TIRANE - “Jemi të vendosur greva do të shkojë deri në vetëflijim”, - këto kanë qenë fjalët e njërës prej 11 banoreve, që prej të enjtes pasdite janë në grevë urie në shenjë revolte ndaj autoriteteve për të gjetur një zgjidhje. Banorët jetonin në një pallat 3- katësh në rrugën "Margarita Tutulani" pranë shkollës "Petro Nini" në Tiranë por prej disa ditësh ata janë nxjerrë me dhunë nga Përbarimi i cili duke zbatuar një vendim gjykate i kthen banesën pronarit.

Rreth orës 17:40 të pasdites së sotme në vendin ku banorët po zhvillojnë grevën nuk ka polici, as bluza të bardha për të kontrolluar gjëndjen shëndetësore të banorëve, që nuk paraqitet e mirë.

“Këto s’kanë qenë momente të lehta si nga gjendja emocionale ashtu edhe shëndetësorë, dy prej nesh janë në gjendje të rëndë, por jemi të vendosur ta çojmë grevën deri në vetëflijim”- thotë njëra prej grevisteve për gazetaren e TV A1REPORT! Genta Haxhiu.


Konflikti nisi më 23 prill kur Përmbaruesit me ndihmën e policisë private dhe policisë së shtetit shkuan për të ekzekutuar urdhërvendimin e gjykatës për lirimin e banesave. Situata degjeneroi me përleshje mes policisë dhe banorëve, madje një polic privat qëlloi dhe me pistoletë manovër, duke përhapur panik pasi mes njerëzve që ndodheshin në katin e parë të godinës.  48 orë më pas banorët nisën grevën e urisë duke kërkuar rihapjen e çështjes gjyqësore për shtëpitë e tyre, ose strehim në një banesë tjetër.

Gjendja paraqitet e mjerueshme në oborrin prapa godinës, dhe banorët kanë lëshuar thirrje organeve deri tek ambasadat e huaja për një zgjidhje pasi nuk kanë asnjë shpresë.

Dje pranë tyre ka qenë edhe Kryetari Basha për të negociuar rreth një zgjidhjeje, por deri tani banorët nuk kanë pranuar asnjë alternativë.

(ad.ti/shqiptarja.com)