Pas qepës dhe grurit, fermerëve të Korçës rrezikohet t’u mbetet stok edhe prodhimi i ri i patates. Shkak është çmimi i shitjes nën koston e prodhimit nga mungesa e tregut.
Aktualisht, patatja në tregun e shumicës po kërkohet të blihet te fermeri me çmim 20-30 deri në 33 lekë për kg apo rreth 20 lekë më lirë se vjet. Krahasuar me vitin e kaluarm çmimi i shitjes është 40% më pak.
Mikel Plasa, një nga kultivuesit më të mëdhenj të patates në zonën e Korçës, tha për “Monitor” se këtë vit ka mbjellë 20 ha tokë me patate, në sasi të njëjtë me vjet. Ai pret të vjelë deri në mbylljen e sezonit më 15 shtator rreth 9 mijë tonë papate, për të cilat nuk ka treg shitjeje.
“Kemi filluar të vjelat e para të patates, prodhimi është i mirë, pavarësisht klimës së thatë, por problem mbetet mungesa e tregut të shitjes.
Patatja po kërkohet me çmim shitje nga 25 lekë për kg nga tregtarët vendas, maksimumi deri 33 lekë për kg. Çmimi i kërkuar është nën koston e prodhimit, është sikur ta japësh falas.
Nëse e shes me këtë çmim prodhimin, automatikisht jam me humbje prej 80 mijë eurosh. Që të dalësh me fitim duhet ta shesësh pataten të paktën me çmim 50 lekë për kg”, pohon ai.
Fermeri nga zona e Korçës, Mikel Plasa, nënvizon se rënia e çmimit është ndikuar nga “loja” që bëjnë tregtarët e shumicës me çmimin për mallrat që blejnë direkt nga fermerët, pasi në tregun e pakicës çmimi i shitjes së patates ka arritur deri 90 lekë për kg.
“Nga ana tjetër importi i patates, veçanërisht nga Kosova ka ndikuar te rritja e ofertës në treg. Patatja e importit që vjen nga Kosova po tregtohet në vend me çmim 20 cent euro për kg, për shkak të subvencioneve të larta që iu jepen fermerëve”, shton ai.
E vetmja zgjidhje mbetet magazinimi i prodhimit deri në rritje të çmimit, por edhe në këtë rast fermerët pohojnë se humbjet nga kalbja e patates janë të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar në vend u prodhuan rreth 274,1 mijë tonë patate. Krahasuar me 2022, prodhimi u rrit 4,3%.
Disa javë më parë, fermerët e kësaj zone u përballën edhe me mungesën e tregut për prodhimin e qepës dhe grurit. Kjo detyroi disa fermerë në zonën e Korçës të dalin në protestë.
Të nxitur nga rritja e kërkesës në tregun e brendshëm për shkak edhe të fluksit të lartë të turistëve vitin e kaluar, fermerët në zonën e Korçës shtuan të mbjellat për qepë të thatë dhe patate rreth 30% më shumë se vjet. Por çmimi i kërkuar me shumicë arriti 25 lekë për kg, apo 50% më pak se vjet.
Sipas të dhënave të INSTAT në rang vendi, në vitin 2023 u prodhuan 117,1 mijë tonë qepë të thatë. Në raport me 2022 prodhimi u rrit rreth 8%.
Ndërsa shitja e grurit ka hyrë në vitin e dytë të krizës. Sivjet çmimi i kërkuar i shitjes varion nga 21 deri 23 lekë për kg nga 28 lekë për kg që u kërkua vitin e kaluar nga 21 deri 33% më pak se vjet. Edhe për grurin sipas fermerëve çmimi i kërkuar është komplet nën kosto./Monitor/
Ky kerkon te mbijetoje,po keshtu kerkon dhe ai tregetari i shumices e pakices,po keshtu dhe bleresi.S.d.q. nuk eshte e thene qe t'a hidhni dem pataten.Ne vend qe t'a lini te kalbet, perpunojeni,nxirrni niseshte e miell patateje.Me miellin e patates mund te besh buke njelloj si ajo e bere prej gruri.
Përgjigjuqeveri leshi,,,vendosni more pisa taksa ne kufi per importet...
Përgjigju