Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 12 vite burg, për 12 të akuzuarit e përfshirë në skandalin e kontrabandës së naftës virgine. Përfaqësuesja e organit të akuzës Danjela Sula ka lexuar në gjyktë pretencën prej 14 faqe, duke kërkuar masën e dënimit më të rëndë për biznesmenin Iliaz Fisheku. Për këtë të fundit prokuroria, kërkoi masën e dënimit me 4 vite burg, ndërkohë që dy vjet kërkoi për të pandehurin tjetër Edmond Ferraj dhe 1 vit heqje lirie për shtetasin Arian Daci. Ndërsa për sa i përket të pandehurve të tjerë si Fadil Abdurramani, Flamur Merkaj, Gazmend Serjanaj, Genci Prençe, Kadri Hajredini, Reshat Aleksi, Vladimir Koteci, Nikollaq Llozi dhe Fatmir Kaja për ta prokuroria ka kërkuar dënimin me 6 muaj burg. 12 të akuzuarit si të përfshirë në kontrabandën e naftës virgine, kishin kërkuar dy javë më parë gjykim të shkurtuar duke pranuar autorësinë e krimit. Ndërkohë që për të pandehurit e tjerë si biznesmeni i kompanisë së naftës "Euroil" Hajri Elezaj, menaxheri Bledar Rama, Dashamir Kasaj dhe subjekti juridik "Euroil" Sh.p.k vashojnë gjykimin me procedurë të zakonshme. Në pretencën e prokurorisë thuhet se "Udhëzimet e dhëna nga i pandehuri Iljas Fisheku janë zbatuar me përpikmëri nga drejtuesit e automjeteve fakt ky që provohet me procesverbalet e pyetjes së këtyre personave të administruara në dosje. Në kushtet kur kjo sasi virgin nafte e ngarkuar në KPTHN Ballsh nuk është eksportuar jashtë vendit dhe nuk ndodhet gjëndje në magazinat e Euroil Sha, konkludojmë se ky nënprodukt ka pasur si destinacion tregun e brendshëm duke u shitur në mënyrë të kundraligjshme si karburant me pasojë dëmtimin e interesave të shtetit dhe të shtetasve të cilëve ju është shitur karburant i një cilësie të ulët në raporte me çmimin me të cilën ai është shitur. Të pandehurit Flamur Merkaj, Genci Prençe, Fadil Abdurrahmani, Kadri Hajredini, Vladimir Koteci, Reshat Aleksi, Gazmend Serjanaj, Fatmir Kaja dhe Nikollaq Llozi kanë pasur dijeni lidhur me aktivitetin kriminal të kryer nga shtetasit Hajri Elezaj, Iljas Fisheku dhe Bledar Rama".
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)











