KORÇE - Gjykata e Faktit në qytetin e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për 34-vjeçarin, Olsi Iliazi i cili akuzohet për dhunimin e bashkëshortes së tij katër muaj shtatzënë Rudina Iliazi.

Seanca gjyqësore u zhvillua në pavionin e kirurgjisë, në spitalin e qytetit juglindor, aty ku 34-vjeçari qëndron i shtruar prej dy ditësh pas tentativës për vetëvrasje në ambientet e paraburgimit. Avokati mbrojtës i të pandehurit, si dhe prokuroria kanë kërkuar masë më të lehtë konkretisht “Arrest shtëpie” ose në spital për shkak të gjendjes të tij.

Por në fund trupi gjykues ka vendosur masën “Arrest me burg”. Ndërkohë 34-vjeçari dhe bashkëshortja e tij ndodhen në të njëjtin pavion, konkretisht Rudina Iliazi në dhomën 9-të, ndërsa Olsi në dhomën 4-ër, shumë pranë njëri-tjetrit.

Ngjarja e rëndë u regjistrua këtë të martë në lagjen 8 të qytetit të Korçës në shtëpinë e prindërve të Rudinës.

(eç/shqiptarja.com)