Konstandin Leka, një libër me
kujtime për Radio Tiranën

Konstandin Leka, një libër me<br />kujtime për Radio Tiranën
TIRANE - Libri “Një jetë në shtjelljet e krijimtarisë” i Kostandin Lekës ka sjellë përmes kujtimeve aktivitetin e tij krijues, i cili gjatë periudhës së diktaturës është mbuluar nga një heshtje e plotë në gjithë organet e masmediave të kohës. Autori i librit e vlerëson punën e tij dhe të kolegëve si një krijimtari të rëndësishme kombëtare, por ajo edhe pse kishte jehonë, pasoi me një heshtje të thellë mbi emrin e tij, sikur kjo krijimtari nuk ka ekzistuar. “Pati mohim dhe errësim të plotë zyrtar. Justifikimi bazë ishte gjithmonë i njëjti: origjina tregtare e familjes sime, që shfrytëzohej lehtësisht si prej “vigjilentëve”, por veçanërisht prej smirëzinjve. Për çdo krijimtari përsëritej pothuaj i njëjti skenar”, thotë Konstandin Leka.

Cilat ishin pasojat e heshtjes mbi krijimtarinë e një krijuesi që bënte me përpikmëri atë që dëshironin drejtuesit e institucionit. “Edhe sot janë të shumtë bashkëpunëtorët dhe studiuesit që duan të shkruajnë, por ankohen se nuk gjejnë asnjë dokument dhe informacion mbi këto aktivitete. Edhe në rastin e ngritjeve të linjave të tëra prodhimi, nuk është bërë asnjë njoftim dhe inaugurim zyrtar”, rrëfen Leka pasojat e mohimit të emrit në krijimtarinë e tij. Ndaj në vitet demokracisë autori i librit kërkon të zhbëj historinë e mohuar të një krijimtarie ku rreket të tregoj që këto krijimtari në kompleksitetin dhe vlerën e tyre, në respekt të së vërtetës, duhen njohur edhe si arritje të vetë institucioneve dhe vendit tonë.

Kujtimet ndërkohë zbardhin disa aspekte të panjohura që nisin që nga kontaktet e Konstandin Lekës me Radio Tiranën, të cilat i nisi pasi mbaroi shkollën “Harri Fulz”. Shkak i emërimit në këtë institucion u bënë aktivitetet e larmishme shumëvjeçar me grupin artistik të Politeknikumit, duke shkruar skenarë e skeçe të karakterit të estradës. “Unë kaloja pothuaj çdo ditë para ndërtesës së Radios (së vjetër) në rrugën “Kont Urani” për të shkuar në Politeknikum. Ishin dy ndërtesa 3-4-katëshe në dy anët e rrugës. Sapo hyja në mjedisin e tyre, unë pushtohesha prej emocionesh të thella, që riprodhonin në vetëdijen time përfytyrime nga më të ndryshmet, se çfarë po ndodhte në ato çaste prapa atyre mureve dhe brenda atyre dhomave.

Njerëz që flisnin, interpretonin dhe këndonin, të rrethuar prej mikrofonash dhe aparaturash nga të gjitha llojet. Bota ku realizoheshin të gjitha ëndrrat e mia të hershme, që nga fëmijëria. Bota dhe mjedisi natyral, ku do kërkoja “të jetoja””, rrëfen Konstandin Leka momente para të pasionit për punën dhe krijimtarinë. Edhe pse e ndiqte nga pas “biografia”, Leka ka pasur përkrahje nga mjeshtër profesionistë, ku ndër ta kujton teknikun Maqo Berberi, punonjës i talentuar dhe i palodhur i Radio Tiranës. “Më afrohet dhe me buzëqeshjen dhe mirësjelljen e tij karakteristike, më lavdëron cilësitë e zërit duke më ftuar për të bërë një provë spikeri në Radio.

Unë, megjithëse u pushtova prej një gjendje euforie të vërtetë, që më në fund po krijohej mundësia të depërtoja muret e kështjellës së ëndrrave të ndaluara, e përmbajta veten duke e konsideruar një kompliment të radhës. Por nga ana tjetër nuk më pritej sa të paraqitesha për të bërë provën”. Aleksandër Leka përmes historisë së tij personale sjell në jetë një numër të madh persoazbhes të Raditeleviznit, të cilët hedhin dritë më shumë në ngjarjet e asaj kohe. Shumë personazhe, pionierë të Radiotelevizionit shqiptar si Fuat Bozgo, Liri Çeli, Gani Lika, tekniku Bedri Mara, redaktorja Stoli Beli, e të tjerë vijnë për herë të parë me kontribute e tyre në një libër kujtimesh.

SI MERRESHIN MODELET E RAI -T NGA RADIO TIRANA

Kujtimet e Konstandin Lekës kanë një funksion të shumëfishtë në faqet e këtij libri. Gjithçka që ai tregon nuk lidhet vetëm me jetën dhe krijimtarinë e tij. Madje titulli duket sikur e paralajmëron edhe përmbajtjen, në shtjellat e krijimtarisë. “Me se ta filloja? Idetë ishin të shumta, format e paraqitjes ishin ato të radios italiane, që e ndiqja natë e ditë, por duhej të isha i kujdesshëm. Unë kisha një ditar mbi programet e Rai-t, që më pëlqenin më shumë. Aty kisha shënuar skemat e skeçeve të Dino Verdes dhe Garinei e Giovannini, më të qëlluara.

Si burim popullarizimi shkencor kisha dhe revistat sovjetike të asaj kohe, të vetmet që vinin, si “Teknika mollodiozh” (Teknika e të rinjve ) “ Myrzilka” dhe “Nauka i zhiznj” ( Shkenca dhe jeta). Në revistën për fëmijë “Murzilka” gjeta një përrallë ruse. E para, duke qenë me tematikë nga Rusia, mikja jonë e madhe, ishte menjëherë e pranueshme, por ajo që më tëhiqte ishte përmbajtja: mbi luftën e një heroi-fëmijë me përbindëshin-bajlozin, ku unë mund të përdorja të gjitha efektet dhe transformimet zanore, që kisha dëgjua në Rai mbi Alienët.

Fundi fundit bajlozët dhe alienët nuk ndryshonin dhe kaq. “ Libri shoqërohet me disa foto që tregojnë edhe programet e para të Radio-Tiranës. Pastaj vijon me zanafillën e disa emisioneve dhe krijimin e personazheve. “Aktivitetin e mirëfilltë krijues e fillova me dy emisione në formë të dramatizuar me personazhe fantazie, por të lidhur me realitetin e kohës, që vazhduan në formë cikli të transmetohen për disa muaj, çdo të shtunë dhe të diel, si emisione të rëndësishëm. Krijova personazhin e “Baba Tomorrit”, që jetonte në një shpellë të malit Tomorr, prej nga së bashku me dy pionierë Lirinë dhe Gencin, fluturonin me qilimin magjik mbi veprat industriale të vendit.

Gjatë fluturimit, Baba Tomorri, i interpretuar mjeshtërisht nga aktori i mirënjohur Qenan Torro, me zërin e tij shumë të ngrohtë, bashkëbisedonte me dy fëmijët, që e shoqëronin në qilim, por edhe me të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Ata bisedonin mbi veprat që shikonin nga lart dhe prodhimin e tyre, duke drejtuar pyetje herë pas here edhe dëgjuesve të vegjël. Emisioni pati shumë sukses, gjë që pasqyrohej dhe nga sasia e madhe e letrave që vinin nga fëmijët, kaq sa redaksia nuk arrinte t’i lexonte.

Dramatizimi i dytë, që transmetohej të dielën në mëngjes ishte “Korrespondenti automatik”. Në të vërtetë titulli origjinal ishte “Korrespondenti robot”, por meqenëse tingëllonte si shumë perëndimor e ndërruam. “ Të përshkruar me më një vëmendje të rrallë, në këtë libër gjen detaje për realizimin e emisioneve, teknikat dhe përpjekjet artistike për të siguruar ilustrimet dhe efektet e shumta. “Unë kaloja (me shumë gëzim) disa pasdite të tëra në ambientet e radios. U njoha dhe u miqësova me të gjithë punonjësit si redaktorë dhe teknikë.

Më bënte përshtypje interesimi i tyre dhe diskutimi i sinqertë mbi emisionet e mia dhe sidomos për efektet speciale që përdorja. Drejtuesit si Liri Çeli, Fuat Bozgo, nëndrejtori i ri zoti Ymer Minxhozi, shpesh më ndihmonin me këshilla të vlefshme dhe gjithë teknikët si zotërinjtë Maqo Berberi, Spiro Qirko, Xhafer Zavalani, Gani Lika, Bedri Mara, të cilët herë pas here punonin me mua në montazhin e pjesëve, sigurisht duke duruar kërkesat e mia, por gjithmonë me shumë dashamirësi. Kujtoj gjithmonë frazat italisht, që më përshëndeste pak nën zë kronisti zotit Thoma Afezolli dhe nuk harroj shikimet shumë të zgjuara, inkurajuese të spikeres së shkëlqyer zonjës Vera Zheji, që kalonte e heshtur nëpër korridore”.

KUR NISI TELEVIZIONI I PARË SHQIPTAR. SPIKERJA E PARË, LIRI BELI

Konstandin Leka tregon se nga fillimi i vitit 1960, në një vilë të vogël, pranë godinës së dytë të Radio Tiranës së vjetër, filluan të instalohen disa pajisje, që po i shihnin për herë të parë në Shqipëri. “Më goditi në kokë pamja e disa ekraneve televizive të mëdhenj (për atë kohë). Ishin pajisjet e para televizive të dhuruara Radios sonë nga Hungaria dhe Gjermania Lindore. Ishte vendosur të fillonin transmetimet televizive eksperimentale. Unë, nga kurioziteti, pa asnjë funksion ose ftesë, fillova të përzihesha herë pas here gjatë montimit dhe kolaudimit të aparaturave”.

Përmes rreshtave të këtij libri Leka tregon sesa primitive ishin aparaturat dhe përpjekjet e teknikëve Jani Melo, Ilia Capo, Nazir Hoxha, që duhej të bënin “akrobacira” për të ruajtur gjithmonë nivelet e transmetimit. “Aparati për transmetimin e diapozitivave, që sot është sa një aparat fotografik dhe punon krejt automatikisht, atëherë ishte sa një sënduk i madh plot llampa, që shpesh shuheshin dhe ndizeshin duke prishur cilësinë e diapozitivës së testit të televizionit shqiptar.

Gjithashtu aparati i projektimit të filmit ishte i formatit të madh 35mm. dhe ngrihej sa një dollap me tri kanata, mbushur me ingranazhe dhe mekanizma, që bënin një zhurmë jo të vogël gjatë punës. Kamera marrëse hungareze, e çmendte kameramanin e parë Beqir Derhemin për ta mbajtur në gjendje normale pune, por më i emocionuar nga të gjithë ishte inxhinieri Emil Plumbi, i cili kalonte nga një aparat në tjetrin dhe deri në televizorin e kontrollit të sinjalit marrës, që vinte nga antena e vogël e ngritur mbi çatinë e vilës. Unë për “të justifikuar” praninë time fillova të bashkëpunoj me mjeshtrin e fotografisë Refik Veseli, për të ndriçuar sa më artistikisht vendin, ku do të vendosej spikerja.

Në provat e para në rolin e spikeres, sa për të rregulluar dritat, u ula unë. Si spikere e parë e televizionit shqiptar u zgjodh redaktorja dhe regjisorja, zonja Stoli Beli, redaktorja e emisioneve të mia. “Ajo u paraqit me kohë në studio për të bërë një trukazh të lehtë nga mjeshtrja Zhaneta Petushi, por mendjen e kishte tek teksti i programit që lexonte dhe rilexonte duke provuar intonacione të ndryshme të zërit dhe shprehje të fytyrës.Pak para orës 16.00 u vendos një heshtje e plotë, të gjithë ngrinë në vende e tyre të punës.....Ishte data 29 prill 1960. Një ditë feste e madhe, se dhe Shqipëria filloi të flasë në gjuhën televizive, kaq më tepër, që zëri dhe figura e spikeres Stoli, pavarësisht nga niveli teknik fillestar, çanin ekranin me një bukuri dhe nivel të lartë artistik”.

Shkrimi u botua në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi