REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT
NJOFTIM PËR VENDE TË LIRA PUNE
Kontrolli i Lartë i Shtetit shpall konkursin për vende të lira pune:
1. Për 1 (një) vend në pozicionin e Kryeaudituesit në Departament Auditimi.
- Kërkesat për kandidatët e këtij vendi pune janë:
-Të kenë kryer arsimin e lartë dhe të jetë diplomuar jo më poshtë se Niveli DND në Ekonomik ose Drejtësi.
-(Do favorizohen kandidatët që zotërojnë dhe një diplomë të dytë DND).
-Të ketë eksperiencë pune në fushën e tatim –taksave apo doganave mbi 10 vjet.
- Të mos jetë larguar nga detyra për shkelje.
-Të zotërojnë gjuhën angleze dhe një gjuhë të dytë të huaj të një prej vendeve të BE-së.
-Të zotërojnë programet bazë të kompjuterit; teknikat CAAT në Auditim, programin IDEA si dhe programet e Mbajtjes së Kontabilitetit Alpha/Finaca.
-Të kenë aftësi të mira menaxhuese dhe komunikuese.
Paga mujore për këtë vend pune është në nivelin e pagave të shërbimit civil.
Përshkrimi i punës
Rakordon punën dhe harton planet mujore të punës, konform detyrave që mbulon, dhe ia paraqet drejtorit të departamentit. Merr pjesë në hartimin e tematikave dhe programeve të auditimit së bashku me përgjegjësit dhe grupet e auditimit. Kontribuon në parashikimin e nivelit të mundshëm të materialitetit e të riskut. Shqyrton materialet e përgatitura dhe dorëzuara nga grupet e auditimit dhe në bashkëpunim me juristin e departamentit jep gjykimin e tij për ecurinë e mëtejshme të auditimit dhe ia paraqet me shkrim drejtorit të departamentit. Në bashkëpunim me drejtorin e departamentit përgatit dhe dorëzon për hartimin e buletineve, raportet e auditimit të evaduar dhe të dhënat statistikore periodike 3-mujore. Mbi bazën e të dhënave të rezultateve të auditimeve ndihmon drejtorin e departamentit në përgatitjen e analizave periodike 3-mujore të departamentit. Evidenton dhe regjistron të dhëna për cilësinë e materialeve të auditimit për çdo auditim të përfunduar dhe evaduar, të cilat ia paraqet drejtorit të departamentit për hartimin e raportit vjetor për vlerësimin e kontrollit të cilësisë. Jep mendime dhe bën propozime për përmirësimin e punës së departamentit, të institucionit dhe propozon për vlerësimin e punës së audituesve.
Paraqitja e dokumenteve
Kandidatët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore dhe Etikës deri në datë 30 janar 2015 këto dokumente: Letër motivimi për aplikimin në vendin vakant, CV-në, kopje të diplomës së shkollës së lartë dhe të kualifikimeve pasuniversitare, kopje e listës së notave dhe librezës së punës të gjitha të noterizuara, fotokopje e letërnjoftimit, rekomandime nga punëdhënësit e mëparshëm, dëshmi penaliteti, dokumente te tjera (nëse ka), që i çmon se mund t’i vlejnë për vlerësimin e përgatitjes arsimore dhe profesionale, si dhe dëshmi të zotërimit të gjuhëve të huaja.
Konkurrimi
Konkurrimi është i hapur për nëpunësit civilë nëpërmjet procedurave të pranimit. Përpara zhvillimit të testimit me shkrim kandidatët do ti nënshtrohen kontrollit të njohurive në gjuhët e huaja sipas kërkesave të vendit të punës.
Konkurrimi do të bazohet në njohuritë për Kushtetutën, ligjin nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, ligjin nr. 152/2013, “Për Nëpunësin Civil”, ligjin nr. 9131, datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, “Rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të KLSH”,“Standardet e kontrollit të KLSH”dhe “Standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t, mbi njohuritë dhe të dhënat që jepen në serinë e botimeve të KLSH-së 2012-2014, si dhe në faqen zyrtare të KLSH-së në internet”.
Në faqen zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit www.klsh.org.al, më datë 2 shkurt 2014 do të shpallet lista e verifikimit paraprak të kandidatëve, si dhe datat e zhvillimit të konkurrimit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit