Lufta në Iran po hyn në një fazë të zgjatur dhe të rrezikshme, ku asnjëra palë nuk ka arritur epërsi vendimtare, ndërsa plani me 15 pika i SHBA shihet si i papranueshëm për Teheranin dhe i shkëputur nga realiteti në terren. Ky ishte thelbi i analizës në episodin e së enjtes të emisionit “Bota Report” në Report TV, ku u diskutua për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ultimatumin e Donald Trump ndaj Teheranit.
Sipas analistëve, pavarësisht goditjeve të forta ndaj Iranit dhe presionit politik nga SHBA, struktura e shtetit iranian dhe mënyra si funksionon zinxhiri i komandës e bëjnë të vështirë çdo skenar kapitullimi.
“Në javën e 4-të të operacionit Epic Fury në Iran, mendoj se tani po luhet fuqishëm karta diplomatike e uljes në tryezën e bisedimeve me ndërmjetësimin e Turqisë, Pakistanit dhe vende të tjera. Tani për tani, duket se ka prevaluar Pakistani që po luan ndërmjetësin mes 15 kërkesave që SHBA-të do t’i paraqesin Iranit dhe anasjelltas. Me goditjet që ka pësuar dhe dëmi që i është shkaktuar Iranit si dhe goditja e lidershipit politik dhe ushtarak, ka bërë që ata t’i bëjnë llogaritë mirë dhe të shohin mundësinë e uljes në tavolinë. Lufta vazhdon por jo me të njëjtin intensitet dhe sa më shumë të përafrohen palët aq më e dobët do të jetë lufta”, tha gjenerali Dede Prenga.
Megjithatë, sipas pedagogut Sokol Kondi, thelbi i problemit qëndron tek fakti se SHBA po kërkojnë një marrëveshje që presupozon një Iran të kapitulluar, ndërkohë që realiteti është ndryshe.
“Ka pak gjasa që plani të pranohet sepse është bërë qëllimisht maksimalisht, ndoshta me shpresën se Irani është kapitullimit. Në diplomaci shkohet me një plan A, B, C e të tjera për të gjetur rrugën e mesme. Pyetja është si ka mundësi që Irani nuk ka kapitulluar ende? Përgjigja është e qartë, sepse ai sistem politik ripërtërihet. Mund të dekapitosh krerët por dalin koka të reja dhe kështu ripërtërihet zinxhiri komandues. Irani në strategjinë e tij ushtarake ka çështjen e decentralizimit. Edhe sikur të goditet gjeneral apo komanda qendrore, bataljonet dhe celulat e tjera marrin vendime autonome. Kjo luftë e tregoi qartë se Irani nuk e ka bazuar mbrojtjen as tek mbrojtja kundër ajrore apo forca e marinës. Raketat balistike janë forca e Iranit, qoftë ato me rreze të shkurtër, të mesme apo ato me rreze të gjatë, por janë edhe dronët. Këtu SHBA-të po tregohen jo efikase. Pra lufta jo konvencionale nga ajri mund të vazhdojë me muaj të tërë. Nëse shkojmë me muaj të tërë me luftën që po shohim sot, është e pamjaftueshme që Irani të gjunjëzohet e jo më të pranojë paktin me 15 pika. Kjo marrëveshje është e papranueshme për Iranin dhe do të refuzohet. Edhe nëse vazhdojnë bombardimet nuk do të bëjnë më shumë dëm se ç’kanë bërë. Irani po përgjigjet dhëmb më dhëmb. Ky përshkallëzim nuk i shkon për dobi askujt, përkundrazi e shkatërron Lindjen e Mesme”, tha Kondi.
Në këtë kontekst, analistët theksuan se dinamika e konfliktit po zhvendoset gradualisht nga përplasja ushtarake drejt negociatave, por pa një marrëveshje të imponuar.
“Regjimi nuk mund të ndryshojë dhe zgjatja e luftës kjo nuk i leverdis as SHBA-ve, dhe as Iranit por edhe botës, për arsye të krizës ekonomike. Plani prej 15 pikash nuk do të zbatohet i gjithi. Ata mund të bien dakord për 4-5 pika”, tha Prenga.
Ndërsa Kondi e përmblodhi qartë hendekun mes narrativës politike dhe realitetit në terren:
“Jam dakord. Retorika e SHBA ka qenë e vetëshpalljes së një fitore. Puna është se këtë fitore të vetëshpallur, SHBA-të po mundohen ta kapitalizojnë me një marrëveshje që diktohet një vendi të kapitulluar. Problemi është se Irani nuk është i kapitulluar. Pra duhet që kjo marrëveshje të përkojë me realitetin. Nuk mund të vazhdohet me një luftë të pafundme. Nëse vazhdohet kështu mund të zgjasë për muaj të tërë deri sa të bëhet e papërballueshme për të gjithë”, përfundoi ai.
Sipas analistëve, një luftë e gjatë jo vetëm që do të rëndojë situatën në Lindjen e Mesme, por mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe për ekonominë globale dhe sigurinë ndërkombëtare.
Komente











