KORÇE - Zhduken nga galeria e arteve “Guri Madhi” në qytetin e Korcës rreth 60 piktura, pjesë e fondit të madh prej 700 veprash arti që zotëron e gjithë kjo galeri. Dyshohet se 30 prej tyre i përkasin penelit të piktorit të madh Vangjush Mio.

Pikturat, me vlera të shumta, dyshohet se janë vjedhur, ndërkohë që deri më tani nuk është bërë asnjë denoncim në polici. Vetë drejtori i qendrës kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi, në një prononcim për mediat e ka pranuar se nga fondi i galerisë së arteve janë zhdukur shumë piktura, por sipas tij po bëhet inventarizimi i tyre për të dalë më pas në një përfundim.

Sipas tij, odiseja e konstatimit të mungesës të veprave të artit ka nisur në momentin kur çelësat për kujdesjen e galerisë i janë dorëzuar një djali të ri me cilësinë e specialistit të galerisë, i quajtur Kristi Ktona, ndërkohë që për dhjetë vjet me radhë për galerinë e arteve është kujdesur piktori i mirënjohur korçar, Sotiraq Xega. Drejtori Vladimir Topi ka pohuar gjithashtu se grupi i punës për inventarizimin e veprave të artit u ngrit në momentin kur piktori Xega refuzoi të bënte dorëzimet.

Ndërkohë, Sotiraq Xega ka mohuar akuzat e lëshuara ndaj tij ndërsa theksoi se ai nuk ka marrë asnjëherë inventarin e plotë të veprave që zotëron Galeria e Arteve “Guri Madhi”. Madje, sipas tij, në këto dhjet vjet që ai është kujdesur për galerinë nuk është bërë asnjë inventar.

Ndërkohë, sipas specialistëve, pikturat e vjedhura dhe të çmueshme kapin një vlerë prej 10 000 - 30 000 dollarë. Kamera e TV A1Report ka fiksuar kushtet në të cilat ruhen veprat artistike në këtë galeri, shpesh të hedhura cepave të bodrumeve (siç shihet në fotogalerinë që shoqëron lajmin), gjë që në mungesë të një rregulli dhe inventari të rreptë favorizon zhdukjen e tyre.

E bija e piktorit Vangush Mio, Rozeta, ka deklaruar se fatkeqësisht kjo nuk është hera e parë që veprat e të atit pësojnë të njëjtin fat, duke u zhdukur pa lënë gjumë. Ajo theksoi se zhdukja e veprave të piktorit për të përbëjnë vetëm një dëm moral pasi ato i janë shitur galerisë shumë kohë më parë.

Rozeta Mio tha se nuk dëshironte të komente më tej ngjarjen, ndërsa nënvizoi se i takon strukturave përgjegjëse që të merren me të.

(da.is/im/shqiptarja.com)