Konfliktet për projektin e Aeroportit të Vlorës nuk kanë të ndalur. Dhe sipas kompanisë së drejtuar nga Behgjet Pacolli ‘Mabco Construction’, aksioner i shumicës në VIA, shoqëria koncensionare e aeroportit, pjesë e konfliktit është bërë edhe vetë shteti shqiptar.
Përmes një letre dërguar zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, e për dijeni dhe kryeministrit Rama, Mabco ka denoncuar një takim të zhvilluar më 12 janar 2026 në ambientet e kantierit të aeroportit mes përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit të Aviacionit Civil, Albcontrol dhe kompanisë 2A Group sh.p.k të Valon Ademit, ortakut të pakicës në VIA. Mes Mabco-s dhe 2A Group, ka nisur prej muajsh një përplasje e drejtpërdrejtë, e cila ka përfunduar dhe në dyert e Drejtësisë shqiptare.
Takimi, konsiderohet nga Mabco “një akt tejet i rëndë, i paprecedentë dhe thellësisht shqetësues, i udhëhequr nga z. Valon Ademi dhe z. Vegim Hoxha. Këta individë po veprojnë në kundërshtim të hapur me ligjin, këtë herë, siç duket, të mbështetur edhe nga përfaqësuesit e MIE-s dhe institucioneve të tjera shtetërore si Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Albcontrol po ashtu të pranishëm në mbledhje”, shkruhet në letër.
Kompania e Pacollit, ngre si shqetësim, dhe faktin që në takim nuk është lënë të marrë pjesë përfaqësuesi i kompanisë Mabco, Afrim Aziri, konsulent për certifikimin e aeroportit pranë VIA.
“Pasi mori dijeni se takimi lidhej me mbarëvajtjen e VIA-s, z. Afrim Aziri u paraqit në vendngjarje. Aty ishte i pranishëm edhe z. Valon Ademi, administrator dhe ortak i vetëm i “2A Group sh.p.k.” (në vijim “2A Group”). Në bashkëpunim me z. Vegim Hoxha, ata i kërkuan z. Aziri të bisedonin jashtë ambienteve të mbledhjes, ku e njoftuan se ishte i “padëshirueshëm” pasi konsiderohej si “njeri i Mabco-s”. Më pas, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, e kanë penguar atë fizikisht të marrë pjesë në takim”, vijon më tej letra.
Madje sipas tyre, në vendin e takimit është paraqitur Drejtori i Projektit për Mabco, z. Fadil Neziri, i cili gjithashtu nuk është lejuar të marrë pjesë me miratimin dhe të përfaqësuesve të ministrisë
“Pavarësisht se z. Neziri informoi përfaqësuesit e MIE-s për cilësinë e tij dhe posedimin e prokurës së përfaqësimit të Mabco-s, z. Ademi dhe z. Hoxha e larguan atë fizikisht nga vendi i mbledhjes. Kjo ndodhi me miratimin e heshtur dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të MIE-s dhe institucioneve të tjera që ishin të pranishëm. Duke mos ndërhyrë, këta zyrtarë i mohuan Mabco-s të drejtën elementare për t’u informuar mbi një projekt ku ka investuar deri më tani 80 milionë euro si dhe për të koordinuar”, thuhet në letër.
Mabco flet për një qasje të njanshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në gjithë këtë histori.
“Fakti që takimi u zhvillua në zyrat e 2A Group në kantier tregon që në fillim se përfaqësuesit e MIE-s kishin një qëllim të paracaktuar: të komunikonin në mënyrë të njëanshme me ortakun e minorancës (2%), duke përjashtuar qëllimisht dhe në keqbesim ortakun mazhoritar (98%)”, thuhet më tej.
Ndërsa kërkon përsëritjen e mbledhjes, me praninë dhe të përfaqësuesve të saj, si dhe “rivendosjen e marrëdhënieve të drejta dhe transparente në përputhje me ligjin dhe Kontratën e Koncesionit”, Mabco paralajmëron se është “e vendosur të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë (administrativë, civilë dhe penalë) për të mbrojtur investimin e saj dhe interesin publik, pa u zmbrapsur nga asnjë veprim arbitrar”, mbyllet letra.
Nga Ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur asnjë reagim për akuzat e listuara në letrën e kompanisë Mabco. Konflikti mes ortakëve ka nisur prej kohësh për shkak të aksioneve që ata kanë në projektin e aeroportin e Vlorës. Aktualisht pronësia e aeroportit është e ndarë 98% për Behgjet Pacollin dhe 2% për Valon Ademin.
Mirëpo Ademi pretendon se i takojnë më shumë aksione, edhe 47%, pasi ai ka bërë më shumë investime për ndërtimin e aeroportit. Prej këtij konflikti ka nisur edhe procesi gjyqësor mbi këtë projekt, ndërsa prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një hetim. Ndërsa SPAK ka bërë të ditur se po verifikon procedurat e koncensionit.


Pjesë nga letra e Mabco Construction për Ballukun
Komente










Spiuni i Putinit ankohet se nuk po e lejojne ti japi aeroportin e Vlores Rusise.
Përgjigju