Konflikti brenda PD-së nuk mund të zgjidhet në mënyrë të dhunshme

Konflikti brenda PD-së nuk mund të zgjidhet në mënyrë të dhunshme

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Para dy ditësh, konflikti në Partinë Demokratike gati mori një përthyerje shumë të dhunshme. Madje, pati dhunë. Këto ditë në media qarkulloi portreti i një personi, i cili deri para pak ditësh ishte krejtësisht i panjohur për ne. Ndoshta, mund të kishte tërhequr vëmendjen e dikujt që ndjek rregullisht lajmet britanike, sepse ai është personazh i mediave britanike. Ai është dëbuar nga Britania e Madhe me dyshimet se është i përfshirë në veprimtari kriminale. Në fakt, autoritetet britanike e kanë dëbuar mbështetur në dyshime, pa dhënë fakte të cilat do të mund të provonin se personi në fjalë ishte i përfshirë në veprimtari kriminale. Megjithatë, ne dimë një fakt të sigurt për këtë person: dimë se ai është i dhunshëm. Kjo gjë është e dukshme në pamjet ku ai shfaqet duke shkelmuar një derë në selinë e Partisë Demokratike.

Megjithatë, fokusi i diskutimit nuk është ky person, por dhuna në vetvete. Në Partinë Demokratike po bëhen përpjekje për ta zgjidhur konfliktin nëpërmjet dhunës. Janë shumë njerëz (ndoshta të gjithë ata që kanë qenë në stadiumin “Arena”, në datën 11 dhjetor), në mes tyre edhe gazetarë e kolegë të mi që janë duke i pëshpëritur në vesh Sali Berishës (a thua se ai nuk e ka këtë gjë në mendje!), që ta zgjidhë këtë konflikt nëpërmjet dhunës, që ai ta pushtojë selinë e Partisë Demokratike. Në të kundërt është i marrë fund. Një natë më parë, në rrjetet sociale, dikush e sintetizonte të gjithë këtë murmurimë të madhe që shkon në veshin e Sali Berishës.

Ky person shprehej: “Zoti Berisha ka edhe një javë kohë në dispozicion për ta marrë me dhunë selinë e Partisë Demokratike. Nëse nuk e merr deri në fund të vitit, ai nuk ka për ta marrë më kurrë.” Vini re frazën “… për të marrë me dhunë selinë e Partisë Demokratike”! Si “të merret me dhunë”? Çfarë nënkuptohet me shprehjen “ta marrësh me dhunë”? A janë në vete këta njerëz? Në atë godinë ka disa njerëz të tjerë që kanë të njëjtin pretendim, se ajo seli u përket atyre. Pra, ky është thelbi i konfliktit. Brenda PD-së ka dy palë të cilat pretendojnë se e drejta është me ta, se ajo parti (dhe me “parti” nënkuptohet jo vetëm selia, por edhe gjithçka tjetër) u përket atyre. Ky është konflikti. Dhe në demokraci, qoftë edhe në demokracinë minimaliste shqiptare, ka disa mënyra të caktuara për të zgjidhur një konflikt të tillë, apo për të zgjidhur të gjitha konfliktet në përgjithësi.

Një mënyrë janë negociatat. Palët që kanë pretendimin për të njëjtën gjë duhet të tentojnë të ulen në tavolinë, të tentojnë të përafrojnë pozicionet me synimin, shpresën apo bindjen se mund të arrijnë në një zgjidhje. Kjo është një nga rrugët, nëpërmjet të cilave zgjidhen konfliktet në regjimet demokratike. Por ne të gjithë e dimë se asnjëra prej palëve as nuk e çon në mendje këtë lloj rruge. Nuk e kanë në mendje të ulen në tavolinë. Të dyja palët po manifestojnë një kulturë të caktuar që unë e emërtoj vazhdimisht si “kulturë berishiane”. Kjo kulturë nuk i përket më vetëm Berishës, por edhe Bashës. Njëra palë kërkon ta marri me dhunë selinë e Partisë Demokratike, ndërsa pala tjetër po bën çmos ta mbajë qoftë edhe në mënyrë të dhunshme atë seli. “I kemi marrë të gjitha masat,” thotë Lulzim Basha.

Pra, të dyja palët e nënkuptojnë dhunën, dhe kultura berishiane dhunën e nënkuptuar e ka adoptuar si zgjidhje edhe kur vjen puna te dialektika politike, te gara politike. Berisha (shpikësi i kësaj kulture), me të dalë në opozitë, u ka bërë thirrje mbështetësve të vet të dalin në protesta të vazhdueshme e të dhunshme, nëpërmjet të cilave u ka premtuar se do të arrihet që këta do t’i imponohen kundërshtarëve të tyre që janë në zyrat e pushtetit, në mënyrë që këta të fundit ta lënë pushtetin. Pra, t’i rrëzojnë me dhunë. Dhe ky është një vetëgënjim. Është një iluzion spektakolar, pasi është provuar se nëpërmjet kësaj rruge nuk arrihet asgjë. Me përjashtim të vitit 1997, i cili mbetet një përjashtim që përforcon rregullin. Dhe rregulli është: pushteti fitohet nëpërmjet votave, në kutitë e votimit. Dhe kutitë e votimit janë metafora e negociatave, apo e marrëveshjes midis palëve.

Rruga tjetër – në rast se me negociata nuk arrihet asgjë – është adresimi i çështjes në gjykatë. Rrugë të tretë nuk ka. Në terma konkretë, Sali Berisha që është jashtë selisë dhe po tenton ta marrë atë, duhet të përgatisë një padi dhe të paraqitet në sallën e gjyqit, ku të paraqesë të gjithë argumentet në favor të kauzës së vet. Më pas, ai duhet të presë vendimin e gjykatës. Nëse ky vendim i jep të drejtë atij, atëherë Lulzim Bashës nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm të largohet me bisht ndër shalë, bashkë me njerëzit e vet. Nëse ndodh e kundërta, atëherë Sali Berishës nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta konsiderojë luftën e vet të humbur. Ta konsiderojë përpjekjen e tij një kapitull të mbyllur. Në këtë rast, ai duhet të dalë e t’u thotë njerëzve të vet: “Ne e provuam të bënim diçka, por nuk qe e thënë.” Ose t’u thotë: “Tani është momenti të krijojmë një parti të re.” Kjo do të ishte zgjidhja.

Përsëris: ekzistojnë vetëm dy rrugë për të zgjidhur këtë konflikt (ashtu si edhe për çdo konflikt tjetër) në demokraci, të negociosh ose të shkosh në gjykatë. Të gjithë ne, duke përfshirë edhe mbështetësit e Berishës, duhet të jemi të bindur se kjo është zgjidhja e vetme, dhe se ky konflikt merr zgjidhje vetëm në gjykatë, dhe jo nëpër korridoret, zyrat, apo në oborrin e SHQUP-it.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion