KORCEPasojat e reshjeve të dimrit vijojnë të mbeten të dukshme në fshatin Voskop të Korçës.  Mbrojtja anësore e lumit është dëmtuar rëndë, ndërsa materialet inerte të grumbulluara në rrjedhën e ujit rrisin rrezikun për përmbytje të tjera.

Kudo sheh struktura të dëmtuara betoni, gurë dhe inerte të shpërndara përgjatë lumit të Lavdarit si dhe erozioni i theksuar i brigjeve.

Sipas banorëve, ndërhyrja nga pushteti vendor ka qenë minimal. Ata thonë se pastrimi i fundit i lumit është kryer në muajin nëntor dhe prej asaj kohe nuk është bërë asnjë ndërhyrje tjetër.

Në këtë lagje ndodhen 40 shtëpi që jetojnë çdo ditë me frikën e përmbytjeve dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Banorët tregojnë se lumi i Lavdarit përbën kërcënim të vazhdueshëm, sidomos për familjet që jetojnë më pranë brigjeve.

Banorët shprehen se një pjesë e konsiderueshme e tokave bujqësore ndodhen pranë lumit dhe rrezikohen nga çdo dalje e tij nga shtrati.

Një tjetër banor thotë se reshjet e fundit kanë dëmtuar rëndë pritën dhe mbrojtjen përgjatë lumit, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes e bën situatën edhe më alarmante. Ata kerkojnë ndërhyrje nga bashkia e Korçës për thellimin dhe menaxhimin e shtratit të lumit për të shmangur pasoja më të rënda.

Po kështu kërkojnë forcimin e mbrojtjes anësore dhe pastrimin e materialeve inerte. Për ta, zgjidhja nuk mund të jetë më një ndërhyrje e përkohshme, por një investim i qëndrueshëm që do të shmangë përsëritjen e përmbytjeve.