KORÇË- Dita e parë e janarit ka nisur me një ngjarje të rëndë në qytetin e Korçës. Një aksident me vdekje është regjistruar rreth orës 22:00, në aksin rrugor "Korçë-Bilisht", në afërsi të fshatit Zëmblak.
Një mjet tip ‘Benz’ është përplasur me një ‘Peugeot’. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën pasagjerja në mjetin ‘Peugeot’, Zoi Ksila, ndërsa drejtuesi është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 22:00, në aksin rrugor "Korçë-Bilisht", në afërsi të fshatit Zëmblak, automjeti tip, "Benz", me drejtues shtetasin T. M., është përplasur me automjetin tip "Peugeot ", me drejtues shtetasin K. K.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasja Z. K., pasagjere në automjetin tip "Peugeot". Ndërsa drejtuesi i këtij automjeti është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Korçës. Drejtuesi i automjetit tip "Benz", u shoqërua në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të aksidentit.