Në burgun e Bradasheshit është zhvilluar një kontroll i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se gjatë kontrolleve në qeli është gjetur alkool dhe pajisje për përhapje të internetit në ambientet e kushinës, e cila frekuentohet nga të paraburgosurit dhe të dënuarit.

Kontrollet janë kryer të shtunën, por vetëm ditën e sotme janë zbardhur detaje nga ky aksion, i nisur me urdhër të SPAK.

Kujtojmë se prej dy javësh, në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan është dërguar edhe biznesmeni Ergys Agasi. Pasi GJKKO la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj tij, Agasi është transferuar nga Blloku i Sigurisë në një qeli paraburgimi në Bradashesh.

Ndaj Agasit ishte caktuar që prej dhjetorit të kaluar masa “arrest në burg” në mungesë. SPAK e akuzon se ishte në krye të një grupi kriminal që, përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit, paracaktonte tenderët e AKSHI-t. Ai akuzohet për të paktën 7 vepra penale. Pas 8 muajsh në arrati, Agasi u arrestua më 26 gusht në Durrës.