KORÇË – Katër personat të cilët dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe leva një 30-vjeçar brenda një servisi më 22 mars të këtij viti, janë vetëdorëzuar në polici.
4 dhunuesit e identifikuar si Spartak Selima, Kristi Selima, Marsel Xhakollari dhe Erjon Guri u vetëdorëzuan pas negociatave të policisë me famljarët e tyre.
Mësohet se 4 të shpallurit në kërkim, që nga dita e ngjarjes e deri në momentin e vetëdorëzimit, kanë qenë benda qytetit të Korçës, pasi nuk kanë mundur të arratisen si pasojë e postblloqeve të shumta të policisë.
Pikënisja e konfliktit të dhunshëm daton më 14 shkurt të këtij viti, kur dyshohet se Ramadan Hasani, I dhunuari, dhe vëllai i tij, u konfliktuan fizikisht me Spartak Selima, pasi ata pretendonin se Selima i ngacmoi partneren njërit prej vëllezërve.
"Në vijim të veprimeve procedurale të kryera, për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 22.03.2024, në lagjen nr. 16, Korçë, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 4 autorëve të dyshuar të saj, pas kontrolleve të shumta dhe falë negociatave të kryera nga forcat e Policisë me familjarët e tyre, këta shtetas u vetëdorëzuan në ambientet e Policisë.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, u ndaluan me iniciativë shtetasit në kërkim S. S., 32 vjeç, K. S., 31 vjeç, M. Xh., 40 vjeç dhe E. G., 49 vjeç, banues në Korçë.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një lavazh, për motive të dobëta dyshohet se tentuan të vrisnin me mjete të forta shtetasin R. H., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet për mjekim në spital. Konflikti mes tyre, ka ndodhur pasi më datë 14.02.2024, shtetasi R. H., së bashku me vëllain e tij, kanë plagosur lehtë dhe i kanë dëmtuar automjetin, 32-vjeçarit S. S",- njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.