SARANDE - Konflikti i pronësisë çon në reanimacion një çift të moshuarish nga Konispoli. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së premtes në skajin më jugor të vendit, në rrethin e Sarandës, ku një i ri, ka dhunuar në mënyrë shtazarake, një çift pleqsh, për një konflikt pronësie.

Ngjarja tronditëse ka pasur si dëshmitarë banorët e qytetit para godinës së bashkisë. Bashkëshortët Shaban e Myrvjete Nurka, respektivisht 86 e 78 vjeç, janë dhunuar barbarisht me mjete të forta duke pësuar fraktura në trup nga Altin Dalani, i biri i ish-pronarit të banesës ku jeton çifti Nurka, Remzi Dalani, sot banor i Tiranës.

Dhuna ishte aq makabre saqë banorë të lagjes që kanë ndjekur këtë episod çnjerëzor informuan forcat policore për ndihmë. Në Konispol mbërriti menjëherë autoambulanca për të dhënë ndihmën e shpejtë të dhunuarve të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, ndërsa Policia shkoi me vonesë.

Edhe pse lëngonte nga dhimbjet 78-vjeçarja Myrvjete Nurka ka përcjellë për TV A1Report përmes linjës telefonike gjithë shqetësimet vit pas viti të fisit Dalani kundrejt familjes së saj. Ajo ka treguar edhe se si e ka blerë shtëpinë ndërsa respekton ligjin.

Mirel Idrizi, nipi i të moshuarve Nurka, i trondituar, bëri apel që konflikti të zgjidhet përmes ligjit. Idrizi, ka kritikuar ashpër Policinë e Sarandës e cila, sipas tij, në mënyrë të qëllimshme është paraqitur me vonesë në vendngjarje pasi elementë të saj kanë lidhje biznesi me familjen Dalani.

Familja Nurka, që nga viti 1960 jeton në një banesë në Konispol të cilën e ka blerë nga shteti. Sipas tyre banesa është e hipotekuar në emër të tyre.