Një 60-vjeçar nga fshati Kurilë i Devollit është gjetur i pajetë mëngjesin e sotëm në një lumë. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se 60-vjeçari ishte banues në Kurilë, por kishte shkuar te disa të afërm të tij në fshatin Vishocicë.

60-vjeçari kishte qëndruar deri vonë në një lokal të fshatit dhe, në momentin që po kthehej, ka kaluar mbi një urë dhe dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht. Sipas personave që kanë qenë me të në lokal, dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur.

Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet e sakta, por grupi hetimor i policisë konfirmon se ngjarja dyshohet të jetë aksidentale, bazuar në këqyrjen e kryer në vendngjarje. Policia vijon hetimet lidhur me rastin.