Korça i dha këtë të diel lamtumirën e fundit aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Koço Qendro, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike dhe njerëzore. Familjarë, kolegë, artistë, qytetarë dhe dashamirës të artit u mblodhën për ta nderuar në ceremoninë mortore, duke kujtuar jo vetëm aktorin e madh, por edhe njeriun që për dekada ishte pjesë e pandarë e jetës kulturore të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë. Ceremonia e fundit u zhvillua privatisht jo ne teatrin e Korces sic dhe kishte dhene amanetin e fundit i ndjeri.

Kolegë dhe bashkëpunëtorë u ndalën te dimensioni njerëzor dhe artistik i Koço Qendros. Ata e cilësuan si një qytetar model, prind të përkushtuar, artist të rrallë dhe njeriun që dokumentoi historinë e teatrit dhe estradës së Korçës. Sipas tyre, ai ishte simbol i humorit shqiptar dhe një personalitet që me veprën e tij i dha identitet skenës korçare dhe asaj kombëtare.

“Është një ditë e vështirë për ne kolegët e tij. Koccoja la pas veprën, rolet e tij. Ai ishte aktor themelues i Eastradës dhe Teatrës dhe njohu shkëlqimin në skenë. Publiku e desh fort dhe u vlerësua nga i gjithë publiku shqiptar” tha Kico Këri.

Edhe aktorët që ndanë skenën me të kujtuan mjeshtërinë e tij në krijimin e karaktereve. Ata veçuan interpretimin e paharruar të Harpagonit në “Kopraci”, rol që e riktheu në skenë edhe në moshë të thyer, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij moshe. Për ta, Koço Qendro ishte një aktor me talent të rrallë, por mbi të gjitha një njeri fisnik.

“Të flasësh për Koccon është të flasësh për mirënjohjen e qytetit. Është nderi më i madh që mund t’i bëhet një veprimtari të shquar. Ai ishte qytetar shembullor, prind i përkushtuar dhe artist i vecantë por edhe shkrimtar. Ai bëri historinë e Teatrit dhe Estradës”, tha Ligoraq Riza.

Drejtoresha e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, Zamira Kita, e kujtoi si një mik të afërt dhe një bashkëpunëtor të pazëvendësueshëm. Ajo vlerësoi rolin e tij në ruajtjen e arkivit të teatrit, këshillat që u jepte brezave të rinj të artistëve dhe mbështetjen që i ofroi gjatë gjithë karrierës së saj, duke theksuar se humbja e tij lë një boshllëk të madh në jetën artistike të qytetit.

“Sot i japim lamtumirën Kocco Qendros, një prej figurave më të rëndësishme të teatrit dhe filmit. Koccos edhe për pak muaj do ti festonim 100 vjetorin por e humbëm. Unë kujtoj Frosinën që kam luajtur në krah të tij tek “Kopraci” dhe kam qenë me fat që kam pasur një harpagon të tillë, por publiku i kujton shumë role. Ka qenë një aktor briliant i karaktereve. Ai ka qenë një mik shumë i mirë dhe shumë i dashur dhe me dhëmb shumë që mendoj se nuk e kam më”, tha Zamira Kita.

Me ndarjen nga jeta të Koço Qendros, arti shqiptar humbet një prej figurave të tij më të mëdha, ndërsa Korça përcjell një prej simboleve më të spikatura të historisë së saj kulturore. Emri, rolet dhe kontributi i tij do të vijojnë të jetojnë në kujtesën e publikut dhe në historinë e teatrit shqiptar.