Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se data e seancës konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e qershorit, do të dihet gjatë javës së ardhshme. Por, ka bërë të ditur se seanca nuk do të thirret gjatë korrikut.

“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.

Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit.

Detyrimi buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Certifikimi i rezultateve është bërë më 8 korrik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet.

“Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditëve nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit”, thuhet në pikën 132 të aktgjykimit. 

Sipas kësaj pike, kjo përfshijnë: verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur; dhënien e betimit nga ana e tyre; dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Gjykata ka theksuar që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar.

Haxhiu ka thënë se u ka lënë kohë partive politike për të zhvilluar takime dhe për të arritur marrëveshje, para se të thërrasë seancën.

“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’u jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Haxhiu, e cila si kryeparlamentare e legjislaturës paraprake, bashkë me anëtarët e kryesisë bën përgatitjet për seancën konstituive.

Javën e kaluar kryeministri në detyrë Albin Kurti takoi krerët e dy partive, PDK-së e LDK-së, por të cilat nuk dhanë rezultat. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha pas takimit se kjo parti do të qëndrojë në opozitë. Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se ka vullnet për marrëveshje, por bisedimet i pezulloi dy ditë më parë për shkak të krizës së brendshme në parti dhe kërkesës për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, nëpërmjet të cilit synohet të shkarkohet Abdixhiku, i cili akuzoi një grupim brenda partisë se synon bllokimin e zgjedhjes së institucioneve të reja.

Haxhiu tha se zgjedhjet e reja nuk do të ishin në interes të qytetarëve dhe as të subjekteve politike. 

Ajo mirëpriti takimet e iniciuara nga kryeministri Albin Kurti me partitë parlamentare dhe u bëri thirrje të gjitha subjekteve të vazhdojnë dialogun./Koha