/ATSH/- Fermerët që s'kanë derdhur rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore nga periudha 1994 deri më 2014-n, do të kenë mundësi që deri më datën 31 dhjetor të këtij viti të paguajnë detyrimet e prapambetura pa kamatvonesë.
Gjatë takimit me fermerë të komunës së Libonikut në Korçë, drejtoresha e ISSH, Vjollca Braho, sqaroi skemën e pagesës së kontributeve të prapambetura dhe faljen e kamatës së sigurimit vullnetar.
Pagesa do të jetë e ndryshme për fermerët e zonave fushore dhe të atyre malore. Fermerët e fshatrave fushorë detyrohen të paguajnë 201 mijë lekë të reja në total, kurse ata të zonave malore paguajnë në total për 20 vjet 139 mijë lek të reja.
Në rast se 1 fermer nuk ka derdhur kontributet përkatëse nga viti 94 deri më 2001-shin, ndërkohë që më pas ka qenë i siguruar, ai ka mundësinë e pagesës së këtyre viteve me vetëm 15 dollarë viti.
Ndërkohë që ata fermerë që kanë qenë të shkëputur ndër vite me pagesat e sigurimeve, detyrohen t'i paguajnë me çmimin e sanksionuar në vitet e fundit.
Në total në shkallë vendi, nga kjo skemë pritet të përfitojnë 230 mijë fermerë.