Konflikti i pronësisë mes dy fqinjëve ka sjellë prangosjen e një prej tyre pasi iu gjetën armë pa leje dhe municione.

Burime zyrtare nga polica bëjnë me dije se në pranga është vënë 32-vjeçari Ardian Spahi, banues në fshatin Vërdovë të Pogradecit, pasi dyshohet se do qëllonte fqinjin me armë.

Spahiu u kap në flagrancë me nje pushkë model 63, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 150 copë fishekë model 56 dhe një armë gjahu turke.

Arrestimi i 32-vjeçarit u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se ai posedonte armë zjarri në banesë dhe dyshohet se mund të qëllonte shtetasin me inicialet Y.XH., banues në Vërdovë-Pogradec, me të cilin ka konflikt për motive pronësie, shtojnë të njëjtat burime.

Materialet në ngarkim të Spahit i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale: "Prodhim, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake" dhe "Mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë".

pushke
(Armët dhe municionet e sekuestruara)

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)