Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar pas debatit të shkaktuar nga deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shqipëri.
Në një reagim zyrtar, ministri sqaron se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.
Sipas Hoxhës, veprimet konkrete do të ndërmerren vetëm pasi të ketë dakordësi mes dy vendeve për të gjitha aspektet dhe detajet e procesit.
Në përfundim, Hoxha thekson se politika e jashtme e Shqipërisë bazohet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerat evropiane, duke shtuar se ky do të mbetet standardi i vendit edhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Reagimi i plotë:
Deklarimi i Ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate në Shqipëri ka ngjallur debat.
Shqipëria ka kërkuar hapjen e një #Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e #Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse.
Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare.
Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet.
Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime.
Është e çuditshme, madje e vështirë për t’u kuptuar, që shumë prej reagimeve zgjedhin të anashkalojnë pikërisht atë që është thelbësore: interesin e #Shqipërisë dhe përfitimin konkret që sjell krijimi i një pranie të përhershme konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës. Në vend që vëmendja të përqendrohet te mbështetja që kjo përfaqësi do t’u ofrojë shqiptarëve që jetojnë atje, te forcimi i lidhjeve të tyre me Shqipërinë dhe te mbështetja më e mirë e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime, debati zhvendoset tek hamendësimet mbi interesat e supozuara të palës tjetër.
Politika jonë e jashtme nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane.
Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme.
Lajmi kryesor:
Serbia: Do kemi konsullatë në Shkodër! Hoxha: Ende pa vendim, interesi ynë përfaqësi në Luginën e Preshevës










