Kontrata, mirëmbajtja e rrugëve
Bioliap- Geci merr rajonin e Veriut

Bashkimi i kompanive BIOLIAP- GECI është shpallur fitues i garës për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit të Veriut, ku përfshihen Qarku i Shkodrës dhe ai i Kukësit, kundrejt një vlere prej 21.2 milionë eurosh për pesë vitet në vijim. Njoftimin në lidhje me rezultatet e tenderit e ka bërë Banka Botërore.

Kompania e ndërtimit të rrugëve GEC-i ishte në mesin e 8 pjesëmarrëseve në këtë tender. Në garë ishte edhe kompania austriake Strabag AG dhe Trema Engineering, të cilat ofruan 48 milionë euro për mirëmbajtjen e akseve rrugore të Veriut.

Kosto e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vitet e ardhshme llogaritet 128 milionë euro, nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore. Qeveria e Shqipërisë ka marrë financime nga Banka Botërore për përballimin e kostove për mirëmbajtjen e rrugëve, duke shtuar edhe nga fondet e veta.

Kontratat do të financohen bashkërisht nga Banka Botërore dhe Qeveria. Buxheti i caktuar për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri llogaritet në rreth 25-30% e totalit të nevojshëm për mirëmbajtjen e infrastrukturës. Shifra arrin në 329 milionë euro për periudhën 2015-2019. Shqipëria ka shpenzuar 2.194 euro/km në rrjetin kombëtar, që është e pamjaftueshme dhe e ulët në krahasim me vendet e tjera në rajonin e Europës Juglindore, për të cilat objektivi është vendosur 10,000 euro/km për të arritur një gjendje të përshtatshme.

Edhe Banka Botërore, përmes inspektimeve të ekspertëve të saj, ka konstatuar se ndër shenjat e cilësisë së dobët janë: prishja e parakohshme e asfaltimeve të reja dhe e disa strukturave, përdorimi i standardeve të ndryshme të projektimit në seksione të përafërta, sinjalizime të dobëta dhe kontradiktore, mosriparime të pajisjeve apo sendeve elektrike.

Një studim po i Bankës Botërore i vitit të kaluar identifikoi 3.164 km rrjet rrugor, sipas të cilit 83% e rrjetit të përgjithshëm, 91% e rrugëve parësore dhe 77% e rrjeteve dytësore dhe të FSHZH-së janë në gjendje të qëndrueshme (shumë të mirë, të mirë apo relativisht të mirë) dhe kërkojnë vetëm mirëmbajtje periodike dhe të zakonshme.


dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Rama pret rabinin izraelit në Vlorë: Së shpejti nisim punën për ndërtimin e muzeut hebraik

Rama pret rabinin izraelit në Vlorë: Së shpejti nisim punën për ndërtimin e muzeut hebraik