KORCE - Një sherr mes kryeplakut të fshatit Dërsnik dhe një polici të pikës kufitare të Kapshticës ka përfunduar në përdorimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45 në qytetin e Korçës dhe fatmirësisht ka përfunduar pa viktima.

Kulmi i konfliktit mes të dyve u regjistrua pranë qendrës së qytetit, në afërsi të xhamisë së vjetër të “Iliaz Bej Mirahorit”. Por konflikti mes kryeplakut të fshatit Dërsnik, Iliaz Dine, dhe policit kufitar Isa Bregu, kishte lindur më herët për motive të dobëta, në një prej lokaleve të qytetit. Më pas dy personat kanë kaluar në konfrontimin fizik e deri në përdorimin e armëve.

Policia e Korçës ka bërë të ditur se ka qenë kryeplaku i fshatit Dërsnik ai që ka qëlluar në drejtim të policit me pistoletë. Ky i fundit fatmirësisht ka shpëtuar pa u prekur nga plumbat.

Me të mbërritur në vendngjarje, policia nisi hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat si dhe kapjen e autorëve, të cilët ndërkohë ishin larguar.

(da.is/im/shqiptarja.com)