KORCE- Nënë e bir, pronarë të një hoteli në lagjen nr. 9 në Korçë, dhe një shofer autobuzi janë arrestuar nga policia, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi akuzohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin transportonin emigrantë të paligjshmëm duke i premtuar kalimin drejt vendeve të BE kundrejt një pagese prej 100 eurosh.

Në pranga u vunë Mirela Dvorani, 46 vjeçe, djali i saj Vasjan Dvorani, 25 vjeç i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike dhe Nevruz Demirllari, 62 vjeç, pronari i një autobusi pasagjerësh që bënte transportimin e emigrantëve drejt Tiranës.

Ndërkohë që në kërkim u shpalli bashkëshorti i 46-vjeçares, Nazar Dvorani, 59 vjeç i dënuar më parë për "Kontrabanda me mallra të tjera".

46-vjeçarja Mirela Dvorani që rezulton edhe pronarja e hotelit ku strehoheshin emigrantët ., është gjobitur me vlerën 50.000 lekë për punonjës të padeklaruar, të punësuar në biznesin e saj.

"Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim më shumë se 1 herë" e cila dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet", njofton policia.