TIRANE- Fati i Eduart Belegut, babait të tre fëmijëve mbështillet me mister, kjo për shkak edhe të konflikteve të shumta që biznesmeni i njohur ka pasur me ortakët e tij në fushën e biznesit të kromit, përfshirë këtu edhe vetë djalin e tezes së tij, shtetasin Fatos Pengu. Monopolizimi i këtij biznesi tepër të çmuar dhe kthimi i tij në një dorë të vetme, duket se ka shtyrë kundërshtarët e Belegut, të marrin masa ekstreme me qëllim nxjerjen përfundimisht nga tregtia biznesmenin e njohur. Ka dyshime të forta se një veprim i tillë, mund të jetë kryer dhe nga struktura të veçanta shtetërore, duke qënë se prapa tregtisë së kromit qëndronin zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe disa politikanë të njohur.

Gazeta “Shqiptarja.com” ka arritur të sigurojë disa dokumenta nga Policia e Shtetit, të cilat tregojnë konfliktet që ka pësur Belegu me persona dhe kompani të ndryshme. Madje vetë vëllai i Eduartit, Gëzim Belegu ka treguar gjatë seancës së pyetjes se problemet e të vëllait kishin nisur, pikërisht në kohën kur ai ishte arrestuar nga prokuroria e Elbasanit. Pas këtij arrestimi, Belegu ka mundur të rifitojë lirinë, por edhe pas kësaj ai kishte mësuar se një tjetër dosje po përgatitej në prokurori, kundër tij. Ndërkohë që konfliktet e biznesmenit kanë qënë dhe me kompani të tjera dhe aksionerët, shere këto që lidheshin me ndarjen e fitimeve financiare të tregtimit të mineralit të kromit.

Zbardhen konfliktet
Në dokumentacionin që gazeta “Shqiptarja.com” disponon, konstatohet se biznesmeni i njohur Eduart Belegu, njeriu më i afërm i ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe Genc Ruli, ka pasur konflikte të vazhdueshme me kompaninë “Shega Trans”, e cila rezulton se kryen tregtinë e mineralit të kromit nga Durrësi për në Kinë dhe gjetkë. Dyshohet se me administratorët e kësaj kompanie Belegu, ka pasur konflikte, por pasi janë verifikuar të gjitha dyshimet, prokuroria dhe Policia e Shtetit, nuk kanë mundur të provojnë dyshimet.

Ndërkohë që ka pasur një konflikt tjetër me dy ortakët e tij të punës me shtetasin Arefi Jakupllari dhe Fatos Pengun, ky i fundit siç mësohet është djali i tezes së tij. Të tre së bashku, Eduarti, Arefiu dhe Fatosi kanë kryer aktivitet tregtar për nxjerjen e kromit në zonën e Prrenjasit dhe e dërgonin jashtë shtetit. Konflikti i tyre ka lindur në ndarjen e aseteve të kësaj firme që drejtohej nga tre emrat e sipërcituar.

Dëshmia e ortakut
Lidhur me hetimet e bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, është pyetur ortaku i Belegut, Arefi Jakupllari, të cilët administronin kompaninë "KUARCI BLACE". Ky person ka treguar se në me një telefonatë, të bërë nga Belegu rreth orës 11:28, por ai ishte në lokal dhe se kishte shumë zhurmë dhe se nuk i ka folur. E ka rimarrë në telefon vetëm 1 minutë më vonë. Telefonta ka qënë e shkurtër dhe përveç Eduart Belegut, që i thoshte me një zë shqetësues se do t’i telefononte më vonë, ai ka dëgjuar edhe disa zhurma.

Pas një ore Arefi Jakupllari është përpjekur disa herë që të kontaktojë me të, por kjo ka qënë e pamundur, pasi Eduarti nuk përgjigjej në telefon. Ai i ka rënë telefonit, deri në momentin që celulari është fikur. Sipas dëshmisë së tij, telefonata nuk i është dukur normal dhe se Eduarti nuk ndodhej mirë, pasi dhe zërin e kishte të çuditshëm.
 
Dosja “Belegu” fle në sirtarët e policisë
Shtatë muaj pas zhdukjes misterioze të Eduart Belegut, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka vendosur të pezullojë hetimet dhe se dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Policisë së Shtetit. Çështja gjatë këtyre viteve është rihapur disa herë, por që në fakt sërisht dosja është mbyllur duke mos arritur të sigurohen të dhëna të vlefshme për rastin në fjalë. Zhdukja e Belegut, fillimisht është denoncuar në komisariatin nr.1 dhe më pas dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

faksimile
 
Shkrimi u publikua sot (05.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)