KORÇE - Gjykata e Korçës ka dënuar me 2 vite e 6 muaj burg 2 mjekët cilët janë akuzuar për mitmarrje. Mjekëve Niko Nunka dhe Ismail Uzuni u është hequr edhe për 6 muaj e drejta e ushtrimit të profesionit.
 
Gjykata e Korçës i ka dënuar dy mjekët Nunka dhe Uzuni pasi i ka shpallur fajtorë se i kanë marrë një pacienteje shumën prej 20 mijë Lekësh për një operacion.
 
Niko Nunka, mjek kirurg në Spitalin Civil të Korçës dhe Ismail Uzuni mjek reanimator në spitalin e Pogradecit kanë rënë në pranga për korrupsion në muajin tetor 2013.
 
Këta mjekë u arrestuan me dyshimin se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin ndërhyrje kirurgjikale të pacientëve kundrejt shumave të ndryshme
 
Sipas efektivëve të Korçës arrestimi i tyre në tetor është bërë pas një hetimi 2 mujor nga  strukturat të policisë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë së tyre.
 
Prokuroria e Korçës në pretencën e saj kishte kërkuar 3 vite burg për dy mjekët.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)