Konventa zgjedhore e LRI në Vlorë
 kryetare zgjidhet Enada Kociraj

Konventa zgjedhore e LRI në Vlorë<br /> kryetare zgjidhet Enada Kociraj
Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi Konventën Zgjedhore të Vlorës ku morën pjesë edhe disa personalitete të larta të LSI-së. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin deputeti i qarkut të Vlorës, Shkëlqim Selami, Nënkryetarët e LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Braimllari, etj. 

Duke folur gjatë Konventës, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj tha se është momenti që të rinjtë të bashkohen dhe të tregojnë forcën e tyre për të ndryshuar politikën shqiptare dhe për të vënë interesat e vendit mbi interesat personalë. 

Jemi përpjekur gjatë këtyre viteve të bëjmë punë të mëdha. Disa herë ia kemi dalë, disa herë ka qenë më e vështirë dhe prandaj ne punojmë çdo ditë që më shumë të rinj të jenë të përfshirë në vendimmarrje sepse sa më të shumtë jemi ne, aq më të lehta do të jenë punët të cilat ne do të bëjmë. Është ky momenti kur ne duhet të bashkohemi dhe të tregojmë forcën tonë për të ndryshuar politikën shqiptare, për të thënë që interesat e vendit janë mbi interesat individuale. Për të thënë se interesat e qytetarëve dhe nevojat e vendit tonë janë më të mëdha se sa ato që ne personalisht kemi dhe vetëm të rinjtë janë ata që mund t’i dalin për të sjellë një frymë të re në Shqipëri”, Mehmetaj.

Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari deklaroi në fjalën e tij se klasa politike duhet t’u shërbejë të rinjve e të reja dhe duhet t’u krijojë mundësi arsimimi dhe përfaqësimi në mënyrë dinjitoze. Braimllari theksoi se LRI-ja sot është forumi rinor më aktiv në Shqipëri dhe që mbron interesat e të rinjve. 

Sot vijmë me një LRI shumë më të madhe se ajo që themeluam, me një LRI më aktive, më të hapur dhe më gjithëpërfshirëse. LRI në mënyrë të qartë është forumi rinor i vetëm aktiv në vend, është forumi rinor i cili mbron interesat e të rinjve dhe sot ndihemi krenarë që LRI përfaqësohet kudo. Klasa politike duhet t’u shërbejë të rinjve dhe të reja, klasa politike duhet t’u krijojë mundësi të rinjve dhe të reja të arsimohen, të edukohen dhe duhet t’i krijojë mundësi të përfaqësohen në mënyrë dinjitoze, sepse kur flasim për profesionalizëm nuk mund të lëmë pas arsimimin. Ne kemi nevojë për një sistem arsimor që prodhon lidership sa i takon ekonomistëve të zotë, mjekëve të zotë, inxhinierëve të zotë. Për të realizuar këtë duhet vullnet i plotë, duhet energji pozitive, por mbi të gjitha duhet bashkëpunim dhe ndaj ne investojmë jashtëzakonisht shumë te rinia sepse kemi besimin që rinia nuk është vetëm e ardhmja, por është edhe e tashmja. Kemi besimin që të rinjtë dhe të rejat e Vlorës janë të aftë ta menaxhojnë vetë Vlorën, janë të aftë t’i shërbejnë vetë Vlorës”, - tha Braimllari. 

Në fjalën e tij përshëndetëse para të rinjve, deputeti Shkëlqim Selami theksoi se premtimet për Vlorën janë bërë realitet, ndërsa renditi dhe një sërë projektesh që kanë nisur e që janë në realizim e sipër. 

Absolutisht që unë jam krenar sot, sepse 90 për qind e atyre premtimeve janë bërë realitet. Në përfundim kemi Lungomaren. Kemi përfundimin e fazës së parë të portit. Kemi fillimin e punimeve që kanë kohë që kanë filluar si By-pass-i i Vlorës. Kemi bashkimin e autostradës me Transballkaniken dhe këto janë disa investime strategjike që janë garanci jo vetëm për ju, por për të gjithë qytetarët e Vlorës, që Vlora nesër të mos jetë Vlora me 180-200 mijë banorë, por të jetë me 300 mijë banorë dhe të kthehet vërtet në një metropol të dytë". 

Duke marrë fjalën gjatë Konventës Zgjedhore të Tiranës, kandidatja për Kryetare të LRI-së, Floida Kërpaçi u shpreh se të rinjtë e LRI do të vijojnë të punojnë pa u lodhur për të thyer çdo barrierë që ndan rininë shqiptare nga ajo europiane.

Ne do të vazhdojmë që të qëndrojmë mbi politikën e vjetër. Do të vazhdojmë të punojmë me vullnet për të ecur përpara e së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim do të thyejmë çdo mur apo barrierë që e ndan rininë shqiptare nga shanset dhe mundësitë europiane, që ju ndan ju nga e ardhmja europiane”, tha Kërpaçi. 

Kandidati për kryetar të LRI-së, Klevi Pojana shprehu bindjen se LRI është forumi më i madh dhe më i arrirë sot në Shqipëri. 

“Sigurisht LRI është zëri i rinisë, është shpresa e Shqipërisë, është forca e zhvillimit dhe e progresit. Rinia vlonjate dhe rinia e Shqipërisë e ka garancinë e saj që do të jetë gjithmonë e mbështetur, ka garancinë e Ilir Metës i cili u ka injektuar të gjithë deputetëve, të gjithë drejtuesve të LSI-së, ndjesinë për të qenë rinorë, ndjesinë për të qenë përfaqësues të rinisë, për të qenë mbështetësit më të mëdhenj dhe suporti më i madh për rininë e të gjithë Shqipërisë”, theksoi Pojana.

Pas fjalimeve u kalua edh në procesin e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të LRI Vlorë ku nga 161 delegatë, Enada Kociraj u shpall fituese pasi mori 97 vota, ndërsa kandidati tjetër Sami Meta mori 64 vota.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi