Punonjësi i një lokali në Koplik ka rënë në prangat e policisë, ndërkohë në kërkim është shpallur administratori.

Lokali ishte përshtatur për lojëra fati dhe shitje të lëndëve narkotike.

Si provë materiale u sekuestruan 6 makineta për lojëra fati, një qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe një grirëse për lëndët narkotike. 

“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, finalizuan operacionin e koduar “MULTIGAMES”.     

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kryen kontroll në një lokal në qytetin e Koplikut, ku gjetën 6 makineta elektronike për lojëra fati, një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe grirëse për lëndët narkotike.   

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 47 vjeç, punonjës i lokalit, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. C., 51 vjeç, të dy banues në Koplik, administratori i lokalit. Punohet për kapjen e tij”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë