TIRANE - Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka “shpërblyer” sot shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshin, për mbrojtjen publike që i bëri disa muaj më parë gjatë konfliktit mes tij dhe ish-Presidentit Topi mbi emërimin e komandantit të Flotës Detare.

Me propozim të ministrit Imami, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi sot një sërë emërimesh në pozicione të larta të Ushtrisë shqiptare, mes të cilave edhe ai i Komandantit të Flotës Detare. Pikërisht për këtë pozicion, në fillim të prillit të këtij viti pati edhe një konflikt juridik mes ministrit Imami dhe atëherë Kreut të Shtetit, Bamir Topi. Ky i fundit akuzoi Imamin se kishte urdhëruar emërimin e Kapitenit të Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpanit, si Komandant të Flotës Detare pa marrë dekretimin presidencial. Për këtë, Topi i dërgoi zyrtarisht edhe një kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes ku kërkonte shpjegime për gjestin jo të zakonshëm.

Në betejën juridike mes Topit dhe Imamit hyri edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral Xhemal Gjunkshi, i cili përmes një interviste në Zërin e Amerikës, mbrojti ministrin e Mbrojtjes, duke deklaruar se dekretimi i Presidentit të Republikës nevojitej vetëm për gradën e gjeneralit, të cilën Kapiten Kreshpani nuk e kishte, ndërsa deri në gradën e kolonelit mjaftonte emërimi i thjeshtë i ministrit të Mbrojtjes.

“Eshtë ligji për të drejtën e komandimit, i cili deri në gradën kolonel i jep të drejtën ministrit të Mbrojtjes për të bërë emërimin, në detyrën e Komandantit të Forcës detare. Sot, kjo forcë nuk ka aktualisht një gjeneral. Në momentin që të ketë gjeneral, atëherë detyrimisht edhe kjo do të kalojë për të ndjekur procedurat", tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë intervistës.

Por pas kërcënimit të ish-Presidentit Topi se do ta çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, Ministria e Mbrojtjes u tërhoq. Më 6 prill, dikasteri i drejtuar nga Arben Imami iu përgjigj kërkesës zyrtare për shpjegime dërguar nga Presidenca, ku njoftonte se kishte hequr dorë nga emërimi i Kreshpanit dhe se Flota Detare do të drejtohej përkohësisht nga zv/komandanti i saj.

Sot Presidenti Nishani emëroi në këtë pozicion gjeneral brigade Qemal Demçe Shkurtin, që deri sot mbante detyrën e Shefit të Kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi. Me sa duket, ministri Imami ka dashur të falënderojë gjeneral Gjunkshin për mbrojtjen publike të pak muajve më parë, duke vendosur në krye të Flotës Detare një nga njerëzit e tij më të afërt, shefin e Kabinetit. Dhe, natyrisht, Presidenti Nishani e ka aprovuar.

(im/shqiptarja.com)