'Këndi i Ekspertit'/ Kontrollet që të shpëtojnë nga kanceri i ezofagut

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të premte ka qenë i ftuar Eugjen Kulli, mjek gastrolog pranë Spitalit SALUS. Eksperti ynë ka sqaruar qytetarët për ekzaminimet për traktin tretës, gastroskopinë dhe kolonoskopinë, të cilat janë shumë të rëndësishme për të kontrolluar rrugët e aparatit tretës. Nëpërmjet kësaj procedure kontrollohet ezofagu me problemet e tij, nga më të thjeshtat e deri tek ato më të rëndat, siç është kanceri i ezofagut, i cili është një ndër kancerët më agresivë të trupit të njeriut. Gjithashtu mjeku u është përgjigjur pyetje live në Report TV të qytetarëve të ndryshëm.

Sot do të flasim për gastroskopinë dhe kolonoskopinë, të cilat janë ekzaminimet për traktin tretës. Çfarë janë këto?

Këto janë dy procedura të rëndësishme të traktit tretës. Gastroskopia bëhet për traktin e sipërm tretës dhe kolonoskopia bëhet për traktin e poshtëm tretës, për zorrën e trashë. Në rastin e gastroskopisë janë procedurat klasike të asaj që quhet në një term më të gjerë, endoskopia. Endoskopia nuk është vetëm e traktit tretës, si të thuash pronë e gastrologëve, por endoskopi bën edhe gjinekologu. Por më klasikja, gastroskopia ështe term që të shikosh brenda, term ky që vjen nga greqishtja. Pra të shikosh nga brenda traktin e sipërm tretës. Ndërsa për zorrën e trashë është kolonoskopia. Me një sondë që hyn në kavitetin e sipërm nga goja, faringu, sheh ezofagun pastaj stomakun dhe kalohet deri në zorrën e hollë me gastroskopinë. Ndërkohë, me kolonoskopinë bëhet e njëjta procedurë, por për zorrën e trashë.

Për këto ekzaminime, në disa raste përdoret mpirja lokale. Në këtë rast pacienti është koshient. Përdoret edhe sedacioni koshient, që është një lloj përgjumjeje me anën e një ilaçi. Në këto raste ky ilaç bën që pacienti ta kujtojë fare pak ekzaminimin që i është bërë.

A është i vështirë ky ekzaminim për ta kryer? Duhet të tremben pacientët?

Jo, ekzaminimi nuk është i vështirë. Më tepër këtu në Shqipëri qarkullon një lloj legjende, që ky ekzaminim është i vështirë. Por e vërteta është se nuk është i vështirë.

A ekziston ndonjë rrezik për pacientin gjatë kryerjes së këtij ekzaminimi nga mjeku?

Zakonisht jo, por mjekët gjatë kryerjes së këtij ekzaminimi janë gjithmonë të kujdesshëm. Gjatë kryerjes së endoskopisë kryhen edhe procedura të kapjeve ose të qepjeve të vogla.

Çfarë tregojnë rezultatet?

Rezultatet tregojnë atë që është. Shihet ezofagu me problemet e tij, nga më të thjeshtat e deri tek ato më të rëndat, siç është kanceri i ezofagut, i cili është një ndër kancerët më agresivë të trupit të njeriut.

A ka shërim në këtë rast? Cilat janë kurat?

Për problemet e thjeshta, sigurisht që ka. Me terapinë antiacide ndërhyhet në rastin e diagnozës së ezofagitit peptik, i cili do të thotë dëmtim i mukozës nga acidi i kthyer, nga refluksi ezofagal që është një sëmundje e rëndësishme. Pra acidi që prodhohet në stomak, kur ngjitet lart në ezofag dhe kalon 4% të kohës, atëherë shkakton dëme, jep erozione. Në këtë rast ndërhyhet me terapinë e antiacidit. Ranididina është ndër mjekimet e para por sot përdoren edhe mjekime të tjera. Pastaj në rastet e sëmundjeve të tjera të rënda si kanceri p.sh., duhen bërë ndërhyrje kirurgjikale.

Flas nga Shkodra. Ndonjëherë ndiej nga stomaku një ndjesi sikur më merret fryma. Më duket sikur kam edhe takikardi. Nuk kam shkuar te mjeku se nuk e kam pasur të shpeshtë si problem. Kur pi Ranital qetësohem.

Fakti që zonja qetësohet pasi merr ilaçin, Ranitalin, i cili është klasik si mjekim, një ndër antiacidët e parë, tregon që në stomakun e saj ka një aciditet të shtuar. Në këtë rast ky mjekim mund të vazhdojë ose edhe mund të përforcohet, por sigurisht që zonja duhet të paraqitet te mjeku specialist për të bërë ekzaminimet e duhura, për të gjetur diagnozën e saktë dhe pastaj, sigurisht për të marrë mjekimin e duhur. Me kaq sa thotë zonja, mua nuk më duket ndonjë gjë serioze, por është një indikacion. Një kontroll te mjeku specialist, gjithashtu edhe ekzaminimi me endoskopi duhet bërë edhe për të sqaruar patologji të tjera që mund të kenë lidhje në këtë rast dhe për të marrë pastaj masat e nevojshme.

Flas nga Tirana. Herë pas here ndiej djegie në stomak. Çfarë më këshilloni që të bëj?

Djegia e urthit është simptoma kryesore e asaj që në mjekësi quhet refluks, pra sëmundja e refluksit gastroezofagial, bashkë me kthimin e lëngjeve. Këshilla ime në këtë rast është që, ose të fillohet ndonjë terapi me omeprazol apo me pandoprazol, të cilët i përkasin së njëjtës familje, janë antiacide të forta që e qetësojnë. Ndoshta zotëria mund ta ketë provuar këtë sepse në këto raste pacientët e fillojnë këtë trajtim edhe me këshillat e farmacistëve. Por, nëse këto simptoma zotëria i ka prej një kohe të gjatë, sigurisht që unë i këshilloj ekzaminimin me gastroskopi për të parë qartë dhe saktë problemin sepse mund të ketë shkaktuar edhe dëme në ezofag, si dhe konsultën me mjekun specialist, për të ndjekur terapinë e duhur mjekësore.

Shumë prej nesh, i ka provuar këto ndjesi, si djegie në stomak apo refluksin dhe gjëja e parë që ka bërë është përdorimi i Ranitalit, që në këtë rast luan rolin e qetësuesit. A duhet të veprojmë kështu nëse kjo gjendje na përsëritet vazhdimisht?

Kur simptomat zgjasin në kohë, duhet patjetër që të bëhen ekzaminime për të kontrolluar stomakun. Është njëlloj si të trajtosh tensionin arterial të gjakut me mjekime, por pa e matur kurrë atë. Edhe në këtë rast, nuk mund të marrë gjithnjë ilaçe për ta qetësuar stomakun, pa e kontrolluar atë se çfarë problemi ka. Ekzaminimi nuk është i vështirë për t’u bërë, por është shumë i rëndësishëm.

Cilat janë ato simptoma që duhet të na bëjnë të dyshojmë se kemi një problem, i cili duhet ekzaminuar dhe duhet kuruar patjetër?

Simptomat duhet parë sepse, siç na tha zonja nga Shkodra, disa persona e arrijnë vetë suksesin e mjekimit të simptomave. Por gjithsesi, simptoma kryesore është ndjesia e djegies, e urthit, simptomë kjo e rëndësishme. Një simptomë tjetër janë të vjellat, që mund të jenë menjëherë pas marrjes së ushqimit, por edhe pas një ose dy orësh. Ky është një indikacion tjetër. Nëse këto simptoma përsëriten në kohë, atëherë ato duhen shqyrtuar patjetër. Simptomë tjetër është disfagia, pra ngecja e ushqimit, e ngjashme me ato raste kur ngec ftoi apo një hurmë e fortë. Kjo është një simptomë e rëndësishme. Gjithashtu edhe të vjellat me gjak. Kjo është një simptomë alarmante. Simptomë tjetër është edhe rënia e madhe në peshë. Edhe kjo është e rëndësishme. Personat që dikur, para disa kohëve, kanë operuar stomakun duhet të kenë shumë kujdes. Duhet që ta kontrollojnë stomakun e tyre. Simptomë tjetër është defekimi apo dalja jashtë me ngjyrë të zezë. Kjo njihet ndryshe edhe me emrin melenë. Ky është një indikacion që duhet vlerësuar dhe menjëherë duhet kryer ekzaminimi me endoskopi apo gastroskopi.

Të flasim pak edhe për kolonoskopinë.

Siç e thashë dhe më parë, kolonoskopia është ekzaminimi që kryhet për zorrën e trashë, pra për traktin e poshtëm tretës. Para ekzaminimit pacienti merr laksativë, të cilët bëhnë pastrimin e zorrës së trashë. Një nga problmet që hasen më shpesh në zorrën e trashë janë polipet. Polipet janë shtime të qelizave mukozale të mukozës së zorrës së trashë, por janë një pararendës, një prekursor i kancerit. Adenoma është pararendës i kancerit të zorrës së trashë dhe falë kolonoskopisë ne kemi mundësinë e heqjes apo të shkurtimit të hallkës së malinjizimit në këtë fazë fillestare. Pra, në një farë mënyre, krahas diagnostikimit apo kontrollit të zorrës së trashë me anën e kolonoskopisë bëjmë edhe punën e parandaluesit, duke e hequr polipin. Kolonoskopia apo sonda, siç njihet më gjerësisht, shkon dhe ekzaminon deri në fundin e zorrës së trashë apo deri te zorra qorre. Gjatë tërheqjes së saj bëhet vëzhgimi më i mirë dhe më i kujdesshëm i mureve të zorrës. Ka raste edhe që sonda nuk mund të arrijë deri në fund sepse mund të hasë në pengesa. Gjatë ekzaminimit, parimi kryesor është që të mos krijohen dëmtime.

Të flasim pak për përcaktimin e terapisë.

Terapia gjithmonë është në varësi të asaj se çfarë shihet gjatë ekzaminimit. P.sh. tek ulçerat, gjatë kryerjes së gastroskopisë janë të gjitha mundësitë për të marrë edhe biopsi. Analizimi i biopsisë përcakton saktë edhe gradën e gastritit, të inflamacionit të mukozës së stomakut dhe të një shkaktari madhor, i cili është një mikrob që shkakton gastritin, ulçerat, por edhe kancerin gastrik të stomakut. Pra, marrja e biopsisë në këto raste është përcaktuesi më i mirë dhe në bazë të rezultatit të saj përcaktohet edhe terapia që duhet ndjekur.

b.ha./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump