"Dokumenti që na paraqiti Irani nuk ishte i mjaftueshëm", tha Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ndërsa fliste me gazetarët në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme. "Çuditërisht, dhjetë minuta pasi anulova udhëtimin e të dërguarve të mi në Pakistan, ata na dërguan një tjetër, më të mirë se ai i mëparshmi", shtoi ai, por pa dhënë informacione rreth përmbajtjes së dokumentit.
Propozimi iranian i ishte përcjellë Pakistanit nga ministri i Jashtëm Abbas Aragchi i cili më pas u nis për takime në Oman dhe Moskë, por gjatë ditës u njoftua një tjetër ndryshim. Ai do të rikthehet në Islamabad përpara se të fluturojë drejt kryeqytetit rus.
Irani "nuk do të hyjë në negociata nën presion, kërcënime ose rrethim", përsëriti sërish sot presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i cili një ditë më parë kishte patur një bisedë të gjatë, afro 50 minuta me kryeministrin pakistanez, pas anullimit të misionit amerikan të udhëhequr nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Përveç Pakistanit që ka marrë rolin e ndërmjetësit dhe Turqia po përpiqet të ketë një rol ndikues në zgjidhjen e situatës. Ministri i jashtëm Hakan Fidan, pati biseda telefonike të veçanta si me të dërguarit amerikanë, ashtu dhe me ministrin e Jashtëm Iranian.
Në situatën e ndezur në Lindjen e mesme, i paqëndrueshëm mbetet dhe armëpushimi mes Libanit dhe Izraelit, që vazhdon të kërcënohet nga shkëmbimet e zjarrit mes dy palëve që akuzojnë njëra tjetrën për thyerje të marrëveshjes.
Lajm në përditësim...

Një nga anijet e “flotës hije” që transporton naftë iraniane është ndaluar në Detin Arabik nga një helikopter i Marinës së Shteteve të Bashkuara. Këtë e bën të ditur Komanda Qendrore amerikane në një postim në rrjetet sociale, duke sqaruar se anija tregtare po zbaton urdhrat ushtarakë amerikanë për t’u kthyer në Iran nën shoqërim.
Sevan është një nga 19 anijet e sanksionuara nga Departamenti i Thesarit i SHBA-ve për transportimin e produkteve energjetike iraniane, naftë dhe gaz, përfshirë propanin dhe butanin, me vlerë miliarda dollarë. Komanda Qendrore ka bërë gjithashtu të ditur se që nga fillimi i bllokadës detare janë zmbrapsur 37 anije.
Situata në jug të Libanit po tensionohet sërish, duke vënë në pikëpyetje armëpushimin mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit lëshuan paralajmërime për evakuim dhe më pas goditën nga ajri objektiva të Hezbollahut. Mediat vendase raportojnë se para sulmeve në fshatin al-Mansouri, u hodhën fletëpalosje ku civilëve iu kërkua të mos hynin në zonë.
Ndërkohë, burime libaneze raportojnë për sulme artilerie ndaj disa zonave në jug, përfshirë fshatin Zawtar al-Sharqiyah.
Nga ana tjetër, Hezbollah njoftoi se ka kryer dy sulme ndaj trupave izraelite në Taybeh, duke i cilësuar si reagim ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Izraeli.
Armëpushimi, i zgjatur së fundmi edhe me tre javë, mbetet në fuqi, por zhvillimet në terren tregojnë se situata është ende shumë e brishtë.
Komente









