Epilogu i politikës së jashtme shqiptare
Element qendror i sovranitetit të një shteti është politika e jashtme e pavarur, e tij e cila ushtrohet ndër të tjera edhe nga rrjeti diplomatik e konsullor. Në qeverinë e Shefqet Vërlacit u ruajt përkohësisht Ministria e Punëve të Jashtme, ndonëse Musolini ishte i mendimit që ajo të suprimohej. Por Çiano e bindi se ajo duhej që të ruhej për një farë kohe për të qenë paksa koherentë me premtimet që kishin bërë për të mos ndryshuar statusin e Shqipërisë, “për të ruajtur format për sytë e botës” dhe “për të pranuar legalisht gjendjen e re të punëve, pa kaluar përsëri nëpër polemikën e pambarim të njohjeve”.1
Ministria e Jashtme në Tiranë dhe misionet diplomatike e konsullore jashtë vendit u ndodhën në një pozitë të vështirë. Nëse deri më 8 prill ato në emër të Mbretit Zog kërkuan ndihmë e përkrahje në kancelaritë e Fuqive të Mëdha demokratike e të vendeve fqinje kundër agresionit italian, pas kësaj date autoritetet kolaboracioniste shqiptare u kërkuan të bënin të kundërtën, të mbanin lidhje të ngushta me ambasadat italiane e të kishin besim të plotë në qeverinë fashiste e cila do t’i siguronte Shqipërisë lumturi, progres dhe prosperitet!2
Përfaqësues të ndryshëm diplomatikë shqiptarë refuzuan të njohin regjimin e pushtimit e qeverinë e re të dalë nga Asambleja Kushtetuese. Disa prej tyre ose dhanë dorëheqjen nga misionet diplomatike ose u deklaruan edhe më tej në shërbim të Mbretit Zog. Kështu ndodhi me ministrat ose të ngarkuarit me punë të Shqipërisë në Berlin, Londër, Paris, Ankara e Kajro.3 Në Turqi e në Egjipt për shkak se qeveritë e këtyre vendeve nuk e njohën qeverinë e Shefqet Vërlacit por as edhe regjimin italian të pushtimit, legatat shqiptare vazhduan të funksiononin si përfaqësuese të Mbretit Zog.
Reagimi i Faik Konicës në Uashington ishte i veçantë. Në pasditen e 7 prillit me kërkesën e tij ai u takua me Sekretarin e Shtetit Kordell Hall për të protestuar kundër agresionit të Italisë në Shqipëri. Pushtimi i saj, i tha ministri shqiptar kreut të diplomacisë amerikane ishte një pikënisje për lëvizje të tjera në drejtim të Greqisë, Turqisë e Dardaneleve.1 Ditën tjetër, më 8 prill Konica përcolli në adresë të Sekretarit të Shtetit protestën e autorizuar zyrtare nga Tirana për dhunimin e traktateve ekzistuese të nënshkruara midis Shqipërisë dhe Italisë, njëri prej të cilëve ishte Pakti Kellog-Briand.2
Italianët u përpoqën ta joshin Faik Konicën duke i propozuar titullin e ambasadorit në shërbimin diplomatik italian. Kur e pyetën se si duhej ta konsideronin në rrethanat e reja të krijuara, si mik apo si armik të Italisë përgjigja e tij ishte” si një armik”, se miqësia e tij ndaj tyre kishte marrë fund ditën e pushtimit të Shqipërisë nga trupat italiane. Konica nuk e njohu qeverinë e Shefqet Vërlacit, e cilësoi si kukull e përdori epitete të tjera kundër saj. Madje deklaroi se në rastin kur legata shqiptare në Uashington do të mbyllej, ai do ta digjte arkivin e saj para se t’ia dorëzonte qeverisë kukull të ngritur nga Italia.3
Deklaratat antiitaliane të Konicës në Uashington si dhe përbuzja e hapur që ai manifestoi ndaj autoriteteve profashiste shqiptare u bënë të njohura në Tiranë e në Romë. Të gjithë e njihnin karakterin e tij dhe shumë e urrenin. Por nëse më parë ai kishte gëzuar mbrojtjen e Zogut, në rrethanat e reja nuk kishte se kush t’i dilte në krahë. Preferuan ta duronin edhe ca kohë me gjithë rebelizmin e tij patriotik. Kundërshtarët e vjetër e të rinj gjetën rastin për të hedhur shigjeta kundër tij. Vetë kryeministri kolaboracionist i Tiranës e quajti “një lloj filozofi ekscentrik që jeton në re”1 Çiano i informuar nga ambasadori italian në Uashington për deklaratat e Faikut e për “qëndrimin e tij absurd e armiqësor” urdhëroi shkarkimin e tij.2
Jo vetëm Faik Konica por gjithë shqiptarët e Amerikës e dënuan pushtimin e atdheut të tyre nga Italia e Musolinit. Noli në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare e të Vatrës i kërkoi Departamentit të Shtetit dhe Lidhjes së Kombeve dënimin e agresionit italian.3 Manifestime proteste u zhvilluan nga shqiptarët në Boston, në Nju-Jork, Uashington, Detroit etj. Por Faiku si në mjaft raste të tjera nuk ishte i qëndrueshëm. Nevoja për para për të paguar detyrimet për jetën luksoze që bënte në Uashington e çuan pas pak kohe të trokiste në dyert e ambasadës italiane në kryeqytetin italian. "Kundërshtari" i rreptë i pushtimit fashist të Shqipërisë për disa mijëra dollarë u bë avokati i agresionit italian kundër Greqisë.
Për të zbutur edhe atë reagim të vakët ndërkombëtar por edhe zemërimin e shqiptarëve, qeveria e Shefqet Vërlacit e këshilluar nga Roma tentoi të krijojë përshtypjen se marrëdhëniet e saj diplomatike me përfaqësuesit e qeverive të huaja të akredituar në Tiranë duhej që të vazhdonin si më parë. Ministri i Jashtëm i kësaj qeverie, Xhemil Dino më 19 prill informoi dekanin e trupit diplomatik dhe ministrin e Greqisë në Tiranë, Periklis Seferis se “ishte dëshira e qeverisë shqiptare të mbante të njëjta marrëdhënie të përzemërta që ekzistonin midis ish-qeverisë shqiptare dhe misioneve diplomatike në Shqipëri”.1 Tri ditë më vonë të gjithë kryetarët e misioneve diplomatike në Tiranë morën notën zyrtare të Xhemil Dinos për vendosjen e marrëdhënieve sa më të përzemërta personale e zyrtare.2
Përballë kësaj ftese të qeverisë Vërlaci përfaqësuesit e huaj të akredituar në Shqipëri mbajtën qëndrime jo të njëjta, sigurisht me udhëzim të qendrave të tyre respektive. Qeveria britanike në vijim të politikës së saj të “paqetimit” me Fuqitë e Boshtit mbajti një qëndrim të veçantë edhe ndaj njohjes së qeverisë kukull të vendosur nga italianët në Tiranë. Që më 9 prill, ministri britanik Endrju Rajan ishte porositur nga Forin Ofis që “të hynte në marrëdhënie jozyrtare me autoritetet e reja shqiptare si qeveritarë de facto të vëndit”. Dhjetë ditë më vonë ai njoftoi eprorët e vetë në Londër se e kishte kryer porosinë që i ishte dhënë.3 Në gjysmën e dytë të muajit prill zëvendëssekretari për punët e jashtme Endrju Nobël (Andreë Noble) u shpreh disa herë se “herët ose vonë ne do ta njohim aneksimin italian të Shqipërisë”, se “do të ishte shumë e preferueshme që ne të njohim menjëherë bashkimin e Italisë me Shqipërinë”.4
Qeveria britanike nuk dëshironte që të ishte e vetme në hedhjen e këtij hapi. Ajo tentoi të tërhiqte edhe Francën e SHBA duke propozuar më 12 maj një shqyrtim paraprak për qëndrimin që mund të mbahej. Për Londrën pengesë e përkohshme për të vendosur njohjen de jure të regjimit të ri ishte paqartësia rreth statusit të ardhshëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Forin Ofisi shpresonte se ndonëse vendi në praktikë pak a shumë do të ndodhej drejtë për së drejti nën sundimin italian, mund të ruheshin disa shenja të pavarësisë së tij dhe Shqipëria për shkëmbime diplomatike, bërje traktatesh etj, mund të shihej ende si një shtet i veçantë.1 Qeveria britanike ishte e bindur se herët ose vonë asaj do t’i duhej të njihte situatën aktuale në një formë ose një tjetër. Në mbështetje të këtij qëndrimi ajo i referohej përvojës së Etiopisë dhe të Spanjës që kishte treguar se ishte praktikisht e pamundur të mbahej për një kohë të gjatë njohja de facto.2
Në Departamentin e Shtetit kishin një qasje tjetër nga qëndrimi i Forin Ofisit. Çështja u diskutua në aspekte politike, juridike e diplomatike dhe më 2 qershor Londrës iu kthye përgjigja se qeveria amerikane dëshironte t’i studionte më tej zhvillimet në Shqipëri meqenëse statusi i këtij vendi nuk ishte akoma krejtësisht i qartë për atë.3 Ministri amerikan në Tiranë ishte udhëzuar të mbante një komunikim jo zyrtar me qeverinë Vërlaci që në vlerësimin e tij “ishte një institucion kukull pa asnjë autoritet real”.4 Në marrëdhënie jozyrtare me regjimin e ri ishin vendosur edhe ministri francez në Tiranë e përfaqësuesi i Turqisë, ndërkohë që disa të tjerë si përfaqësuesit diplomatikë të Gjermanisë, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë e Jugosllavisë kishin pranuar vazhdimësinë normale të marrëdhënieve me të.
Praktika diplomatike në rrethanat e krijuara në Shqipëri shtronte nevojën e njohjes të regjimit të ri që ishte vendosur e për rrjedhojë edhe paraqitjen e letrave kredenciale të kryetarëve të misioneve diplomatike te kryetari i shtetit. Por këtu kishte një nonsens. Në Tiranë kishte një Ministri të Jashtme por nuk kishte kryetar shteti. Me bashkimin e kurorave këtë cilësi e kishte Viktor Emanueli III. Por nga ana tjetër Musolini e Çiano kishin premtuar një Shqipëri të pavarur e ruajtjen e sovranitetit të saj! Në trupin diplomatik të akredituar në Tiranë kjo çështje ishte diskutuar disa herë. Por kur ajo iu ngrit Xhemil Dinos, “përgjigja e tij ishte shenjë e konfuzionit të konsiderueshëm mendor”. Ai u sugjeroi që letrat kredenciale mund t’i paraqiteshin Mëkëmbësit të Përgjithshëm italian F. Jakomonit ose mund të mos i paraqisnin fare.1
Paqartësia e përkohshme që karakterizoi ato pak qeveri të përfaqësuara në Tiranë në lidhje me statusin e Shqipërisë e natyrën e marrëdhënieve që duhej të kishin me qeverinë kolaboracioniste u zhduk shpejt dhe kjo për “meritë” të Çianos. Në fund të majit ai dhe Musolini vendosën që në kuadrin e gjithë masave të tjera që po merreshin për të bërë “bashkimin”, të suprimonin edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë si një institucion bartës i sovranitetit dhe të njehsonin shërbimin diplomatik të dy vendeve.
Më 3 qershor në Romë Çiano dhe Xhemil Dino pasi u shpall Statuti i ri i Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje në emër të të dy qeverive në bazë të të cilës administrimi i të gjitha marrëdhënieve ndërkombëtare të Italisë e Shqipërisë të bashkohej dhe përqendrohej në Ministrinë e Punëve të Jashtme italiane. Do të krijohej një komision i përhershëm, i përbërë prej katër anëtarësh, dy për secilin vend, i cili do të konsultohej kur të kërkohej një shqyrtim i veçantë i interesave shqiptare dhe veçanërisht për përfundimin e traktateve të lidhura ngushtë me Shqipërinë. Një nen i veçantë i marrëveshjes parashikonte integrimin e personelit diplomatik e konsullor shqiptar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë.2 Po atë ditë Çiano në ditarin e tij shënoi: “…u zgjidh problemi i unifikimit të shërbimeve diplomatike shqiptare me ato italiane. Mjaftuan disa dekorime e ndonjë post për kryerjen e operacionit të tredhjes së Shqipërisë pa e bërë pacientin të bërtasë. Tashmë aneksimi praktikisht është realizuar”.1
Marrëveshja e 3 qershorit iu bë e njohur gjithë përfaqësive diplomatike e konsullore të huaja në Tiranë përmes një note të posaçme. Ajo u bënte atyre gjithashtu të ditur se që nga ai moment ato nuk gëzonin më tej privilegjet dhe imunitetet e zakonshme.2 Njoftimi shkaktoi reagimin dhe protestën e mjaft prej shefave të misioneve diplomatike të cilët për shkak edhe të mosmarrëveshjeve procedurale midis tyre nuk arritën që të flisnin me një zë. “Nuk ka më asnjë shenjë të pavarësisë e të sovranitetit shqiptar. Qeveria shqiptare është thjeshtë mashtrim” i shkruante ministri amerikan Grant Departamentit të Shtetit pas kësaj ngjarjeje.3 Ai u udhëzua nga Sekretari i Shtetit Hall që në dritën e këtyre zhvillimeve të njoftonte autoritetet e duhura në Tiranë për mbylljen e legatës dhe nisjen e tij për në Shtetet e Bashkuara.4 Më 13 qershor ministri amerikan njoftoi zyrtarisht Shefqet Vërlacin për këtë çështje. Ambasadat dhe legatat italiane u autorizuan nga Palaco Kixhi që të merrnin përsipër në vendet në të cilat ishin të akredituara edhe përfaqësimin e interesave shqiptare si dhe administrimin e ambienteve, pajisjeve dhe arkivave të legatave e konsullatave shqiptare në rastin kur ato funksiononin aty.5
Në dy-tri vende procesi hasi në një farë rezistence e vonese për t’u kryer. Në Turqi e në Egjipt legatat shqiptare refuzuan të bëjnë aktet e dorëzimit me gjithë presionet italiane. Në Paris, legata shqiptare nuk iu dorëzua italianëve derisa Franca u pushtua nga Gjermania. Në fillim ishte menduar që këta diplomatë “rebelë” në Londër, Paris, Berlin, Kajro, Ankara etj., të zëvendësoheshin me të rinj, të bindur ndaj regjimit fashist. Ndër të tjera ishte parashikuar që Eqrem Vlora të dërgohej në Berlin në vend të Rauf Ficos që kishte dhënë dorëheqjen.1 Në SHBA u mbyllën konsullatat në Boston e Nju Jork dhe dokumentacioni i tyre ra në duart e italianëve. Në Uashington Faik Konica u thirr në Departamentin e Shtetit dhe u njoftua për mbylljen e legatës amerikane në Tiranë e për tërheqjen e personelit të saj para se Sekretari i Shtetit ta bënte të ditur ngjarjen në një konferencë shtypi me gazetarët.2 Faiku i kishte hedhur poshtë ofertat italiane dhe thellë në ndërgjegjen e tij ushqente shpresën se Departamenti i Shtetit do të mund ta trajtonte edhe atë si përfaqësuesin e Çekosllovakisë, i cili pas pushtimit të këtij vendi nga nazistët vazhdoi të njihej e të gëzonte privilegjet e imunitetin diplomatik. Ambasada italiane në Uashington e kishte pikasur këtë synim të tij ndaj edhe i kërkoi Romës që të nxitej qeveria e Tiranës për të kërkuar heqjen e përfaqësimit të saj diplomatik në kryeqytetin amerikan.3
Xhemil Dino, ende ministër formal i punëve të jashtme, i urdhëruar nga Ciano iu drejtua direkt Konicës në Uashington që të tërhiqej në rrethanat që ishin krijuar.4 Por e dinte mirë se ai nuk do ta dëgjonte e se kishte prerë çdo lloj komunikimi me qeverinë kolaboracioniste. Dino duke e njohur karakterin e Faikut me kohë i kishte kërkuar ministrit amerikan në Tiranë që t’i dërgonte atij një mesazh personal për ta nxitur që “të kuptonte situatën delikate me të cilën po ballafaqoheshin anëtarët e qeverisë aktuale shqiptare”. Por në Departamentin e Shtetit u gjykua se “nuk konsiderohet e përshtatshme për ne që të bëjmë një gjë të tillë”.1
Dëshira e Faik Konicës ishte që ai të mbetej si përfaqësuesi moral i Shqipërisë në Uashington. Ai gjithashtu ishte i lidhur shumë me jetën mondane të trupit diplomatik të kryeqytetit amerikan. Por rrethanat e reja e pengonin që ta gëzonte më tej këtë status. Më 24 qershor Sekretari i Shtetit K. Hall e thirri Faikun në Departamentin e Shtetit dhe me keqardhje i komunikoi se qeveria amerikane nuk ishte më në gjendje që t’i siguronte privilegjet dhe imunitetin.2 Ministri shumëvjeçar shqiptar në Uashington e priti me trishtim njoftimin, shpresonte të trajtohej si Hurbani i Çekosllovakisë por nuk iu dorëzua fatit. Do të vazhdojë në stilin e në mënyrën e vetë të mbijetojë përmes talentit por edhe kthesave të papritura e të çuditshme që e kishin shoqëruar tërë jetën. Duke filluar nga 1 korriku 1939 Shqipëria nuk figuronte më në listën e trupit diplomatik në Uashington që botohej nga Departamenti i Shtetit. Mbrojtja e interesave amerikane në Shqipëri iu ngarkua konsullatës amerikane në Romë dhe konsullatës së përgjithshme në Napoli.3 Legata amerikane në Shqipëri në mesin e muajit korrik i ndërpreu veprimtaritë për publikun. Në shtator, ministri H. Grant u largua nga Shqipëria duke shënuar edhe mbylljen faktike të misionit diplomatik amerikan.4
Misionet e tjera diplomatike në Tiranë vepruan edhe ato në përputhje me udhëzimet e qeverive të tyre. Franca vendosi të mbyll legatën dhe ministri francez u largua nga Shqipëria më 13 korrik.1 Po kështu qeveria turke largoi ministrin e saj. Gjermania, Greqia, Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania pranuan të zëvendësojnë legatat me konsullatat.
Britania e Madhe vazhdoi të lëkundej midis njohjes de jure e de facto të regjimit të pushtimit italian në Shqipëri. Me pretekstin e daljes në pension, Londra më 17 korrik largoi ministrin e saj në Durrës, Rajan. Fitoi kohë për të qartësuar pozicionin. Në shtator Forin Ofis rekomandoi njohjen e statusit të ri të Shqipërisë dhe më 21 tetor qeveria britanike e ktheu këtë rekomandim në vendim. Ambasadori britanik në Romë, Persi Lorein (Percy Loraine) informoi qeverinë italiane për këtë vendim i cili u prit me kënaqësi të madhe prej saj.2 Njëkohësisht u njoftua edhe Departamenti i Shtetit në Uashington se qeveria britanike “synon së shpejti të shpall vendimin e saj për njohjen e statusit të ri të Shqipërisë”.3 Në nëntor si konsull i përgjithshëm britanik në Durrës u caktua Laurence Grafftey Smith, i cili qëndroi në Shqipëri veç pak muaj, deri kur Italia i shpalli luftë Britanisë së Madhe.
Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore riktheu për shqiptarët dilemën historike të ekzistencës kombëtare. Shteti shqiptar i shpallur i pavarur në 1912 rrugëtoi ndër vite mes vështirësish e kërcënimesh të mëdha që shpesh e rrezikuan me kthim prapa. Shqiptarët thuajse u ndodhën të vetmuar dhe pa aleatë të fuqishëm strategjikë. Jo se nuk i donin apo nuk dinin të zgjidhnin, por nuk i lanë që të orientoheshin ose u imponuan zgjedhje kundër vullnetit të tyre. Kushtëzimi historik nuk e shfajëson shtetin shqiptar e qeveritarët e tij nga përgjegjësia e gabimet në politikën e jashtme e cila me pak përjashtime ka qenë pasive, në mbrojtje, jo cilësore dhe subjektiviste. Megjithatë fati i Shqipërisë në 1939 ishte produkt i rrethanave ndërkombëtare se sa i politikës së jashtme të saj.
Shkrimi u publikua sot (22.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/ekonomi/2733/ish-kupola-e-lojrave-akuza-per-1-8-mln-euro-183312.html#sthash.8faQo7rs.dpuf
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/ekonomi/2733/ish-kupola-e-lojrave-akuza-per-1-8-mln-euro-183312.html#sthash.8faQo7rs.dpuf
Shkrimi u publikua sot (22.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)