Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur ditën e sotme nga Haga, lidhur me aktakuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për të cilët Prokuroria Speciale ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin.
Përmes një deklarate për mediat, Konjufca shprehet se akuzat e ngritura në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë për qëllim përbaltjen e luftës së Kosovës për liri e Pavarësi.
Po ashtu ai ka thënë se në Hagë po tentohet të barazohet lufta e UÇK-së me krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit.
“Dita e Pavarësisë, që është dita më e shënuar e Kosovës, sepse është ditëlindja e saj. Këtu e 18 vite më parë u shpall ajo, por për të ardhur deri aty duhet të themi njëzëri se lufta e popullit tonë, para së gjithave iu përkulemi dëshmorëve që dhanë jetën, por edhe këta që janë gjallë dhe që në momentet vendimtare kapën armët dhe e drejtuan UÇK-në janë kontribues të mëdhenj.
Prandaj indinjata dhe pakënaqësia ka qenë e madhe, sepse ne kur po prisnim që bashkësia ndërkombëtare ta krijonte një gjykatë, kur vërtetë në mënyrë serioze do të trajtoheshin ato dhjetëra mijëra vrasje si pjesë e gjenocidit që i ka bërë Serbia mbi popullin e Kosovës, na doli një raport për trafikim të organeve që çoi deri në krijimin e një gjykate, ku në shënjestër ishin drejtuesit e UÇK-së. Kjo ka qenë një padrejtësi e madhe dhe e pakuptueshme nga shumëkush.
Ka qenë tentativë për të barazuar atë që ka bërë Serbia me atë që është rezultati i luftës së UÇK-së. Nuk barazohen këto. Ne edhe si persona që kemi përgjegjësi shtetërore, edhe si qytetarë që sot dolëm dhe marshuam, u bëmë bashkë për një qëllim dhe qëllimi është ky, që ta ngremë zërin shumë dhe ta dëgjojë e gjithë bota, që nuk gjykohet lufta e UÇK-së.
Aktakuza nuk është për individët, por gjykon luftën e UÇK-së. Natyrën e luftës sonë çlirimtare. Prandaj akuza nuk ka të bëjë thjeshtë me këta individë, por me atë që është themeli i lirisë sonë, lufta e UÇK-së. Qëllimi është të shtrembërohet kjo luftë”, tha mes të tjerash Konjufca.
Komente











