedhja e votës.
"Jemi një vend me ekonomi shumë të brishtë dhe mund të shkojë kollaj në tatëpjetë, jemi vend nga i cili duhet të ikin 200-300 mijë vetë në vit. Jemi në një vend ku vendet përreth janë në krizë. Shikoni Maqedoninë. Jemi vend që mund të rrokullisemi nëse nuk negociojmë.
Keni sjellë qeverinë për ta miratuar. Ministri i Brendshëm duhet të dilte këtu dhe të thoshte si do ta luftojë kanabisin për tre muajt e ardhshëm. Kryeministri nuk ka për ta thënë se ai e inkurajon këtë punë, nuk e dekurajon.
Çfarë mendoj unë për këtë krizë pavarësisht se nuk kam shpresë që kjo klasë politike ta zgjidhë këtë krizë. Unë kam dalë në opozitë me vullnet se u bëtë palë me krimin, mbollët Shqipërinë me kanabis, e privatizuat partinë më të madhe të Shqipërisë. Propozimin tim për rritjen e minimumit jetik për 400 mijë shqiptarë duke i dhënë 170 mijë lekë, ju e rrëzuat me një letër bakalli me 6 rreshta.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të sjellë më shumë vëzhgues. Jam dëshmitar që kur afrohet një vëzhgues i huaj në qendrën e votimit, ka më pak tentativa për të manipuluar. Roli i policisë është i dyshimtë. Prandaj është edhe ndryshuar ministri i Brendshëm. Ministri duhet të vinte sot me një platformë. Ka dy fushata të rëndësishme në këto tre muaj: zgjedhjet dhe fushata kundër kanabisit. Si do ta garantojë ministri i Brendshëm që shefat e policisë nuk janë të politizuar?
Unë nuk jam për shtyrje zgjedhjesh nëse ky sistem funksionon pak më mirë. zgjedhja e Presidentit është në prag, gati tu bllokuar. Mua nuk më intereson fare se kë do bëni President. Kam 10 vjet që flas se i takon popullit dhe jo Parlamentit. Presidenti nuk i takon kësaj shumice. Mund ta negocioni me ndonjë parti tjetër, por nxirreni nga kjo shumicë. Nuk mund të jetë President njëri prej jush që ka votuar për të sjellë armë kimike, për mbetjet, për ligjin e arsimit të Lartë. Nxirreni jashtë Parlamentit".
Lidhur me protestën e PD, Blushi theksoi se ka zgjedhur të mos hyjë në cadër për një arsye.
“Nuk jam në cadër se ata i ka nxjerrë populli në opozitë, mua vullneti im personal”
(Sot nga seanca parlamentare)