Konventa, programi
si do qeverisë PS

Konventa, programi <br />si do qeverisë PS
Gazeta "Shqiptarja.com" publikoi sot në mënyrë të përmbledhur se çfarë do të thonë për programin, një pjesë e referuesve të PS, në Konventën dy ditore të socialistëve.

Saimir Tahiri
- Rendi,siguria: “Duam një Shqipëri të rilindur që në territorin tonë, në mbrojtje të Kushtetutës e të ligjit, për të garantuar sigurinë e çdo individi e paprekshmërinë e çdo prone private apo publike, do ketë një polici besnike të shtetit e të qytetarit. Në 300 ditët e para ne do rivëmë policinë e shtetit në krye të detyrës e do tu kthejmë shqiptarëve sigurinë e humbur”.

Ditmir Bushati
- Evropa: “Të vetëdijshëm për përkatësinë tonë evropianë në zemër e kulturë vlerësojmë se aderimi në BE përbën objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit e transformimit të shoqërisë, në përputhje me vlerat e parimet e BE. Një Shqipëri që shkon drejt BE duke ndërtuar shoqërinë e dijes dhe të bashkëjetesës demokratike, të mirëqenies ekonomike, të shërbimeve publike në çdo zonë të vendit. Shqipëria Evropiane për ne s’është sllogan por projekt politik e qeverisës. Eshtë projekti politik i rrugës së bashkimit tonë kombëtar nën flamurin e BE, projekti qeverisës i një Rilindjeje Kombëtare”.

Mimi Kodheli
- Papunësia dhe punësimi: “Në Shqipërinë e sotme janë një milionë të papunë. Ne duam një Shqipëri të rilindur përmes punësimit real. Do 10-fishojmë financimin publik për punësimin. Të gjithë të papunëve të regjistruar do t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda dy viteve. Gratë e papuna do gjejnë tek ne mbështetje që nuk e kanë pasur kurrë”.

Taulant Balla
- Korrupsioni: “Duam një Shqipëri të rilindur përmes një qeverisjeje transparente. Do të bëjmë transparencë për çdo praktikë abuzive apo të dyshimtë privatizimi, ose koncensioni dhe do t’i kthejmë publikut çdo pasuri të përfituar me korrupsion, duke kërkuar ndëshkim për çdo shkelës të ligjit. Kush pyet se ku do ti gjeni lekët për programin e Rilindjes, i themi se mos harro që në 7 vitet e qeverisjes së Saliut janë zhdukur nga Shqipëria 1.2 miliardë dollarë e po kaq të tjera janë dëm ekonomik. Mjafton të godasim ashpër korrupsionin, krimin ekonomik dhe evazionin fiskal për të financuar rilindjen që Shqipëria meriton”.

Ermonela Felaj
- Drejtësia: “Një qeverisje e drejtë është themeli i një shteti të së drejtës. Kur qeveria shkel përditë liritë e të drejtat kushtetuese të qytetarëve e s’lë ditë pa bërë një zullum në shkelje të ligjit, nuk ke çfarë drejtësie kërkon në dyert e gjykatave. Duam një Shqipëri të rilindur përmes votës së popullit sovran që do zgjedhë një qeveri në shërbimin e vet. Me një qeveri që do t’i shërbejë popullit, interesave kombëtare dhe publike të shqiptarëve. Do hapim rrugën e drejtësisë që bën drejtësi”.

Lindita Nikolla
- Biznesi i vogël: “Ne duam nbjë Shqipëri të rilindur përmes biznesit të vogël. Më shumë se 400 mijë njerëz janë të vetëpunësuar me biznes të vogël dhe kanë sot një barrë taksash më të rëndë se një biznesmen i madh. Në blloqet e veresies të dyqaneve të biznesit të vogël janë sot rreth 150 milionë euro ushqime të papaguara. Tani qeveria u kërkon ta paguajnë dhe 70 dollarë më shumë për kokë për sigurime shoqërore. Ne do heqim menjëherë taksën e biznesdit të vogël për t’u dhënë frymë këtyre 400 mijë njerëzve. Do mbështesim rritjen e numrit të vetëpunësuarve”.

Arben Ahmetaj - Biznesi i madh: “Ne duam një Shqipëri të rilindur përmes një aleance strategjike me biznesin. Taksimi i ndershëm s’do thotë më shumë rëndesë për biznesin e madh, por më shumë kontribut, më shumë liri, ligjshmëri, shtet në shërbim të biznesit. Asnjë biznesmen s’do të jetë nën shantazhin e pushtetit dhe nën sulmin e gjobvënësve të pushtetit. Konkurrenca do jetë e lirë e marrëdhënia e qeverisë me biznesin do jetë transparente, për të mirën e biznesit e të vendit tonë që përmes biznesit do të rrisë dhe mirëqenien”.

Vangjush Dako - Turizmi: “Shqipëria që duam të rilindim do ketë një ofertë turistike të re e të unifikuar me Kosovën. Gjithçka disponojmë në thesarin tonë të trashëgimisë së lashtë e moderne në trojet shqiptare do ta vëmë në dizpozicion të turizmit. Mjediset rurale me klimë, peisazh, zakone e kulinari të larmishme do përfshihen në ofertën turistike shqiptare për vizitorët vendas dhe të huaj, nga Brezovica në Butrint. Por dhe në qytetet tona ne kemi një plan të ri për të zhvilluar industrinë e turizmit”.

Ilir Beqja
- Bujqësia: “Fshati është i braktisur nga shteti. Zhvillim rural jo braktisje të fshatit është rruga jonë për Shqipërinë që duam të rilindim. Do 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e bujqësisë, rimëkëmbim sistemin e kanaleve ujitëse e kulluese, do heqim akcizën e taksën e qarkullimit të naftës bujqësore, do hapim rrugët e daljes së prodhimit në treg, do kemi hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor e blegtoral do ndërtojmë urën e një bashkëpunimi të ngushtë me Kosovën për zhvillimin e integruar të bujqësisë e blegtorisë në dy shtetet shqiptare. Bashkimi doganor është pjesë e programit tonë”.

Eduard Shalsi
- Mjedisi: “Shqipëria që duam të rilindim do të ketë një zhvillim të gjelbër. Kurrë më shkatërrime pyjesh, lumenjsh, plazhesh apo qendra të trashëgimisë kulturore si Kruja nën renë e ndotjes prej shfrytëzimit barbar të natyrës. Plani i përgjithshëm kombëtar do t’i japë fund shfrytëzimit kuturu të tokës, vendi për zhvillime me pasoja të rënda mbi nëj pasuri kombëtare kaq të cënuar në këto vite si toka e bukës apo peisazhi i mrekullueshëm i Shqipërisë. Agjencia kombëtare e Bregdetit do të hapë një epokë të re zhvillimi harmonik mes turizmit dhe natyrës”.

Niko Peleshi - Qyteti: “Shqipëria që duam të rilindim do të çlirojë qytetet nga plagët e gjithë këtyre viteve politikash qorre dhe buxhetesh të varfra. Programi ynë për qendrat e banuara ka një qasje të re komunitare. Planet e zhvillimit do të fillojnë më në fund të realizohen. Nga Tiranë në Durrës, Elbasan e Korçë, nga Kukësi në Peshkopi, Shkodër, Lezhë Fier e Vlorë do shtrihet rruga e rilindjes së ëndrrave e shpresave të vrara në këto vite rrënimi të vazdueshëm. Berati dhe Gjirokastra do rilindin si dy qendra të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare por dhe botërore”.

Shkëlqim Cani
- Pronësia: “Shqipëria që duam të rilindim ka një çështje pronësore për të zgjidhur njëherë e mirë: Pronarëve që duan t’u kthehet prona, fermerëve që duan të përfitojnë pronësinë nga procesi i legalizimit u duhet me patjetër një pronë e regjistruar e me certifikatë. Ne do t’ua japim. Do t’u garantojmë të gjithëve një pronësi të plotë dhe të qarkulllueshme në tregun e tokës e të pasurive të patundshme. Mirëqeverisja jonë do shtojë vlerën e çdo pasurie të patunshme në Shqipëri”.

Ledi Shamku - Arsimi parauniversitar: Shqipëria që duam të rilindim ka një çështje për të zgjidhur, atë të arsmimit parauniversitar. Do të bëjmë gjithçka që arsimit shqiptar t’i rikthehet dinjiteti, arsmitarët do jenë të mirëpaguar e jo nën presionin e politikës.

Milena Harito - Teknologji e informacionit dhe Inovacioni: “Në Shqipërinë që duam të rilindim teknologjia dixhitale do jetë një mundësi e re për të kapërcyer barrierat ekonomike dhe financiare. Me futjen e tabletave dixhitale në arsim ne do shembim pengesat që ndajnë ekonomikisht dhe shpeshherë dhe gjeografikisht fëmijët e varfër nga bota shkollore. Në shëndetësi tableti dixhital do të kurojë korrupsionin kanceroz ndërsa në shërbimet e shtetit ndaj publikut teknologjia do hapë një epokë të re”.

Alfred Peza
- "Free Media": “Në Shqipërinë që duam të rilindim s’do ketë më reklama qeveritare për të ushqyer media antiopozitare. TVSH-ja do të bëhet modeli i shërbimit publik dhe informacionit pluralist. Epoka e ekraneve private të nënës dhe njerkës do të mbyllet më 23 qershor. Asnjë sipërmarrës në shtyp nuk do ndjejë më presionin e pushtetit për shkak të linjës editoriale. Qeverisja jonë do të garantojë normën kushtetuese të lirisë së informacionit për të gjithë veprimtarinë e saj.

Eglantina Gjermeni - Varfëria dhe solidariteti: “Sot të varfërit apo personat me aftësi të kufizuar kanë humbur edhe të drejtën më minimale, të drejtën për t’u dëgjuar. Të papunët kanë humbur edhe të drejtën për t’u regjistruar si të papunë. Vajzat dhe gratë vuajnë gjithnjë e më shumë pabarazinë gjinore. Për Shqipërinë që duam të rilindim do kemi një qeveri që do të kurojë me përkushtim plagën e madhe të nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor”.

Keti Bazhdari - Të përndjekurit politikë: “Socialistët përulen përpara martirëve e viktimave të rezistencës antikomuniste si dhe vlerësojnë me nderim sakrificat dhe vuajtjet e të përndjekurve politikë në diktaturën enveriste. Ne marrim përsipër t’i japim fund njëherë e përgjithmonë hipokrizisë e abuzimit 20 vjeçar me këtë shtresë. Programi ynë për një Rilindje Shqiptare do ketë në vëmendje të veçantë ish të përndjekurit politikë e do të shtrihet në 3 linja, të integrimit ekonomik, integrimit social dhe moral. Në planin ekonomik do rrisim grupin e përfituesve mbi bazën e kritereve ligjore duke përfshirë të gjithë ata që janë lënë jashtë skemave të dëmshpërblimit e që u takon. Do t’i jepet me një këst dhe brenda një viti dëmshpërblimi të gjithë atyre ish të përndjekurve që janë mbi 75 vjeç duke u njohur statusin e të përndjekurve politikë”.

Elisa Spiropali - Rinia: “Papunësia rinore është sot kërcënimi më i madh për të nesërmen e vendit tonë. Në Shqipërinë që duam të rilindim, çdo djali dhe vajze të papunë nën moshën 25 vjeç do t’i ofrohet mundësia e një trajnimi profesional falas. Do financojmë me mikrokredi të rinjtë që duan të vetëpunësohen përmes një biznesi të vogël. Llotaria kombëtare do t’i kthehet publikut dhe me të ardhurat e saj do financojmë sportin e politikat tona të reja rinore”.

Olta Xhaçka - Dhuna ndaj grave: “Në Shqipërinë e rilindur do të përgjysmohet papunësia femërore. Të gjitha grave dhe vajzave do t’u ofrojmë një shans punësimi, vetëpunësimi ose trajnimi. Qeverisja jonë do jetë shembullore në betejën për barazi gjinore dhe kundër dhunës ndaj grave. Ne s’do lejojmë më që nga më shumë se gjysma e lindjeve të kemi fëmijë nënash të pasiguruara. Do të financojë shteti barrëlindjen e çdo gruaje”.

Fidel Ylli - Sporti: “Çdo lek i investuar në sport do thotë të paktën dy lekë i kursyer në shëndetësi. Shqipëria do rilindë dhe përmes rilindjes së sportit për të gjithë. Do kultivojmë talentin sportiv dhe do nxjerrim dhe kampionë në rang botëror në disa sporte, por në radhë të parë do të prodhojmë kulture sportive në shkollë, universitet dhe komunitet. Sepse për ne kultura sportive është burimi i zhvillimit qytetar, social e ekonomik”.

Erjon Veliaj - Emigracioni: “Nga vota e 23 qershorit për një Rilindje Shqiptare do dalë qeveria e parë që u shërben njësoj të gjithë shqiptarëve, përfshi dhe ata që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Në kuadër të shërbimit të jashtëm do krijojmë shërbime të posaçme për emigrantët sipas praktikave të mira. Televizioni Publik do ketë një kanal satelitor vetëm për transmetime edukuese dhe kulturore, ku pjesën e tyre do kenë edhe emigrantët dhe fëmijët e tyre. më pas emigrantëve do tu japim të drejtën e votës aty ku ndodhen për të zgjedhur qeverinë këtu në atdheun e tyre”.

Shkkrimi u publikua në të përditshmen Shqiptarja.com
Redaksia online
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë