KORCE- Tregtarët e mallrave industrialë në pazarin e Korçës kanë protestuar para institucionit të bashkisë për kushtet aspak të përshtatshme të punës. Tregtarët janë transferuar rreth një muaj më parë në një magazinë që dikur ka qenë uzina mekanike bujqësore, pasi tregu i vjetër iu nënshtrua rikonstruksionit.

Sipas tyre në tregun ku janë zhvendosur mungojnë kushtet minimale për ushtrimin e aktivitetit. Situata vështirësohet edhe më shumë gjatë shirave, pasi çatia pikon, duke përmbytur të gjithë mallin.

Tregtarët i kërkojnë bashkisë të marrë masa pasi ky është aktiviteti i vetëm nëpërmjet të cilit sigurojnë të ardhurat për të mbajtur familjen.

Nga disa prej tregtarëve ka pasur edhe pretendime se janë përjashtuar nga tregu i ri për shkak të bindjeve politike.

Transferimi ka një muaj që është urdhëruar nga bashkia Korçë për shkak të rikonstruksionit të pazarit dhe prej një muaji këta tregtarë nuk kanë punuar pasi në tregun e ri presin të bëhen investime nga bashkia.
(eç/shqiptarja.com)