KORCE - Tenton të vrasë veten në dhomat e paraburgimit Olsi Iliazi, i cili vetëm një ditë më parë dhunoi fizikisht bashkëshorten e tij shtatzënë. Sipas policisë, 34-vjeçari ka tentuar të vetëvritet duke i rënë murit me kokë. Si pasojë e goditjeve 34-vjecari ka marrë plagë të rënda në kokë, konkretisht në pjesën e ballit. I riu është dërguar menjëherë në ambientet e spitalit, në repartin e kirurgjisë ndërsa më vonë është dërguar sërish në dhomat e paraburgimit, ku pritet që t’i caktohet masa e arrestit.

DESHMIA E DAJES SE RUDINES
Konflikti me vjerrën dhe marrja e vendimit për të jetuar më vete, për pak sa nuk i ka marrë jetën 28-vjeçares katër muajshe shtatzënë, Rudina Iliazi. Një ditë pas dhunimit barbar nga bashkëshorti i saj Olsi Iliazi, familajarët e Rudinës tregojnë se shkak i konfliktit që ka degjeneruar më pas dhe në ushtrim dhune fizike ka qënë vjerra e 28-vjeçares. Ndërsa dënojnë dhunën dhe kërkojnë drejtësi, familjarët e Rudinës pohojnë gjithashtu se gjithçka ka ndodhur krejt papritur në familjen e 28-vjeçares në lagjen 8 të qytetit të Korçës.

“Gjendja është e rëndë, akoma nuk mund të themi se është mirë, është në reanimacion. Dënojmë dhunën, duam vetëm zbatim ligjesh, asgjë tjetër. Kanë patur konflikte në shtëpi nuk di më shumë, nuk arritën t’i zgjidhnin me mirësi, i zgjidhën me dru. Gjëja më e shëmtuar, që na ul përpara të gjithëve.
E urrej dhunën, dua vetëm drejtësi, kaq dua. Kanë patur mosmarrëveshje në familje si gjithë të tjerët, nuk arritën ti zgjidhnin siç duhet”, thotë daja i Rudinës, Lefter Selmanllari.

NENA E RUDINES: E GJETA VAJZEN TE MBULUAR NE GJAK
Ndërkohë në pamundësi për të folur në kamera, jashtë saj nëna e Rudina Iliazit, Flora Bardhi tregon me detaje ngjarjen. Sipas saj Rudina ndodhej në shtëpinë e prindërve, ndërkohë që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në shtëpi kishte mbëritur dhe dhëndri, bashkëshorti i 28-vjeçares, Olsi Iliazi. Ai iu kishte thënë se kishte dhimbje koke. Për këtë Flora Bardhi ishte larguar për të blerë medikamente, ndërkohë kur është kthyer e ka gjetur të bijën të mbuluar me gjak. Menjëherë ajo ka bërtitur duke kërkuar ndihmën e komshinjve, të cilët kanë ndërhyrë duke ndalur 34-vjecarin. Nëna e Rudinës pohon gjithashtu jashtë kamerave se dhëndri ka goditur me mjete të forta në ballë edhe atë. Çifti kishte vetëm tre muaj që ishte kthyer nga Italia dhe pas kësaj kishin vendosur të jetonin më vete. Ndërkohë Rudina Iliazi, nënë e një djali tre vjeç dhe në pritje të fëmijës së dytë, po djalë ndodhet në reanimacion në Spitalin Rajonal të Qytetit të Korçës. Sipas mjekëve, fëmija dhe nëna janë jashtë rrezikut, ndërsa 28-vjeçarja pas ndërhyrjes kirurgjikale në kokë do mbahet edhe disa ditë në reanimacion.

(Gre.M/Shqiptarja.com)