Kongresi i PS/ Delegatët votuan për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votuan për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Foto nga votimet në Kongresin e PS

TIRANË- Partia Socialiste mblodhi sot (28 korrik 20024)  Kongresin Zgjedhor,  organin më të lartë vendimmarrës për të përmbyllur kështu procesin e rienegjizimit të partisë. 1330 delegatët e PS votuan për të zgjedhur Asamblenë e re. Asambleja e PS ka rreth 350 anëtarë, por Kongresi do të zgjedhë vetëm 156 prej tyre, pasi anëtarët e tjerë zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që mbajnë në nivel qendror dhe atë lokal. Ndërkohë pritet të mësohen emrat e rinj të përbërjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së që do të zgjedhin Kryesinë e ardhshme të partisë dhe listën e deputetëve për zgjedhjet e 2025.

Punimet në Kongresin e PS

Kongresi i nisi punimet në orën 11:00 me ardhjen e kryesocialistit Edi Rama. I vetëm me një dosje në dorë teksa futej në Pallatin e Kongreseve, Rama zgjodhi të ulet krah Lindita Nikollës e Gramoz Ruçit. Socialistët shprehen të bindur për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, por tashmë kërkojnë një skuadër të re kombëtare. Helena Kaçe, një 19-vjeçare nga Akademia Politike, hapi punimet e Kongresit me fjalimin e saj, si një simbol i gjeneratës së re të socialistëve.

Pjesa e parë e Kongresit iu dedikua mirëqeverisjes, ministra të kabinetit “Rama 3” paraqitën arritjet e deritanishme, dhe kërkuan mbështetjen për ta kthyer vendin në 'kampion' në shumë drejtime. Ministrat socialistë rreshtuan në Kongres arritjet dhe synimet në aspektin ekonomik nga infrastruktura, turizmi, bujqësia e tek pensionet e treguesit ekonomik. 

"Në 'Shqipërinë 2030’ nuk do ketë pensione nën 150 euro. Reforma e re e pensioneve do të marrë rrugë viti e ardhshëm e frytet do të shihen në 2- 3 vitet e ardhshme", tha Blendi Gonxhe.

"Na duhet mandati i katërt për ta bërë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan”, tha Mirela Kumbaro.

"Janë më shumë se  260 agroturizma sot, por ne synojmë 1000 agroturizma në 2030", tha Anila Denaj. 

Pjesa tjetër u fokusua tek lufta antikorrupsion dhe ambicia e qeverisë për integrimin e Shqipërisë në BE brenda 2030, si edhe fjalimi i kryesocialistit Edi Rama që zgjati rreth 1 orë e 15 minuta. 

‘Deputeti që Duam’

Me synimin për të sjellë figura të reja, PS prezantoi edhe platformën ‘Deputeti që Duam’, përmes së cilës do të përzgjidhen edhe kandidatë për deputetë në garën për zgjedhjet 2025. Platforma u prezantua nga ministrja Bora Muzhaqi.  

Risia e kësaj platforme për këto zgjedhje është mundësia që u jepet kandidatëve të vendosin theksin tek një temë që e kanë për zemër, e cila mund të jetë një çështje që kandidati mendon se PS nuk e ka trajtuar sa dhe si duhet. Kandidatët gjithashtu do të kenë kohë për t’u angazhuar edhe në terren dhe në rrjetet sociale për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete gjatë këtij procesi.

34 mijë anëtarë të rinj në PS

Procesi i rienergjizimit të PS u mbyll me 34 mijë anëtarësime të reja. Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi tha se numri total shkon në rreth 100 mijë anëtarësime aktive në PS. 12 mijë ishin të rinj dhe 15 mijë femra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’, ministrja Muzhaqi: Aplikantët do angazhohen në terren

Partia Socialiste ka prezantuar në Kongres platformën ‘Deputeti që Duam’. Prezantimi i platformës u bë nga ministrja Bora Muzhaqi, një figurë e zgjedhur jo rastësisht për të lançuar këtë nisëm, pasi vetë Muzhaqi është zgjedhur nga një platformë e tillë për të kandiduar si deputete në zgjedhjet parlamentare 2021, ndërsa sot mban postin e ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Platforma ‘Deputeti që Duam’ do jetë e hapur duke nisur nga sot, për profesionistët, gratë, diasporën, rininë. Muzhaqi, e cila do të jetë edhe përgjegjëse për këtë platformë, tregoi edhe mënyrën e aplikimit.

“Aplikimi është i thjeshtë, platforma ‘deputeti që duam.al’ hapet sot dhe mbetet e hapur. Një formular i thjeshtë, jetëshkrimi juaj, dy letra reference dhe video e shkurtër e realizuar nga kandidati. Një risi këtë vit është se do u jepet mundësi aplikantëve të vendosin theksin te një temë që e kanë përzemër, mund të jetë një çështje që mendon se PS nuk e trajtuar mjaftueshëm apo si duhet. Do u jepet koha dhe mundësia të angazhohen në terren dhe rrjete sociale për të treguara aftësitë e tyre”, tha Muzhqi.

Risia e kësaj platforme për këto zgjedhje është mundësia që u jepet kandidatëve të vendosin theksin tek një temë që e kanë për zemër, e cila mund të jetë një çështje që kandidati mendon se PS nuk e ka trajtuar sa dhe si duhet. Kandidatët gjithashtu do të kenë kohë për t’u angazhuar edhe në terren dhe në rrjetet sociale për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete gjatë këtij procesi.

Një tjetër risi e kësaj platforme është edhe opsioni konfidencial i cili i lejon mundësinë e aplikimit të gjithë atyre që janë të angazhuar në organizata ndërkombëtare apo kanë angazhime të larta në sektorin privat në Shqipëri apo jashtë vendit. Ky opsion u jep atyre kohë për të pjekur mendimin e angazhimit publik duke testuar seriozitetin e kësaj platforme.

Aplikimi është fare i thjeshtë përmes faqes deputetiqeduam.al dhe përmban një formular të thjeshtë, jetëshkrimin e kandidatit, dy letra reference nga dy mbështetës të kandidatit dhe një video e shkurtër e regjistruar nga vetë kandidati.

Muzhaqi theksoi se “shumë prej atyre që i duhen Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030, e dyshojnë angazhimin partiak, mendojnë se politika është vetëm për politikanët që gabimisht besohet se janë të gjithë njësoj”. Megjithatë, ajo shprehu bindjen se “mund t’ia dalësh dhe se asgjë nuk është më e fortë sesa qëllimet e pastra dhe e vërteta e punëve të mira” dhe kjo është fuqia që motivon platformën "Deputeti që Duam".

Muzhaqi ftoi të gjithë profesionistët e çdo fushe që janë të bindur se mund të japin më shumë ekspertizë për ligjshmërinë, ekonominë, financat, bujqësinë, mjekësinë, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe që besojnë se mund të ndikojnë në forcimin e rendit ligjor, në rritjen ekonomike, drejtësinë sociale dhe zhvillimin teknologjik, të aplikojnë te "Deputeti që Duam" dhe të japin kontributin e tyre për Shqipërinë 2030.

Ora 13:00
Xhafaj mbështet Ramën: Të lëmë mënjanë rivalitetin, na duhen njerëz të rinj në parti! Projektin çoje para me çdo çmim

1722162939_fatmirxhafaj.jpg

Foto: Fatmir Xhafaj

Deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj, një nga të vjetrit e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetari i komisionit të 'Antikorrupsionit' përkrah idenë e kryeministrit Edi Rama për rienergjizimin e partisë me elementë të rinj.

Madje në fjalën e tij Xhafaj tha se socialistët duhet të largohen nga kurthi i rivalitetit mes njëri tjetrit, mërive apo qejfmbetjeve. 

"Sfidat që kemi përpara janë të mëdha e të vështira. Përballja me to ka domosdoshmëri rienergjizimin tonë, duke iu larguar kurthit të rivaliteteve të krijuara nga ambiciet personale. Uni kush është kush, apo mërive apo qejfmbetjeve të reja apo të vjetra qofshnin.

Kërkohet vullnet vendosmëri, dhe kryesorja njerëz me integritet të përkushtuar jo vetëm për karrierën por për shërbimin  ndaj shtetit.

Është shumë e mirë procesi i nisur me këtë kongres për një harmonizim më të mirë të gjeneratave brenda nesh duke krijuar më shumë mundësi përfshirje të rinjve socialistë, njerëz me energji të reja, individë me integritet me dëshirën për punë.

Besoj fort se ky është një tjetër projekt madhor që garanton qëndrueshmërinë e të ardhmes së familjes tonë politike. Ndaj e mbështes fort kryetarin Rama duke dëshiruar që këtë projekt ta cojë me çdo çmim përpara duke I dhënë hapësirë më të madhe e më të fortë gjeneratës së re në parti, qeveri, legjislativ e qeverisjes vendore. Nuk ka kohë për pushim, por vetëm për vazhdimin me ritme të reja në udhëtimin tonë reformues. Nuk ka kohë për të kthyer kokën pas por për të ecur para në Shqipërinë e 2030."

Ora 12:45
Blendi Klosi në Kongresin e PS: Mirëpritëm 34 mijë anëtarë të rinj

 

Sekretari i PS, Blendi Klosi në Kongresin e PS bëri një panoramë të procesit të rienegjzimit të partisë. Klosi tha në fjalën e tij se janë anëtarësuar 34 mijë anëtarë të rinj, duke e çuar numrin e anëtarësimit në PS në rreth 100 mijë.

Klosi tha se fokus ka qenë anëtarësimi i figurave të reja, si edhe anëtarësimi i vajzave dhe grave.

“34 mijë anëtarë të rinj, duke çuar anëtarësimin aktiv mbi 100 mijë. Mes anëtarëve, ishim 12 mijë të rinj dhe 15 mijë femra. Kjo fazë në lejoi të pastronim bazën tonë të të dhënave nga anëtarësimet fiktive,. Krijuam një lidhje reale mes organizatës së PS dhe qendrës së votimit. 43% e delegatëve janë shoqe, 15% delegatë janë nën moshën deri 30 vjeç duke siguruar energji të mirë për partinë tonë. Mbi 700 delegatë zgjidhen për herë të parë duke theksuar angazhimin tonë për të sjellë zëra të rinj”, tha Klosi.

Siguruam që votat e emigrantëve të jetë një realitet politik. Kongresi ka një mision historik që të sjellë mandatin e katërt të PS. Ky numër i madh anëtarësimesh, kaq shumë mbështetje për vizionin politik Shqipëria 2030, na kërkojnë të marrim vendimi për vazhdimin e procesit të riengjizimit, hapjen, përgatitjen e partisë sonë jo vetëm që të fitojë zgjedhjet e radhës, por të jetë platformë që mbështet vizionin e Ramës Shqipëria 2030.

Ora 12:30
Kongresi i PS, Spiropali: Shumë kanë hamendësuar se kush ikën e kush vjen! Betejën se kemi me ata që janë për faqe të zezë, nuk qeverisin dot as veten në opozitë

 

Një çast reflektimi për punën që është bërë dhe se çfarë duhet bërë më mirë në PS. Kështu e ka quajtur ministrja Elisa Spiropali Kongresin e PS.

Në fjalën e saj, Spiropali tha se shumë kanë hamendësuar se çfarë do të ndodhë sot, kush ikën e kush vjen, referuar edhe informacione që kanë qarkulluar se priten ndryshime në qeveri.

Spiropali tha se PS duhet të ribëjë vetveten, ndërsa shigjetoi edhe opozitën duke thënë se betejën nuk e kanë me ata që janë për faqe të zezë, që nuk qeverisin dot veten në opozitë, e jo më vendin.

Ky kongres është një çast reflektimi për të parë se ku kemi qenë, për të vlerësuar se çfarë kemi bërë dhe për të vendosur se çfarë do të bëjmë edhe më mirë nesër. Të bekuar nga besimi i publiku dhe të detyruar prej tij të vazhdojmë të jemi ende e vetmja alternativë që duhet të bëjmë edhe më shumë se sa dimë deri tani. Miq e kundërshtarë, ind e të tjerë kanë pritshmëri të jashtëzakonshme për atë që do ndodhë sot, të bindur se vendimet që do marrin ndikojnë e reflektojnë në jetën e gjithë vendit. Kjo dëshmon jo vetëm rëndësinë e PS si forcë e vetme qeverisëse, por edhe peshën e përgjegjësisë që PS ka dhe aftësinë e saj ripërtëritjes.

Shumë horoskop kanë hamendësuar se çfarë do të ndodhë sot, kush ikën e kush vjen, ka shumë dilema nëse do notojmë në të njëjtat ujëra apo do ndryshojmë do mbetemi robër të kënaqësisë apo do ofrojmë zgjidhje të reja drejt stacionit të afërt të zgjedhjeve të përgjithshme. Unë besoj se është edhe më shumë se kaq, ky është momenti i ripërtëritjes së një force, që rishpik vetveten kur koha dhe sfidat e kohës kërkojnë rishpikjen e saj.

Duke qenë 3 mandate rresht, PS ka qenë opozita më serioze dhe më e ashpër e vetvetes në një proces ripërtëritje dhe përshtatje me sfidat më të komplikuara të kohës. Ne kemi krijuar pakënaqësi ndaj vetes, gara jonë nuk është me ata që kemi përballë qe janë për faqe të zezë, por me pritshmëritë e qytetarëve. PS duhet të ribëjë veten.

Kundërshtarët janë të paaftë të qeverisin veten në opozitë, jo më vendin. Për këtë shkak dhe këtë kalendar domethënës suksesesh që ka prodhuar qeverisja jonë duket se kemi çdo arsye të jemi me kokën lart për çfarë kemi bërë.

Ora 12:26
Kongresi PS/ Xhafaj: Qëndrimi i Ramës për 'përgjegjësi individuale ndaj drejtësisë' i duhuri! Reforma 'antikorrupsion’ nuk cënon institucionet e drejtësisë

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin Fatmir Xhafaj u shpreh sot se reforma e re për antikorrupsionin e mirëqeverisjen nuk cënon asgjë nga Reforma në Drejtësi.

Në fjalën e tij në Kongresin e PS-së, Xhafaj bëri një rezyme të gjithë rrugëtimit të reformës në drejtësi duke nënvizuar se ishte PS që këmbënguli dhe solli këtu ku është sot reforma, ndërkohë PD e Sali Berishës nuk e kanë dashur dhe vijojnë të mos e duan. 

“Por as Shqipëria as drejtësia nuk është më pjesë e asaj kënete që është katandisur në një batak privat ku llokociten vetë ata. Këta jemi ne PS, e njerëzve që duan shtet e drejtësi. Ne ishim jemi dhe do të mbetemi të vendosur për të shndërruar këtë vend në një rrugë ku drejtësia është thelbësore, e ku e kemi ditur pikërisht pse kjo e jona është e vërtetë edhe goditjet e drejtësisë do të ishin të vërteta pa bërë skonto politike as për vetë ne, madje mbase mbi të gjithë për vetë ne. 10 vjet më parë të shkoje të dëshmoje me kostum politik ishte e pamendueshme, ndërsa 10 vjet më pas të mos shkosh është bërë e paimagjinueshme. Ky është shembull për të treguar fuqinë.

Xhafaj mbështeti dhe Ramën në qëndrimin e tij se para drejtësisë askush nuk duhet të ketë mburojë politike pasi secili ka përgjegjësi individuale

Prandaj qëndrimi i shpallur nga kryetari Edi Rama për përgjegjësinë individuale të drejtësisë, është i duhuri, i drejtë dhe i përgjegjshëm.  Ndërkohë u ndal dhe tek projekti i ri i komisionit “antikorrupsion e mirëqeverisje’ që ai e drejton.

Sqaroi dhe projektin e reformës së institucineve për të cilën është ngritur Komisioni Antikorrupsion që Xhafaj e drejton

"Në frymën e reformës në drejtësi po vijojmë me një tjetër projekt madhor për sundimin e ligjit ‘antikorrupsionin e mirëqeverisjen’. Edhe ky projekt që ka marrë dakordësinë e plotë të aleatëve tanë strategjik ka vetëm një qëllim si të mbështesim modernizimin e shtetit në një sërë hallkash që lidhen me mirëqeverisjen e sundimin e ligjit e si të konsolidojmë edhe më tej sistemin e ri të drejtësisë  në trasenë kushtetuese në të cilën është ngritur. Kemi shtruar rrugën për një reform të thellë që synon të adresojë tre sfida kyce: Mirëqeverisjen, antikorrupsionin e sundimin e ligjit. Do të realizohet me proces transparent dhe me standard! Do të angazhohen 60 – 70 ekspertë  vendas e ndërkombëtarë të pavarur, me mbështetjen e mbi 100 ekspertëve të angazhuar nga institucionet e pavarura të administratës publike, e debate publike. Na takoi sërish ne ta bëjmë këtë betejë.”

Kryetari i komisionit 'antikorrupsion' nënvizoi edhe një herë se reforma nuk ka të bëjë me dobësimin e institucioneve të drejtësisë dhe shtriu dorën drejt opozitës për të bashkëpunuar

“Na takon ne të shtrijmë dorës ndaj kundërshtarëve edhe pse ata mbajnë mbi të topin e baltës mbi ne. Reforma e re nuk cënon asgjë nga reforma në drejtësi dhe kushdo që e shpërndan këtë tymnajë është i friguar nga të dyja. Nëse për reformën në drejtësi institucionet e drejtësisë ishin objekt reformimi, me reformën e re institucionet e reja të drejtësisë janë partnere në respect të plotë të ndarjes dhe balancës ndërmjet pushteve”

Ora 12:08
Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale

 

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsinin Adea Pirdeni në Kongresin e PS tha se javën që lamë pas është hedhur për konsultim publik strategjia e re të antikorrupsionit. Pideni tha se objektiv i qeverisë shqiptare është një Shqipëri më transparente dhe që lufton korrupsionin në çdo qelizë.

Pirdeni u ndal edhe në krijimin e operatorit të shërbimeve të prokurimit, që ka mundësuar që në asnjë ministri të mos bëhen më tender, ndërsa drejti finalizimit është edhe procesi i prokurimeve publike me inteligjencë artificiale.

"Sot, 3.1 mln të regjistruar në e-Albania përfitojnë 1240 shërbime publike online. Krahas transformimit digjital, u punua për forcimin e skuadrës së administratës publike. Në 10 vite kemi bërë përparim, më pas përmes fuqisë së digjitalizimit u vijuar me lehtësimin e aplikimeve për çdo pozicion pune me vetëm një klikim. Punonjësit e administratës janë përfitues e reformës së pagave.

Fokusi ynë është zhvillimi i kësaj baze, përmes promovimit të më të mirëve në sektorin publik. Ne do të optimizojmë kapitalin njerëzor drejt sektorëve më jetikë për zhvillimin e vendeve. Krijimi i operatorit të shërbimeve të prokurimit, që ka mundësuar që në asnjë ministri të mos bëhen më tender. Kjo ndërhyrje shmang titullarët dhe stafet teknike të ministrive në organizmin e tenderëve. Me përfundimin e inovacionit me të ri në prokurimet publike, me inteligjencën artificiale, prokurimet publike do futen në një fazë të re të transparencës.

Nisëm raundin e gjerë konsultimesh për strategjinë e re të antikorrupsionit, me fokus goditjen e tij aty ku ndikon më thellë", tha Pirdeni. 

Ora 11:47
Kongresi i PS, Dhuka: Qëllim anëtarësimi në BE brenda 2030, të thellojmë progresin e reformës në drejtësi dhe luftën antikorrupsion

 

Kryenegociatorja Majlinda Dhuka foli në Kongresin e PS mbi aspiratat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në fjalën e saj, Dhuka tha se objektivi madhor i qeverisë shqiptare është anëtarësimi i vendit në BE brenda vitit 2030.

Dhuka tha se qëllimi është përmbushja e kushteve me qëllim që në 2030 Shqipëria të ulet e barabartë në tryezën e BE, ndërsa u ndal edhe në disa pika ku duhet punuar më shumë, si progresi i reformës në drejtësi, modernizmi i qeverisjes, transformimi i administratës publike dhe lufta antikorrupsion.  

“Anëtarësimi në BE është objektivi madhor i Shqipërisë aspirata më e madhe e shqiptarëve. Në Shqipëri anëtarësimi në BE ka mbështetjen më të lartë në të gjitha vendet e rajonit, jo se shqiptarët janë naivë dhe presin një lendinë të shtruar me lule pas integrimit në BE, por historia e jetuar nën pushtim, na mësoi me askënd tjetër, përveçse me familjen europiane e ardhmja jonë nuk mund të jetë e sigurt. Qëllimi ynë është i shpallur, përmbushim kushtet për anëtarësimin dhe Shqipëria në 2030 të ulet si e barabartë në tryezën e BE. Qeveria po punon për këtë qëllim, PS është krijuar si një sfidë historike dhe do ia dalë kësaj sfide të madhe historike. Shqipëria i çeli negociatat mbi bazë merite, përtej retorikave të konfliktet të brendshëm politik dhe falë reformave.

157 institucione u përfshinë në këtë punë kolosale. Mirënjohëse ekipit të negociatave. 32 institucione dhe rreth 1800 zyrtarë publikë janë angazhuar me palën europiane përmes shqyrtimit të imët të trupi të ligjeve të be dhe përgatitjen e masave që duhet të marrë Shqipëria për përmbushjen e kritereve teknike për anëtarësimin brenda 2030.

Të thellojmë progresin e reformës në drejtësi, të sigurojmë pathyeshmërinë e saj, të thellojmë modernizmin e qeverisjes dhe transformimin e administratës publike. Së treti nevojitet të thellojmë luftën antikorrupsion, duhet të dinamizojmë reformat ekonomike, të përmirësojmë klimën e biznesin, rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe inovacion”, tha Dhuka.

Ora 11:36
Ministrat prezantojnë arritjet e objektivat: Na duhet mandati i katërt! Duam të bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit! Reformë pensioneve, në 2030 asnjë pension nën 150 euro 

Të bindur për mandatin e katërt, ministrat socialist rreshtuan në Kongres arritjet dhe synim në aspektin ekonomik nga infrastruktura, turizmi, bujqësia e tek pensionet e treguesit ekonomik.  

Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja, njoftoi se nga viti i ardhshëm do të prezantohet reforma e re e pensioneve.

"Në 'Shqipërinë 2030’ nuk do ketë pensione nën 150 euro. Reforma e re e pensioneve do të marrë rrugë viti e ardhshëm e frytet do të shihen në 2- 3 vitet e ardhshme. Do të marrë fund praktika e çuarjes së pensioneve me zarfe në shtëpi. Po i japim jetë projektit të arsimit profesional," tha Gonxhe. 

Rritja ekonomike, e punësimit, ulja e borxhit e shtimi i investimeve, kanë krijuar kushtet për objektiva më të mëdha për mandatin e ardhshëm me një platformë dedikuar arsimit profesional.

Hapa këto drejt ‘Shqipërisë kampione e turizmit’, tha ministrja Mirela Kumbaro duke e vënë theksin tek cilësia e lartë e turisti elitar.

“Kemi 17 brande ndërkombëtare dhe do të vijojnë të shtohen. Ka ende shumë punë, do kemi komunikim me bizneset edhe për çmimet. Na duhet mandati i katërt për ta bërë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan”, tha Kumbaro.

Suksesi i turizmit, shprehet Kumbaro është i mbështetur nga fuqizimi i bujqësisë, për këtë arsye ministrja Anila Denaj, foli me shifra për objektivat e 2030-ës.

“Janë më shumë se  260 agroturizma sot, por ne synojmë 1000 agroturizma  në 2030 të një cilësie fantastike ndërkombëtarësh të njohur , ku absolutisht punësimi i të rinjve, të rejave  dhe të gjithë zonave rurale do të jetë një fakt”, u shpreh Denaj.

Brenda kësaj dekade, aksesi dhe infrastruktura e vendit do të jetë transformuar, shprehet Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa thotë se brenda 2030 do kenë përfunduar korridori Blu dhe 8, që do të lidhin Shqipërinë jo vetëm brenda por edhe jashtë saj. Por do të ketë edhe një rrjet hekurudhorë të kompletuar, dhe katër aeroporte funksionale, si edhe porte turistike, e një port të ri tregtar gara e të cilit hapet së shpejti. Ndërsa në aspektin energjetik, ‘Shqipëria eksportuese neto’, është objektivit i 2030-ës.

Ora 11:10
Kongresi i PS, Rama mbërrin i vetëm me dosje në dorë

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, aty ku do mbahen punimet e Kongresit të PS.

Rama ishte i vetëm ndërsa në duar mbante edhe një dosje.

Në hyrje të Pallatit të Kongreseve u prit nga sekretari i përgjithshëm, Blendi Klosi.

Ora 10:50
Dha dorëheqjen si kryetare e Kuvendit, Nikolla në Kongresin e PS! ‘Shmang’ mediat

Pasi dha dorëheqjen si kryetare e Kuvendit, Lindita Nikolla ka mbërritur në punimet e Kongresit të PS.

Nikolla është përpjekur të ‘shmangë’ mediat, ndërsa është parë teksa futet në Pallatin e Kongreseve përmes turmës.

Në përfundim të sesionit të gjashtë të legjislaturës X-të të Kuvendit, kryeparlamentarja njoftoi para deputetëve largimin e saj për arsye shëndetësore.

Ora 10:40
Ministrat mbërrijnë në Kongresin e PS

 

Partia Socialiste mbledh sot Kongresin, organin më të lartë vendimmarrës në parti. Ministrat e kabinetit qeveritar kanë mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku punimet pritet të nisin rreth orës 11:00.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e delegatëve janë mbledhur me herët dhe po kryejnë procesin e verifikimit.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë