“Arrest shtëpie”, kjo ka qënë masa e sigurisë që ka dhënë Gjykata e shkallës së parë të Korçës për 71 vjecarin, Përparim Beqiraj, i cili vetëm dy ditë më parë kanosi me sëpatë një nxënës të klasës së 6-të në shkollën 9-vjecare, ”Nuci Naci”. Arrestimi i 71 vjecarit u vlerësua i ligjshëm nga gjykata, dhe pranoi kërkesën për masën e sigurisë arrest shtëpie të kërkuar nga prokuroria.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, i akuzuari mohoi të ketë kryer vepër penale, pasi sikurse pohoi dhe vetë ishte i dehur, ndërkohë që kishte hyrë në ambientet e brendshme të shkollës për të njoftuar drejtorin se nxënësit po ziheshin. Praninë e sëpatës 71 vjeçari e argumentoi si rastësore. Pasi dëgjoi akuzën dhe mbrojtjen, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi ndaj të pandehurit si masë sigurie, arrestin në shtëpi.

Ngjarja është regjistruar në lagjen.4 rreth orës 13:00 të 23 prill, pas përfundimit të shkollës ,kur një person rreth 71-vjeç ka hyrë fillimisht në ambientet e jashtme të shkollës dhe më pas në ambientet e brendshme të saj, duke qëlluar me sëpatë poshtë këmbëve në klasën e tij, 13 vjecarin Andon Trebicka.

Fatmirësisht nxënësi nuk ka pësuar plagë pasi i është shmangur sëpatës, ndërkohë që ngjarja ka alarmuar, mësuesit dhe nxënësit e shkollës, por dhe banorët për rreth. Nga drejtuesit e shkollës janë lajmëruar uniformat blu, të cilat kanë arrestuar 71 vjecarin, Përparim Beqiraj, ndërsa kanë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre drejtorin e shkollës si dhe 13 vjeçarin, nxënës i klasës së gjashtë.
Jashtë kamerave 13 vjecari, Andon Trebicka, ka treguar me detaje ngjarjen:
”Ishim të gjithë nxënësit në klasë, kur vjen një burrë, nuk e di sa vjeç ishte. Na thotë, uluni jeni të gjithë të pushuar nga puna. Unë nuk pranova të ulem dhe ai më qëlloi me sëpatë, këmbëve. U largova menjëherë dhe sëpata, goditi më pas në mur. Sëpatën e kishte të mbështjellë dhe të bërë si bastum.”- ka thënë Andoni.

(sg/v.gj/shqiptarja.com)