KORÇË - Forcat e kërkim–shpëtimit rreth orës 01:10 pas mesnate kanë gjetur trupin e pajetë të 27-vjeçarit Mirjan Bushit, nga fshati Lozhan i Ri.

Ngjarja është mësuar dje në mbrëmje rreth orës 20:15 dhe nga të dhënat e para mësohet se Mirian Bushi kishte mbetur i bllokuar në ish-minierën e qymyrit në fshatin Krosnisht, afër qytetit të Maliqit.

Siç informon gazetarja Lediona Xheladinaj, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e shpëtim-minierave dhe policia, të cilat janë njoftuar nga vëllai i 27-vjeçarit dhe pas kërkimeve arritë të gjejnë brenda galerisë trupin e pajetë të Mirjan Bushit.

Sipas të dhënave të para dyshohet se i riu ishte zënë nga një masiv dheu. Familjarët e të ndjerit kanë thënë se 27-vjeçari kishte shkuar në minierë për bukën e gojës. Ata i bëjnë apel shtetit të mbyllë këto galeri që sipas tyre po marrin jetë njerëzish duke i detyrar që nga varfëria ekstreme të zhyten në nëntokë.



Redaksia Online
(d.d/mag/a.ç/shqiptarja.com)