Kongresmeni amerikan Eliot Engel ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare një ditë më parë. Presidenti Bajram Begaj përmes një postimi në rrjete sociale shpreh mirënjohje për Engel duke theksuar mbështetjen e tij për Kosovën dhe Shqipërinë veçanërisht në momentet më të vështira.

“Sot mësova se u nda nga jeta Eliot Engel, një mik i madh i shqiptarëve dhe një derë gjithmonë e hapur për ta. Me mirënjohje të thellë, falënderojmë për gjithçka që bëri për Kosovën dhe për kombin shqiptar, veçanërisht në momentet më të vështira të historisë sonë.

Emri i tij do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe në zemrat e shqiptarëve, si një nga miqtë tanë më të vyer, që qëndroi pranë nesh me përkushtim dhe guxim. U prehsh në paqe!”, shkruan Begaj në X.

Engel njihej si një mbështetës i fortë i çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për angazhimin e tij në mbrojtje të Kosovës gjatë viteve të luftës me Serbinë.

Engel përfaqësoi shtetin e New York-ut në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA për më shumë se tre dekada, nga viti 1989 deri në vitin 2021, duke qenë një nga figurat më të njohura të politikës amerikane.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:45
Ndarja nga jeta e kongresmenit amerikan Eliot Engel, Meta: Nuk mund t'ja shlyejmë kontributin që ka dhënë për ne

Foto: Eliot Engel dhe Ilir Meta

Ish presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kongresmenit amerikan Eliot Engel. Përmes një postimi në rrjetet sociale Meta thotë se kombi ynë nuk mund t'ja shlyejë dot kontributin e paçmuar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si edhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA

Njoftimi i plotë:

Me hidhërimin më të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të papërsëritshëm të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, ish-Kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel.

Ne kurrë nuk mundëm dhe nuk mund t'ja shlyejmë kontributin e paçmuar, si rrallë tjetër, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për njohjen e Kosovës nga shumë shtete ku ai u angazhua personalisht, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si edhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA, por dhe atyre shqiptaro-amerikane në përgjithësi.

Kjo nuk është vetëm një humbje e rëndësishme, por një mungesë që do ta ndjejmë përgjithmonë.

Eliot Engel ishte nga ata amerikanë, që jo vetëm bënte atë që thoshte por madje shumë më tepër dhe gjithmonë me modesti. Ndaj kjo e bënte shumë të respektueshëm madje dhe nga kundërshtarët e tij.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit të dashur shqiptaro-amerikan, që e mbështetën aq shumë dhe zëri i të cilëve ai u bë edhe në Kongres.

Të prehet në paqen e merituar!