KORCE - Shembet gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së mërkurës shtëpia e patriotit Themistokli Gërmenji, ku në vitin 1916 u shpall Krahina Autonome e Korçës.

Godina, e cila ishte shpallur monument kulture, dyshohet të jetë shembur me mjete të rënda, por nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për interesa të pronarëve, apo për ngritjen e ndonjë godine të re.

Menjëherë pas ngjarjes kryetari i bashkisë Niko Peleshi në një prononcim për mediat, ka pohuar se janë njoftuar institucionet përgjegjëse dhe i ka bërë thirrje policisë të verë përpara ligjit përgjegjësit e këtij akti të shëmtuar.

Niko Peleshi Kryetar i Bashkisë Korçë u shpreh: “Nuk është e falshme që historia e Korçës të goditet në zemër në një nga pjesët e saj më të shkëlqyera. Denoncoj publikisht dhe para organeve të drejtësisë aktin e turpshëm të një nate më parë”.

Ndërkohë për shembjen e shtëpisë të patriotit Themistokli Gërmenji, ka reaguar dhe drejtorja e Monumenteve të Kulturës, Korçë Jorida Nemacka. Në prononcimin e saj për mediat, Nemacka ka dënuar veprimin e kryer, duke konfirmuar se shembja është bërë me mjete të rënda.
(da.is/Shqiptarja.com)