PRISHTINE, 22 Janar/ATSH/- Këshilli Rinor i Komunë së Gostivarit, në suaza të manifestimit kulturor "Dita e poezisë shqipe", i cili realizohet me rastin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, hap konkurs letrar për poezi.
Konkursi vlen për të gjithë të rinjtë e talentuar nga mosha 15 deri 25 vjeç, banues në Republikën e Maqedonisë.
Juria profesionale do të përzgjedh 10 poezitë më të mira që do të paraqiten në manifestimin kulturor "Dita e poezisë shqipe", që do të mbahet më datë 16 Shkurt 2015, në kinemanë e qendrës tregtare "City Center" në Gostivar.
Me këtë rast, do të shpallen edhe fituesit e tre vendeve të para që do të marrin çmimin "Sefer Selimi". Fituesit të vendit të parë, Komuna e Gostivarit do ti mbuloj shpenzimet e botimit të një vepre letrare në vlerë prej 30.000 denarë në qoftë se e njëjta botohet brenda vitit 2015. Po ashtu, poezitë konkurruese do të botohen në një botim të veçantë, i cili do të shpërndahet në manifestimin e vitit të ardhshëm./a.g/