Konsensusi i G20 për Ukrainën i vështirë, SHBA bën thirrje për rritjen e mbështetjes për Kievin

Ndërsa kanë mbetur vetëm dy muaj nga përfundimi i mandatit të Presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara po rrisin mbështetjen financiare, ushtarake dhe diplomatike ndaj përpjekjeve të Kievit për t'u mbrojtur kundër agresionit rus.

Në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Rio de Zhaneiro të Brazilit, ku po takohen zoti Biden dhe udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha të botës, zyrtarët amerikanë po bëjnë trysni për një gjuhë "sa më të fortë të mundshme" në mbështetje të Ukrainës, i tha Zërit të Amerikës zëvendës këshilltari i sigurisë kombëtare John Finer gjatë një komunikimi me median të hënën.

Diplomatët perëndimorë kanë ripërtërirë thirrjet për kritika më të forta ndaj Moskës pas sulmit ajror të fundjavës së Rusisë, më i madhi në territorin ukrainas në muajt e fundit. Ata gjithashtu kanë paralajmëruar se Rusia po shton përpjekjet e luftës që mund të kenë një efekt destabilizues përtej Evropës.

Në fillim të këtij muaji, SHBA dhe Ukraina njoftuan se Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 trupa për të ndihmuar Moskën të rimarrë territorin e marrë nën kontroll nga Ukraina në rajonin Kursk të Rusisë.

Deklarata përfundimtare e përbashkët e udhëheqësve është ende duke u negociuar, por një version paraprak që e ka parë Zëri i Amerikës dhe versione të tjera që qarkullojnë në mediat sociale, sugjerojnë se ajo do të përfshijë vetëm një formulim të përgjithshëm që nënvizon parimet e OKB-së dhe nevojën për të respektuar paqen në Ukrainë dhe Gazë.

Zoti Finer e pranon se gjetja e një konsensusi për konfliktet globale është e pamundur duke pasur parasysh përbërjen e G20-ës. Përveç vendeve të G7 që janë përgjithësisht në një emërues të përbashkët, G20 përfshin edhe Rusinë, Kinën dhe vende në zhvillim.

“Do të shohim se si do të shkojë”, tha ai.

Që nga takimi i nivelit të lartë i G20-ës në vitin 2022 në Bali, i mbajtur muaj pasi filloi agresioni i Moskës ndaj Ukrainës, ky grupimi global është përballur me sfida për të gjetur një përgjigje ndaj konfliktit.

Autorizimi i raketave me rreze të gjatë veprimi

SHBA ka rritur ndihmën ushtarake për Kievin. Po ashtu Uashingtoni po autorizon Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Amerika për të goditur në thellësi të Rusisë, sipas njoftimeve të mediave që citojnë zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Zoti Finer nuk pranoi ta konfirmojë një gjë të tillë, por tha se është "në përputhje" me qasjen e SHBA-së për ta përshtatur përgjigjen e saj me zhvillimet në terren për të "lejuar ukrainasit që të vazhdojnë të mbrojnë territorin dhe sovranitetin e tyre".

Të hënën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nëse është i vërtetë, autorizimi për Kievin për të goditur brenda Rusisë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi, "do të shënojë një raund të ri tensionesh dhe niveli përfshirjeje të Uashingtonit në konfliktin e Ukrainës".

Javën e kaluar në Bruksel, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u përpoq të siguronte aleatët evropianë se zoti Biden "është i përkushtuar që të garantojë që çdo dollar që kemi në dispozicion (për Ukrainën) të dërgohet deri më 20 janar", kur inaugurohet Presidenti i zgjedhur Donald Trump.

Zoti Trump ka qenë kritik ndaj përdorimit të parave të taksapaguesve amerikanë për të ndihmuar Kievin. Pa dhënë detaje, ai shpesh ka thënë se mund t'i japë fund luftës me shpejtësi, edhe para se të marrë detyrën – një deklaratë që shumë në Evropë druhen se nënkupton që të detyrohet Ukraina të heqë dorë nga pjesë të territprit të saj.

Në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ai do që lufta të ketë një "përfundim të drejtë" dhe se një fund i shpejtë "do të thotë humbje". Të shtunën ai i tha radios publike ukrainase se nën administratën e zotit Trump, "lufta do të përfundojë më shpejt". "Kjo është qasja e tyre, premtimi për vendin e tyre," tha ai. "Dhe për ta, është gjithashtu shumë e rëndësishme."

Ndryshimet klimatike, zbutja e varfërisë

Brazili ku mbahet takimi i G20-ës është përpjekur ta mbajë fokusin e bisedimeve larg konflikteve globale dhe më shumë tek çështjet që u ngritën në konferencën e OKB-së mbi ndryshimet klimatike në Azerbajxhan, si edhe tek përshpejtimi i përpjekjeve për të reduktuar urinë dhe varfërinë globale - një nismë e mbështetur nga presidenti Luiz Inacio Lula da Silva.

Qasja e zotit Lula për t'u rezistuar presioneve nga G7 dhe pjesa tjetër e G20-ës mbi Ukrainën dhe Gazën pasqyron strategjinë e Brazilit për përpjekje në disa drejtime në një peizazh global gjithnjë e më të fragmentuar, thotë për Zërin e Amerikës Bruna Santos, drejtore në Institutin për Brazilin të Qendrës Wilson.

Megjithatë, “neutraliteti rrezikon të bëjë të pakënaqura të gjitha palët në një botë gjithnjë e më të polarizuar”, thotë zonja Santos.

Përveç ndasive mbi konfliktet globale, negociatorët në Rio po hasin vështirësi për të gjetur konsensus mbi gjuhën e përbashkët për financimin e përpjekjeve për klimën, thanë burime diplomatike që folën me Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti për të diskutuar negociatat në vazhdim.

Vendet perëndimore kanë bërë trysni që Kina dhe vendet e pasura të Lindjes së Mesme t'u bashkohen atyre për të kontribuar në fondet globale për zbutjen e ndryshimeve klimatike - një propozim të cilit i ka rezistuar nga Brazili dhe vendet e tjera të të ashtuquajturit Jugut Global, një përmban vendet në zhvillim.

Një tjetër propozim i zotit Lula, një taksë prej 2% për super të pasurit që Brazili thotë se ndoshta mund të gjenerojë deri në 250 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar të varfërit e botës, gjithashtu ka hasur rezistencë.

Presidenti argjentinas i krahut të djathtë Javier Milei e hodhi poshtë propozimin pasi vizitoi zotin Trumpin në rezidencën e tij në Florida, duke u bërë udhëheqësi i parë i huaj që vizitoi presidentin e zgjedhur./VOA

S.B/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar