Një 70 vjeçare, e identifikuar si Bajame Memetali, është gjetur e pajetë në banesën e saj në Korçë. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se e moshuara jetonte e vetme në një pallat në lagjen nr 17.
Dyshohet që të ketë disa ditë që ka ndërruar jetë, ndërsa nga kqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet që trupi t'i nënshtrohet ekspertizës mjeko ligjore për të zbardhur shkakun e vdekjes.
Ka qenë fqinja e saj që ka lajmëruar policinë pasi prej disa ditësh nuk e kishte parë të moshuarën. Në një prononcim për mediat, ajo thotë se u shqetësuan se kishin ditë që s'e kishin parë. Ajo theksoi se e moshuara ishte e sëmurë dhe ishte e paralizuar pasi kishte rënë nga kati i katërt.
Fqinja tha se të birin e ka në burg, ndërsa nuk kishte asnjë njeri që të kujdesej për të, përveçse të motrën që jeton në Tiranë, e cila vinte nganjëherë dhe e ndihmonte.
"Kur e pamë kishte rënë nga divani. Lajmëruam motrën në Tiranë dhe i thamë hajde se ka vdekur Bajamja. Lajmëruam policinë. Ne nuk hynim e dilnim. Jetonte vetëm, nuk i dërgonte njeri. Ne dyshuam se s'po dëgjohej. Thashë hajde ta shikojmë. U ngritën të tërë komshinjtë, e pamë të vdekur. Djalin e ka në burg. Ishte në vështirësi ekonomike, pa ngrënë e pa pirë. Ishte e sëmurë. Ra nga kati i 4 dhe u paralizua. Vinte nganjëherë e motra nga Tirana dhe i bënte shërbim.", tha ajo.
Komente










