Kontributi i Nasho Jorgaqit
në modernitetin e prozës shqipe

Kontributi i Nasho Jorgaqit<br />në modernitetin e prozës shqipe
Në letërsi, proza moderne, e cila, dukshëm, mori hov aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, u karakterizua nga forma stilistike, përthyerje, produksione trajtash e figurash depërtuese. Ky fenomen letrar, solli, padyshim, kreativitet që e pasuroi prozën, si shkrim letrar e si gërshetim poetik, me formacione të një formati të vecantë.

Brenda kësaj hullie gjendet natyrshëm proza poetike e Nasho Jorgaqit, e cila vjen potente, dinjitoze, me trajta të theksuara të modernes, cilësisht të veçuara nga modele simotra. Simbioza e poetikës me prozën moderne në këtë libër, lë të hapur bashkëpunimin e frazave, ligjësive poetike, figuracionit dhe një strukture funksionimi ndryshe të tekstit letrar. Kjo karakteristikë e formës letrare të Jorgaqit, si sistem krijues, shfaqet si më e avancuara e narracionit, qoftë si përmbajtje, qoftë edhe si formë, si ide, trajtesë, por edhe si shtresëzim ku shpalosen palë - palë gjendjet psikologjike e shpirtërore.
 
Pas daljes së këtij libri, dëgjova artikulime që e shihnin si befasi këtë shfaqje të autorit, por, nisur nga karakteri dhe profili shumëfaqësh i Nasho Jorgaqit, nuk e shoh aspak si befasi.  Si një mjeshtër i fjalës së latuar artistike, Jorgaqi, përherë ka ditur të qëmtojë majën e majës për t’i sjellë lexuesit ligjërime ndjellëse dhe, kësisoj, nuk kish se si të mungonte ky kompozicion tekstor dhe gjuhë e figurshme.
 
Në çdo prozë të këtij libri, shihen ndërthurje të shkruara me gjakun e zemrës, me gjuhën e zjarrit që përvëlon së brendshmi. Se zjarret tek Ai nuk shuhen me vitet. Ato ndizen për të përjetësuar dashuritë, dëshirat. Prandaj autori ka veçuar shprehjen e Markez: “Njerëzit e kanë gabim kur mendojnë se ata pushojnë së dashuruari kur plaken, duke mos ditur se ata plaken kur pushojnë së dashuruari. Vdekja nuk vjen me kalimin e kohës, por me harrimin”, një përkufizim që është thelbi i gjithë përmbajtjes së librit.
 
Duke qenë se proza poetike mbart me vete, njëherazi, dy fuqi triumfuese letraristike, Nasho Jorgaqi ka ditur ta sjell me të gjithë komponentët, duke mos humbur asnjë centimë ngarkese emocionale e melodike. E në këtë kontekst, prozat brenda librit “Dashuria nën qerpikë” shtrihen në një mori gjendjesh shpirtërore, situatash ndjenjësore, ritëm dite, marramendje dashurish, vlerësim, emocion, këndvështrim, psikologji, të gjitha të shpërndara në një stil narrativ të suksesshëm, që të fton, të zgjon e të bën pjesë të saj.
 
Mënyra se si janë sjell këto pjesë shpirti, lidhen padyshim, me jetën letrare të autorit, i cili ka ditur të ndërtoj ura komunikimi, ngritje dhe ulje zbërthimesh me bazë rrethanash e gjendjesh. Nga ana tjetër, udha e gjatë jetësore e tij, zgjeruar në qindra e mijëra botë personazhesh, ka bërë që autori të vijë me një armatë të plotë dimensionesh shpërthyese. Ajo që vihet re dhe që do doja ta  theksoja është edhe sjellja si mënyrë të ndjeri. Dokumentimi i gjendjeve emocionale vjen në këtë libër, shqeto, bio, me të gjitha gjasat e kryeveprave që ndodhin në jetë.

“Dashuria nën qerpikë” vjen e disafishtë. Së pari, si paraqitje  në mënyrë transparente pjesësh nga shpirti i  pasur i zërit lirik dhe së dyti si metaforë që zbulon simbolikën e thelbit të qenies ekzistenciale. Madje, me mjeshtëri autori u shkruan dashurive, si përbërja më jetësore e njeriut. Në prozën “Ah, kjo zemra!”, autori shprehet: Ju dashuri të vjetra, i hapni rrugën dashurisë së re. Ajo po vjen, siç kini ardhur ju dikur; e bukur, magjepsëse, e drojtur, e pafajshme. Shkon drejt e në strehën e saj të përjetshme. Te zemra, nga kanë kaluar tërë dashuritë e botës”.

Shohim, pra, se sa e hapur është kjo tezë e autorit, një harmonizim me vetëdije i ndjenjës me pasionin, si forcë kujtimi e përfytyrimesh, çka sjell edhe një kuptim të thellë e tronditës. Së treti, si dëshmi dijesh të ngjeshura. Dihet tanimë që studimi, hulumtimi, analiza, ndërtimi kompozicional, dashuria, poetika, jeta… të gjitha merren seriozisht prej Jorgaqit. Ai na shfaqet studiues serioz, por Ai nuk luan kur dashuron. Madje në këto ngjizje shpirti, autori pranon se ka jetuar një jetë të bollshme, ngjyer me të gjitha ngjyrat.
 
Jorgaqi i këndon së bukurës, i thur himn femrës, trupit, hireve dhe ndjenjave të saj. Te “Gratë”, shihet qartë apologjia që i bëhet gruas nëpërmjet entiteteve të natyrave krejt origjinale. Ai e sjell gjininë e brishtë përmes antitezash, por e lartëson, sidoqoftë, atë, si brenda individualitetit të saj, ashtu edhe brenda zguarit të përgjithshëm familjar e shoqëror.“Gratë…të ëmbla dhe të hidhura. Bletë që pickojnë dhe ëmbëlsojnë…Ah gratë që s’bëjmë dot pa to!”, ndërsa konstatimi absolut i pakundërshtueshëm për të bukurën vihet si postulat në krye të prozës: “Askush s’mund ta mohojë se gratë janë të bukura e dheut”.
 
Autori ka ditur të na sjell paqshëm dhe në sinkron edhe arritjet, edhe humbjet, edhe majat, edhe disfatat, edhe ëndrrën, edhe të pathënën, edhe atë që të mban pezull, edhe atë që të zgjon, edhe ato që e çojnë në qiell, edhe ata që e urrejnë në tokë. Të gjithë elementët përbërës jetësor, vijnë në mënyrë njerëzore, spontante, të çiltra, çka, padiskutim të përforcon bindjen se me kaq çiltërsi e sinqeritet nuk mund të shkruhej asnjë dëshmi erotike. Prandaj themi që Jorgaqi mbetet mjeshtër i gdhendjes së gjendjeve shpirtërore, sepse ka shtuar, ku dhe kur duhet, dozat e gdhendjet emocionale, duke na sjell vepra të arrira poetike e prozaike.
 
Koha e gjatë e ikur tremb. Edhe koha që vjen tremb. E para mbetet fati i njeriut, më e ngjeshura me kujtime, por zbrazëtia zë e nis te koha e mbetur, tek e panjohura që vjen, dhe heroi lirik, si për t’i sfiduar çështjet e humbjes, mungesës së kohës apo harresës, jo si një rrëfim në ikje, i lutet Asaj ta mbjellë diku “ku të mos e shkelin”.
 
Proza “Mbillmë” është ndoshta ndër më brilantet e këtij almanaku prozaiko-poetik. Autori ka bërë gjetje rrëqethëse që drithërojnë dhe që të mbushin me anën e mahnitshme të rrëfim-përshkrimit, përkatësisht atij filozofik dhe psikologjik.  Porpos ndjenjës të përkorë, të bukur sa vetë jeta, të magjishme si vetë bota, shihet qartë figuracioni i pasur, simbolika dhe shpërthimi. Sepse, tek e fundit, ky është arti i fjalës së shkruar.

Te “Paralele”, autori përveçëse evidenton dijet e ngjeshura të përfituara në një jetë, sjell një përballje elementësh të një natyre krejt të rrallë. Pasi përshkruan një lumë në Arabi, me degëzimet e humbura e të derdhura shkretëtirës së paanë, i drejtohet Asaj: “A nuk ndodh kështu edhe me ne? Unë ose ti shkretërirë që digjet, ti ose unë lumi që vjen e shuan etjen e zjarrtë”.
 
Në fakt, në këto proza vëmë re edhe elemente surrealiste. Në një përzierje të lehtë gati - gati të padallueshme, autori çon pranë e pranë të vërtetën, tokësoren, imagjinativen, qielloren, por kjo e fundit ceket përmes një logjike emocionale. Rrëfimet në formë legjendash, gojëdhënash janë tipoligjike tek Jorgaqi. Madje, disa proza, autori i nis me: “Na ishte njëherë…” apo te “Zemra ime, varri yt” fillon me: “Ashtu siç ma rrëfyen mua, po jua rrëfej unë juve”, te “Bukuroshja e Marsit” shprehet: “Më kallzonte një plak…dikur…”, etj.
 
Nasho Jorgaqi në këtë libër prek pëllëmbë më pëllëmbë gjeografinë e shpirtit njerëzor, që nga zemra, rrahja, shpirti, ëndrra, fryma, të cilat janë, padyshim, meritë e autorit që di të bëj rravgime brenda gjendjeve. Po ashtu, gjuha e zgjedhur është e qartë, e pastër, e harmonizuar, çka shkon në sinonimi dashuritë e pathëna të një jete… Me pak fjalë, ky libër është shembull i prozës së mirëfilltë poetike, që duhet lexuar midis radhëve për t’u kuptuar.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)      

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Blogerët italianë: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin magjepsës

Blogerët italianë: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin magjepsës