Kuvendi i ri i Republikës do të mblidhet më 10 shtator. Dekreti është firmosur sot nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

"Në mbështetje të nenit 65 pika 1, 67 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, si dhe në kushtet kur Legjislaturës së IX-të të Kuvendit, i përfundon mandati në datën 09.09.2021,  Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë", thuhet në dekret.

Të premten e 10 shtator pritet të zhvillohet dhe seanca e parë në drejtimin e deputetit më të vjetër, që më shumë mundësi do të jetë Luljeta Bozo. Ky muaj që sapo u futëm pritet të jetë i ngjeshur por edhe shumë i 'nxehtë' për politikën shqiptare.

Shtatori nuk do të na njohë vetëm me emrat e kabinetit të ri qeveritar por edhe  kreun e ri të Kuvendit. Pritet gjithashtu që të kemi shumë shpejt edhe vendimin e Gjykatës Kushetetuese për shkarkimin e Ilir Metës.

Me fillimin e legjislaturës së re do të kemi më në fund edhe rikthimin e Partisë Demokratike dhe LSI-së në Kuvend.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, PS fitoi 74 mandate. Edhe 3 mandatet e PSD-së të Tom Doshit, duket se janë pranë socialistëve. PD mori 59 mandate.

Dekreti i Ilir Metes