KORÇË-  Ish–kreu i Omonia–s, Naum Disho është arrestuar dje nga Policia e Korçës pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në lagjen 15 në Korçë, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Burimet zyrtare bënë të ditur se pas kontrollit të ushtruar nga OSHEE dhe policia, 58–vjeçari u ndalua dhe akuzohet për veprën penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”.

Në vitin 2012, Naum Disho u akuzua për “Dhunim të varreve” në Boboshticë, i cili u dënua me 1 vit burg, akuzë e cila u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit. “Nga Specialistët e Seksionit për Krimet, u bë  kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Naum Disho, 58 vjeç, banues në Korçë. Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë  kontrollit të përbashkët të ushtruar nga OSHEE dhe Policia, në banesën e tij, në lagjen nr 15, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë  elektrike.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor  Korçë, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë. Ky është rasti i dytë që Disho bie në prangat e Policisë së Korçës, ku herën e parë ai është prangosur për dhunim të varrezave për tyë cilën u dënua edhe nga gjykata. Ndërsa përsëri ai arrestohet, por këtë herë për vjedhje të energjisë elektrike. Ditën e sotme ai do të dalë para Gjykatës së Korçës, ku do të mësohet me masën personale të sigurisë. Ndërkohë, burimet kanë bërë me dije se Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për ish kreun e Omonia-s, Naum Dishon.

Arrestimi në 2012
Në vitin 2012, ish kreu i Omonia-s së bashku me dy persona të tjerë u akuzuan për për dhunimin e varrezave të fshatit Boboshticë. Naum Disho, për këtë vepër penale u dënua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me 1 vit burg. Gjatë asaj kohe prokuroria e Korçës ka ngritur akuzën ndaj ish kreut të Omonia-s të dhunimit të varreve dhe ndërtim të paligjshëm në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticë. Disho, ish kreu i Omonia-s të Qarkut Korçë, mbante akuzën kryesore në atë proces, atë të ndërhyrjes me ndërtim pa leje si organizator dhe nxitës i kryerjes së punimeve në varrezat e fshatit Boboshticë  vitin e kaluar.

Përfaqësuesja e prokurorisë në Gjykatën e Apelit, Roza Qirjaqi e ka konsideruar si të bazuar akuzën për tre të pandehurit në këtë proces dhe sipas saj, punimet që janë kryer me iniciativë të Omonia-s nuk kanë qenë të bazuara në ligj. Sipas saj, ishin edhe dy procesverbale të mbajtura nga ana e Komunës Drenovë të cilat vërtetonin se punimet ishin kryer në mënyrë të paligjshme, duke zgjeruar një platformë betoni në territorin e varrezave.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i Naum Dishos ka pretenduar se betonimi i varrezave të vjetra të kryera më shumë se tre vjet më parë në fshatin Boboshticë nuk mund të konsiderohet si një ndërtim e dhunim varesh, pasi këto varre kanë qenë më shumë se 200 vjet të vjetra dhe atje nuk është interesuar kush më parë për gjendjen e tyre.


Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)